OPINIONTË FUNDIT

Skenar alarmant për presidencën / Salihaj paralajmëron: Marrëveshje ose rrëshqitje drejt kaosit institucional!

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kosova hyn në një fazë vendimtare të procesit politik: formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes për një mandat pesëvjeçar.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat të dytë, ndërsa edhe emra të rinj vazhdojnë të përmenden në diskursin publik dhe rrjetet sociale, pa asnjë konfirmim zyrtar nga kandidatët apo partitë.

Mirëpo, se si pritet të vijojë procesi i zgjedhjes së presidentit/es të vendit dhe kush duhet të jetë në këtë post, për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Filllimisht, ai tha se zgjedhja e presidentit do jetë sfidë e madhe, derisa përmendi raportimet se mes LVV dhe LDK mund të ketë bisedime për këtë çështje.

Sipas tij, partia fituese ka gjasa më të mëdha të bashkëpunoj me LDK-në, derisa përmendi dallimet e mëdha që ka me PDK-në e AAK-në.

ImageAdem Salihaj.Foto galeri
“Zgjedhja e presidentit do të jetë sfida e radhës. Po flitet se ka biseda në mes Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me këtë, nuk e di sa është e vërtetë kjo. Si do që të jetë, presidenti ose presidentja nuk mund të zgjedhet pa i bërë 80 deputetë në sallë, pra, pa një marrëveshje me LDK-në ose PDK-në. Më sa di unë, Vetëvendosja nuk është e interesuar të bashkëpunojë me PDK-në, për shkak të së kaluarës saj kriminale dhe korruptive. Sa i përket AAK-së, qëndrimi i VV-së për të është i njëjtë sikur për PDK-në. Edhe ashtu, AAK ka pak vota”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Salihaj foli edhe për pretendetët e mundshëm për këtë post, derisa tha se, gjasat më të mëdha i ka Osmani edhe për në mandat të dytë.

Kurse, sa i përket përfoljeve të mundëisë që edhe Abdixhiku e Haradinaj të jenë presidentet, ai vlerëson se kjo nuk mund të ndodhë, pasi asnjëri prej tyre nuk beson se mund t’i kryejë mirë detyrat e presidentit.

“Sa u përket kandidatëve, Vjosa Osmani padyshim që sot për sot është kandidatja që mund të bëjë më së shumti për Kosovën, kështu që interesi i Kosovës është që asaj t’i jepet edhe një mandat. Mendoj se shanset e Lumir Abdixhikut qenë të mira që ta merrte këtë post para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por tash është pothuajse figurë e djegur politike. Mendoj se ai nuk do të ishte i suksesshëm në këtë pozitë dhe nuk do t’i sillte ndonjë të mirë Kosovës. Madje, siç ka thënë edhe vetë, nuk e lë partinë në ditët e këqia, pra “i duhet” ende LDK-së.

Sa i përket Ramushit, as që duhet të mendojmë për kandidaturën e tij, do të ishte degradim i madh për pozitën e presidentit. Kur ishte kryeministër, ai e pat shpallur veten të paaftë për politikë të jashtme, bisedime e marrëdhënie ndërkombëtare, kështu që këto kompetenca ia pat deleguar Hashim Thaçit”, shtjelloi ish-deputeti.

Ndër të tjera, ai u bëri thirrja partive që ta zgjidhin çështjen e presidentit, pasi sipas tij, mund të ketë rrezik për bllokadë të sërishme.

“Jam i bindur se zgjedhja e presidentit ose presidentes, jo vetëm që është interes i Kosovës, por edhe i vetë partive të opozitës, sepse, nëse shkohet në zgjedhje të reja, ka rrezik të rënies së mëtutjeshme”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *