Osmani në krye të garës për mandatin e dytë, zbardhen prapaskenat – ja kush pritet ta sfidojë Presidenten
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kosova hyn në një fazë vendimtare të procesit politik: formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes për një mandat pesëvjeçar.
Ky moment vjen në një kohë kur skena politike po karakterizohet nga spekulime dhe propozime të ndryshme për kandidatë, ndërsa vendi përballet me nevojën për stabilitet institucional dhe konsensus politik.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat të dytë, ndërsa mandati i saj përfundon në prill të këtij viti.
Megjithatë, emra të rinj vazhdojnë të përmenden në diskursin publik dhe rrjetet sociale, pa asnjë konfirmim zyrtar nga kandidatët apo partitë. Mes tyre janë Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari; Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, i cili thekson rëndësinë e dialogut politik pa “pazare”; dhe Ramush Haradinaj, i cili shihet si një mundësi konsensuale për opozitën.
Përveç këtyre emrave, ka përmendje edhe të akademikëve si Kolë Krasniqi, i cili ka theksuar nevojën për institucione që gëzojnë besim dhe ka pranuar të jetë kandidat potencial. rëndësinë e marrëveshjeve paraprake midis partive për të ruajtur stabilitetin.
Procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet një provë e aftësisë së spektrit politik për të gjetur ekuilibrin mes ambicies personale dhe interesit të përgjithshëm të shtetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka shpallur rezultatet finale, dhe rrjedhimisht fokusin e ka marrë krijimi i institucioneve të reja – Kuvendi dhe qeveria – të cilat do të përcaktojnë edhe të ardhmen e presidencës së vendit.
Qarri: Dr. Vjosa Osmani është emri tipik që i mungonte Kosovës
E në lidhje me çështjen e presidentit/es së vendit, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri, i cili fillimisht vlerësoi punën e Osmanit si presidente gjatë mandatit të saj të parë,
Po ashtu, ai tha se punën e presidentes e vlerësuan edhe qytetarët në zgjedhjet e fundit, ku ndëshkuan kundërshtarët politike të Kurtit e Osmanit.
ImageAnalisti politik, Gani QarriFoto galeri
“Sukseset e tandemit të spikatur dhe më të shquar shtetëror, që ka pasur vendi, presidentes dr. Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ranë në sy qysh nga fillimi i marrjes së posteve që ata udhëheqin, ndaj ndëshkimi masiv qytetar, me votën e lirë në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, nuk ishte vetëm dënim i thjeshtë për partitë e inkriminuara, por edhe akt që simbolizoi dinjitet maksimal të votuesit, vetëdije të lartë shtetërore të qytetarëve, shpresë dhe dëshmi praktike se shteti ynë i përket sovranit të padiskutueshëm, i cili me vullnetin e tij të lirë, ka vendosur që përfundimisht, të ndahet nga e kaluara e dyshimtë dhe të orientohet në ndërtimin e një të ardhme të qartë, të ndritshme dhe prosperuese për shtetin tonë të pavarur dhe popullin e shumëvuajtur të Republikës së Kosovës.
Shembull nga i cili duhet marrë mësim veçanërisht bllokuesit, inskenuesit e ngërçit politik dhe të gjithë pretenduesit e negativiteteve të dekonspiruara, që ishin hedhur publikisht kundër mbarëvajtjes të Republikës së Kosovës, se si në të ardhmen, nuk duhet ngritur kurthe kundër krijimit të institucioneve legjitime, nuk pranohen ngërçet as nuk durohen bllokadat për defunksionalizimin e shtetit, akte të cilat u dënuan publikisht nga populli dhe votuesi besnik i Kosovës, siç u pa edhe më 28 dhjetor të vitit 2025, një mësim dhe porosi domethënëse, për të mos u përsëritur histori të tilla tragjikomike, në të ardhmen”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, Qarri përmendi edhe përfshirjen e Osmanit në Bordin e Paqes nga presidenti Donald Trump, e ku tha se ky është një sukses i madh për Kosovën, të cilin e arriti pikërisht me presidenten e saj.
Në këtë pikë, ai vlerësoi edhe angazhimin maksimal të Osmanit dhe punën që ka bërë ajo në aspektin e diplomacies.
“Pas inkorporimit të Kosovës në Ligjin e Mbrojtjes së SHBA-ve, përfshirja e saj në Bordin e Paqes nga presidenti Trump, në kohën kur ajo kushtëzohet për gjithfarë insinuate dhe nga secili prepotent në BE, është akt historik dhe sukses i jashtëzakonshëm për vendin tonë, që u arrit falë presidentes dr. Vjosa Osmani, veprim shumë domethënës i cili rrit dhe avancon dukshëm subjektivitetin ndërkombëtar të vendit tonë, ende të papranuar me të drejta të plota në OKB, me statutin e shtetit të pavarur në këtë ngjarje botërore, ndaj përveç obligimit njerëzor e kombëtar, që tu përulemi dhe falënderohemi përjetësisht SHBA-ve, për këtë akt të veçantë që e bën krenar popullin dhe vendin tonë, duhet t’i jemi shumë mirënjohës edhe presidentes së shtetit dr. Vjosa Osmani pa angazhimin maksimal dhe diplomacinë e shquar e me profesionalizëm të lartë të saj, as që mund të paramendohej”.
Më tej, komentoi disa nga çështjet kyçe me të cilat u mor Osmani gjatë mandatit të saj, siç janë njohjet e reja, lobimi për heqjen e masave ndëshkuese të Kosovës, si dhe thellimi i raporteve me SHBAN-në.
“Në anën tjetër presidentja jonë dr.Vjosa Osmani, në kohën kur krimineli Vuçiq vetlavdërohej para mediave se do të publikonte “ç`njohje” të tjera, ajo vetëm brenda vitit 2025, i solli Kosovës edhe 4 njohje të reja, ndikoi drejtpërsëdrejti te Kryetarja e KE, Ursula von der Leyen, për heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese, kur në Bruksel zyrtarisht këmbëngulej që të fillohej vetëm me heqjen e pjesshme dhe shkallë- shkallë të tyre, duke lënë të zhgënjyer keq edhe Edvin Kristaq Ramën i cili përveç dërgimit të “projektit” misterioz në Bruksel për formimin e “zajednicës” serbe në Kosovë, bëri çdo gjë, për ta bindur edhe Emanuel Macronin dhe Georgia Melonin që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të mos hiqeshin, pa koncesione edhe shumë më të dhimbshme të Kosovës, ndaj Serbisë hegjemoniste, në mënyrë që ti plotësoheshin orekset e sivëllait të tij serb, Aleksandër Vuçiqit.
Kjo dëshmon se dr.Vjosa Osmani është presidente me funksion meritor dhe e zgjedhur në këtë post, në kohën dhe momentin më të duhur, e cila në emër të vendit, nënshkroi në Davos të Zvicrës edhe pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, të thirrur në jetë nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump, ku do të përfshihen edhe mese 40 vende të pavarura nga mbarë bota”, shpjegoi ai.
Gjithashtu, analisti konsideron se vetëm me ardhjen e Kurtit dhe Osmanit në pushtet, në Kosovë po luftohet krimi, gjë që nuk ishte bërë në të kaluarën.
“Pra dr. Vjosa Osmani është emri tipik që i mungonte Kosovës, personalitet që garanton suksesin, dinjitetin e shpresën dhe i jep fund të kaluarës e cila ju grabit padrejtësisht popullit të Kosovës me dhunë e kalkulime mafioze nga politikanët e shantazhuar, të cilët hajninë dhe kapjen e shtetit për mese dy dekada me radhë e kishin kthyer në “normalitet” dhe çdo gjë dirigjohej nga nëntoka korruptive dhe strukturat e krimit të organizuar.
Vetëm pas ardhjes së Albin Kurtit kryeministër dhe zonjës dr. Vjosa Osmani presidente e vendit, filluan të luftohen krimi e korrupsioni seriozisht, dhe u rivendos rendi e ligji gjithandej dhe cep më cep, si askund tjetër në rajon, suksese të cilat bënë që Kosova të klasifikohet e treta për rend e ligj në botë dhe vlerësohet si vendi më i sigurt në Evropë”.
Kurse, sa i përket mundësisë që dikush tjetër të propozohet apo zgjedhet president i Kosovës, Qarri deklaroi se nuk mund të kundërshtohet kandidatura e Osmanit për disa arsye.
Madje, ai u shpreh se, nuk ka gjasa që dikush nga opozita të zgjedhet president/e, pasi sipas tij LVV nuk do bëj ndonjë marrëveshje politike me partitë në fjalë.
“Prandaj një personaliteti të arritur dhe diplomateje kaq rrezatuese me suksese të dëshmuara edhe në diplomacinë ndërkombëtare dhe politikën e jashtme të vendit si dr. Vjosa Osmani, si dhe një figure gjithëpërfshirëse politike, që përfaqëson unitetin e popullit dhe prezanton me shumë dinjitet shtetin e vogël të Kosovës, në arenën e madhe mbarëbotërore, jo vetëm se nuk mund t’i refuzohet kandidatura, por as nuk guxon të kundërshtohet rizgjedhja e saj Presidente e vendit edhe për një mandat, për asnjë arsye çfarëdo qofshin ato, në të kundërtën , çdo veprim tjetër, do të ishte në kundërshtim me interesat madhore të shtetit të Kosovës.
E për rrjedhojë, para personalitetit të dëshmuar të saj, nuk ka mundësi, as gjasa teorike që përfaqësuesit e dy partive më të vogla opozitare, të cilët janë të kontestuar edhe brenda vet subjekteve që drejtojnë, veçanërisht Abdixhiku i cili u refuzua nga mese gjysma e delegatëve pjesëmarrës të Kuvendit të fundit të LDK-së, ti bëjnë konkurrencë, apo të përballen me dr. Vjosa Osmanin, në garën për postin e presidentit/es, së vendit veçanërisht pas rezultatit shumë domethënës dhe përcaktues të qartë politik të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025”.
Në vazhdim, ai tha se duhet të certifikohen sa më parë rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në mënyrë që të vazhdohet më pas me procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas tij, në rast se do ketë vonesa, bllokada ose gjëra të tjera, atëherë do të shkaktohej një skandal i paparë.
“Kështu që me certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duhet të dëshmohet edhe politikisht se ky shtet u përket qytetarëve dhe përveç formimit sa më të shpejt të institucioneve të vendit, pas rreth një muaji Kosova duhet ta zgjedhë edhe presidentin ose presidenten e re të vendit, ndaj duke ditur se dallimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentes dr. Vjosa Osmani me paraardhësit e inkriminuar e të shantazhuar politik, është shumë i qartë dhe e kaluara simbolizon zhgënjim, hajni, korrupsion e kriminalitet të shfrenuar, zgjedhja qëndron mes të kaluarës që iu grabitë popullit të Kosovës dhe një të ardhmeje shpresëdhënëse që do të mund të ndërtohet me dinjitet, ndryshe përsëritja e bllokadave dhe ngërçeve politike, për shtyrje e komplikime të reja dhe vonesa e veprime tjera konfuze do të shkaktonte jo vetëm skandal të paparë, por edhe precedent të rrezikshëm që mund të kthehej në bumerang dhe trazira me përmasa të paparashikueshme sociale, me përmbysje të përgjithshme edhe politike në vend”.
Ndër të tjera, analisti paralajmëroi se, në rast se, nuk do e propozojnë Osmanin për president edhe për një mandat të dytë, atëherë Kurti dhe LVV, do të mund t’i zhgënjejnë rëndë qytetarët.
“Ndaj duke qenë se presidentja aktuale, dr. Vjosa Osmani, ka konfirmuar edhe publikisht se synon serish të kandidojë edhe për një mandat të dytë, bien poshtë spekulimet se këtë post mund ta synojnë edhe Abdixhiku, e Haradinaj, e parë edhe realisht askush nuk ka gjasa më të mëdha për zgjedhjen president/e e vendit, se sa dr. Vjosa Osmani e cila është emri më i padiskutueshëm, që duhet ta marrë këtë post të rëndësishëm të shtetit, kandidatura e saj nuk lë vend për kalkulime nga parti tjera, madje as nga vet LVV, përkundrazi VV duhet të jetë e para dhe mbështetësja më e fuqishme për rizgjedhjen e zonjës dr. Vjosa Osmani edhe për një mandat, presidente të vendit, ndryshe kryeministri Kurti dhe LVV, do të mund ti zhgënjejnë rëndë qytetarët, votuesit e shumtë dhe një pjesë të konsiderueshme të mbështetësve të LVV-së, sepse presidentja dr. Vjosa Osmani me sukseset e arritura në politikën e jashtme dhe përfaqësimin dinjitar të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, i ka bindur të gjithë, se ajo është e vetmja dhe më meritorja për rizgjedhjen edhe në mandatin vijues, presidente të padiskutueshme të vendit”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Halili: Procesi politik në Kosovë është gjithmonë i paparashikuesh
Ndërsa, profesori Nijazi Halili tha se, Kosova është në një moment vendimtar, e që do të përcaktohet drejtimi politik.
Sipas tij procesi për zgjedhjen e presidentit/es së vendit është i ndërlikuar, pasi përveç Osmanit ka zëra se edhe disa politikanë të tjerë mund ta synojnë këtë post.
ImageProfesori Nijazi HaliliFoto galeri
“Kosova ndodhet në një moment kritik pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Formimi i institucioneve dhe zgjedhja e presidentit do të përcaktojnë jo vetëm drejtimin politik, por edhe besueshmërinë e institucioneve për vitet e ardhshme. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka njoftuar se synon një mandat të dytë, ndërsa spekulimet për kandidatura alternative përfshijnë emra si Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.
Nga një këndvështrim analitik, zgjedhja e presidentit lidhet drejtpërdrejt me shumicën parlamentare, duke e bërë procesin të ndërlikuar. Osmani ka avantazh për shkak të njohjes dhe eksperiencës së saj, por fitorja e saj nuk është e garantuar pa mbështetjen e LVV-së dhe negociata me partitë e tjera. Nga ana tjetër, Abdixhiku ose Haradinaj mund të shfaqen si kandidatë kompromisi, sidomos nëse partitë e mëdha kërkojnë një figurë që bashkon, jo polarizon”, shtjelloi ai.
Megjithatë, profesori e cilëson Osmanin si kandidaten më të favorshme për presidente, e që për këtë kishte disa argumente.
“Në këndvështrimin tim, një president me mbështetje të gjerë parlamentare është thelbësor për stabilitetin. Nëse Kosova zgjedh një figurë që polarizon parlamentin, ka rrezik të shtohet bllokimi institucional dhe vonesat në reforma. Nga kjo pikëpamje, Vjosa Osmani duket kandidatura më e favorshme, sepse kombinon përvojën, njohjen ndërkombëtare dhe mundësinë për të ndërtuar koalicion me partitë e tjera”.
Mirëpo, në fund, ai nuk përjashtoi mundësi edhe të ndonjë befasie, pasi siç tha, politika në Kosovë është e paparashikueshme.
“Megjithatë, procesi politik në Kosovë është gjithmonë i paparashikueshëm. Nëse LVV dhe partitë e tjera nuk arrijnë marrëveshje, mund të shohim surpriza ose kandidatë të rinj të propozuar si kompromis. Kjo periudhë tregon qartë se Kosova nuk ka luksin të mbetet e bllokuar politikisht, dhe zgjedhja e presidentit duhet të jetë më shumë një akt bashkimi sesa lojë pushteti”, përmbylli Nijazi Halili për “Bota sot”.
