Osmani është kampione e diplomacisë në interes të Kosovës!
Ajo që ndodhi në Davos me themelimin e Bordit të Paqes mund të ishte diçka e zakonshme për një lider të Kosovës së njohur ndërkombëtarisht. Edhe takimi i presidentes Osmani me presidentin amerikan, Donald Trump, do të shihej si diçka protokollare dhe e pashmangshme në një ceremoni të tillë. Por në Davos të Zvicrës nuk u promovua vetëm Bordi i Paqes i iniciuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë. Aty u promovua shteti i Kosovës. Më saktë Kosova u pranua si një ndër shtetet e pakta themeluese të atij Bordi. Kush shtet themelon një organizatë ndërkombëtare gjithmonë shihet me admirim dhe cmirë nga shtetet që nuk e kanë këtë fat.
Donald Trump jo vetëm e ftoi kreun e shtetit të Kosovës, por e promovoi atë si askush dhe si askund tjetër. Mediet botërore shfaqën një takim më shumë se miqësor, më shumë se të sinqertë, një takim sikur të ishte midis pjesëtarëve të të njëjtës familje. Dhe Kosova e bashkë me të Vjosa, Albini e të gjithë ata që e drejtojnë atë, janë e do të jenë pjesë e familjes të SHBA-ve. Asgjë nuk ishte e rastësishme në atë takim. Gjithçka, çdo lëvizje, fjalët në veshin e njëri-tjetrit, buzëqeshjet dhe harmonia e lëvizjeve gjestikulare, shtrëngimi i duarve e të tjera qenë dëshmi e faktit se SHBA-të dhe Donald Trump e duan Kosovën, e respektojnë atë, e mbështesin pa kushte dhe më në fund e promovuan që të bëhej pjesë e strukturave ndërkombëtare të së ardhmes së shpejtë.
Personalisht kam besuar se presidenti Trump do ta mbështesë Kosovën, derisa ai emroi në krye të Departamentit të Shtetit Marco Rubion dhe vendosi si drejtor të CIA-s amerikane një mik të shquar të Kosovës. Janë dy autoritetet kryesore të përcaktimit dhe promovimit të politikave ndërkombëtare dhe këta të dy do të mbështesnin pikërisht këtë që po ndodh midis SHBA-ve dhe Kosovës. Prej të enjtes që kaloi Kosova është tashmë de fakto “anëtare e OKB-së” e gjithashtu edhe anëtare e NATO-s. Se kur ndodh kjo de jure, për mua nuk ka aq shumë rëndësi.
Jo rastësisht në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor u përzgjodh presidentja e Kosovës që të jetë themeluese e Bordit të Paqes të iniciuar nga SHBA-të. Nuk u ftua në këtë akt themelues as Serbia, as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut, as Mali i Zi dhe as Bosnjë-Hercegovina. Aleksandër Vuçiq ka qenë në depresion të madh ditën e djeshme, kur ka pare se në krah të presidentit Trump ishte kreu i shtetit të Kosovës. Ndërsa Edi Rama u përpoq që ta përshëndesë këtë ngjarje, por në thellësi të shpirtit të tij, ai nuk pranon që dikush tjetër në territoret shqiptare ta sfidojë atë. Nga vendet ballkanike ishin në Davos vetëm Kosova dhe Bullgaria. Dhe kjo ngjarje historike, përveçse aftësive të jashtëzakonshme të presidentes së vendit, zonjës Osmani, është rezultat i modelit demokratik që paraqet Kosova.
Një shtet i themeluar vetëm 18 vite më parë ka kapërcyer standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës të vendeve kufitare të saj, edhe pse këto shtete janë themeluar më shumë se një shekull më parë. (Serbia 148 vite më parë). Ky është një shembull i jashtëzakonshëm. Eshtë një model i pazakontë. Dhe roli i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, roli i politikanëve të Kosovës, përfshirë edhe një numër nga radhët e opozitës, roli i shoqërisë civile dhe medies në këtë proces është spektakolar. Në veçanti roli dhe kultura politike e qytetarëve të Kosovës është thelbësor në përparimin e Kosovës në shtetndërtim. Shtetndërtimi në Kosovë u shndërrua në model edhe për ata liderë ballkanikë që na u shfaqën si „shpëtimtarë“ të paqes në rajonin tonë. Ata menduan se me bashkëpunimin në forma konspirative siç ishte Open Balkan, do t’i sfidonin liderët ballkanikë që kundërshtuan politikat pretoksioniste të atyre që u vetëquajtën „liderë globalë“!
Kosova e kapërceu pragun dhe u bë anëtare themeluese e një organizate në embrion ndërkombëtare, e cila duket se do të iniciojë dhe diktojë edhe rendin e ri botëror. Në këtë organizatë do të jetë tashmë Kosova ajo që do të mirëpresë Rusinë, Serbinë dhe vende të tjera që nuk e kanë njohur atë. Kur Vuçiq, Putin e të tjerë refuzues të shtetit të Kosovës të shkojnë në këtë klub ndërkombëtar, ata do të gjejnë aty ose Vjosa Osmanin, ose fotografinë e saj me presidentin Trump në aktin themelues, foto që bëri xhiron e botës. Pra, do ta gjejnë aty Kosovën, pa patur asnjë mundësi që të venë më veto kundër saj!
