OPINIONTË FUNDIT

Nga “enigma” e tradhtisë ndaj Zahirit te vjedhja e votave: Kur manipulimi bëhet instinkt

Lajmi se Nait Hasanit i janë fshirë 3,414 vota pas rinumërimit – vota që nuk ishin të tijat, por që i ishin “qepur” artificialisht – nuk është thjesht një statistikë e ftohtë zgjedhore. Për ata që e njohin historinë e Kosovës, ky moment shërben si një pasqyrë e thyer morale, ku e sotmja sqaron të djeshmen.

Sot, Nait Hasani u kap duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve për një ulëse në Kuvend. Por, kjo “vjedhje industriale” votash pashmangshmërisht rikthen vëmendjen te një plagë e vjetër, te ai janar i ftohtë i vitit 1997.

Për më shumë se dy dekada, mbi figurën e Nait Hasanit ka rënduar një hije e rëndë dyshimi: Rrethanat e rënies së Zahir Pajazitit.

Si ka mundësi që arrestimi i tij të pasohej, vetëm tri ditë më vonë, nga zbulimi dhe eliminimi i Komandantit legjendar? Kjo kronologji e frikshme – ku sot arrestohet Naiti dhe pas vetëm 72 orësh vritet Zahiri – ka mbetur një njollë e pashlyeshme. Për vite me radhë, Hasani është mbrojtur me heshtje, me alibi viktimizimi dhe me arsyetimin se “rrethanat ishin të tilla”. Atëherë, shumëkush i dha atij benefitin e dyshimit, duke ia lënë fajin sistemit pushtues.

Por sot? Cili “sistem” e detyroi atë t’i shtojë vetes 3,400 vota që nuk i takonin? Cili armik e detyroi t’i hyjë në hak bashkëpartiakëve dhe qytetarëve?

Këtu kuptohet se nuk kemi të bëjmë me rrethana të jashtme, por me karakter të brendshëm.

Një njeri që nuk e ka problem të manipulojë hapur për një mandat deputeti në liri, e bën shumë të vështirë për këdo që t’i besojë pafajësisë së tij në kohë lufte, kur presioni ishte shumë herë më i madh. Vjedhja e votave sot është dëshmia më e qartë se integriteti moral nuk është pika e tij e fortë.

Nëse sot manipulon për pushtet dhe privilegj, çfarë garancie i jep historisë se dje nuk manipuloi për mbijetesë?

Ky rinumërim nga KQZ bëri më shumë sesa thjesht korrigjimin e një rezultati zgjedhor. Ai zbuloi metodologjinë e një politikani që duket se operon më së miri në mjegull. Por, për fat të keq të Nait Hasanit, kutitë u hapën. Dhe bashkë me votat e vjedhura që “avulluan”, u avullua edhe çdo grimë besimi se ky njeri mund të ketë qenë i sinqertë në dëshmitë e tij për të kaluarën.

Nait Hasani mund të ketë humbur 3,414 vota këtë javë. Por, në sytë e atyre që nuk e harrojnë 31 Janarin 1997, ai ka humbur shumë më moti. Rinumërimi thjesht konfirmoi atë që dyshohej në heshtje: Kush është i aftë të vjedhë të tashmen, ka shumë të ngjarë të ketë shitur të shkuarën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *