Bekë Berisha raportohet se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të KB Prishtina
Bekë Berisha raportohet se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të klubit të basketbollit Prishtina.
Siç raporton mediumi tëvë1. Berisha në mbledhjen e kryesisë në mbrëmjen e së shtunës ka ofruar dorëheqjen, vetëm pak ditë pasi befasisht politikani e deputeti u zgjodh kryetar i ri i klubit prishtinas, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
Shkak për dorëheqjen u bë një vendim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) duke sygjeruar se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetari i klubit basketbollistik Prishtina pasi kjo përbën konflikt interesi.
Në një reagim në rrjetet sociale, MKRS-ja ka thënë se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh që një zyrtar mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo bartës i funksionit drejtues. Sipas MKRS-së, çdo situatë e konfliktit të interesit duhet të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.
Zgjedhja e Berishës ishte përcjellë me reagime të ashpra nga tifozët e klubit “Plisat”.
