TË FUNDIT

Ambasadori Blerim Canaj në linjat e narrativës së Baton Haxhiut për dialogun dhe asociacionin!

Të shtunën e kaluar isha i ftuar në emisionin Balkan talks të Euronews Albania me moderatorin dhe gazetarin e shquar e të spikatur, Franko Egro. Si gjithmonë, gjithçka ishte e organizuar gati në perfeksion. Si i ftuar në studio kisha përgjegjësinë për të reflektuar edhe ndaj mendimeve të pjesmarrëve të tjerë në këtë emision prestigjioz. Dua të them se u ndjeva shumë mirë tek dëgjoja me vëmendje ish-politikanin e shquar të Serbisë me banim në Novi-Sad, të nderuarin, Nenad Çanak. Tema e diskutuar ishte si gjithmonë interesante dhe joshëse për ekspertizën time. Zhvillimet gjeopolitike në rajonin tonë, sidomos në Kosovë. Pjesë e këtij diskutimi ishte gjithashtu ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Blerim Canaj.

Si dhe herët e tjera, moderatori Egro bëri pyetje të posaçme për secilin. Por pyetja se çdo të bëhet me dialogun Kosovë-Serbi ishte e përbashkët për tre nga ne penalistët, zotin Canaj në Prishtinë, profesor Bilalin në Shkup, si dhe për mua në studio në Tiranë. Ambasadori Blerim Canaj mbrojti idenë se “dialogu është i domosdoshëm”! Se marrëveshja e Brukselit e shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i marsit të atij viti janë në fuqi e duhet të zbatohen”! Se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet”, gjithnjë bazuar në marrëveshjen e lartpërmendur etj. Nuk tha asgjë për atë se jetojmë një kohë krejt tjetër nga ajo e kaluara. E konsideroi dialogun si kusht të ekzistencës së pavarësisë së Kosovës. Madje tha se “të gjitha konfliktet që kanë ndodhur në botë nga antikiteti e deri më sot janë zgjidhur me marrëveshje midis palëve në konflikt”, duke aluduar se dialogu është një model i patjetërsueshëm. Ky përcaktim është i pasaktë, sepse ka shumë konflikte e luftëra, fatin e të cilave e kanë përcaktuar fituesit, ose më të fortët, pa nevojën e ndonjë marrëveshjeje me humbësit! Nuk e di nëse zoti Canaj është në dijeni të këtij fakti, ose jo!

Pas diplomatit Canaj dhashë edhe unë mendimet e mia. Thashë se dialogu midis Kosovës e Serbisë është tashmë i vdekur. Kjo sepse presidenti i Serbisë nuk e ka nënshkruar atë dhe se Serbia kohët e fundit ka hequr dorë edhe nga integrimi europian, derisa presidenti dhe kryetarja e parlamentit refuzuan të shkojnë në samitet e Brukselit për Ballkanin Perendimor. Më pas thashë se nuk pajtohem me narrativën, sipas së cilës vetëm ky dialog çon në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Nuk pajtohem me idenë se duhet formuar asosacioni, aq më tepër për ta paraqitur këtë si kusht për “njohjen e shtetit të Kosovës”. Tregova me fakte se sot jetojmë në një kohë tjetër të zhvillimeve gjeopolitike dhe se ligji amerikan për ta konsideruar Kosovën pjesë të nominuar të interesit të saj strategjik nuk favorizon dialogun, pasiqë vendimmarrjen e diktojnë SHBA-të, jo Bashkimi Europian e aq më pak Serbia.

Kur zoti Canaj e rimori fjalën, ai u ndal vetëm në reagimin kundër pikëpamjeve të mia. I konsideroj ato qëndrime nga pozitat e “nacionalizmit ekstrem”! Tha se ata që mbrojnë këtë pikëpamje u kanë thënë Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt “tradhtarë”! Përsëriti se në të drejtën ndërkombëtare konflikti zgjidhet në tavolinë, me dialog, etj. Shkurt, u përpoq që dialogun dhe asociacionin ta shndërrojë në një mit, i cili nuk tjetërsohet, nuk zhbëhet, nuk mund të anashkalohet dhe për këtë shkak qeveria Kurti është e detyruar që ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit të para tri viteve. Nisur nga nevoja për ta mbrojtur veten, tha se “nuk thashë se asociacioni është kusht për ruajtjen e pavarësisë”! Vetëm në këtë rast ndërhyra dhe sqarova se “nuk e thatë ju, por para pak ditësh këtë e ka artikuluar në një studio tjetër Baton Haxhiu”! U përgjigj shkurt: – Nuk e kam dëgjuar! E kuptova se zotit Canaj nuk i interesojnë ato që thotë Batoni apo njerëzit e narrativës së tij, thjesht është i përcaktuar për të kundërshtuar narrativën e kundërt.

Kësisoj, m’u desh ta parashtroj kronikën e asaj që ndodhi në debatin midis meje dhe ambasadorit Blerim Canaj, me qëllim që lexuesi të kuptojë qartë atë që dua të shpjegoj më poshtë:

Siç shihet përplasja midis ekspertëve të fushës së studimeve ndërkombëtare dhe zhvillimeve gjeopolitike për Kosovën është larg të qenit në një pikëpamje të përafërt. Dallimet janë të mëdha, madje të kundërta, sidomos kur është fjala për Kosovën. Duke përfaqësuar pikëpamjen se dialogu Kosovë-Serbi ishte gabimi më i madh që kishte pranuar qeveria e kohës (2011-2013 e deri në vitin 2020) gjendem unë, por edhe të tjerë përballë një pikëpamje krejt tjetër. Sipas kundërshtarëve të pikëpamjes sonë, “dialogu ishte i domozdoshëm”! “Dialogu Kosovë-Serbi u imponua nga aleatët anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”! Se “Dialogu ndihmon për njohjen dhe konsolidimin e shtetit”! Dhe se madje dialogu dhe asosacioni janë mjet për ekzistencën e shtetit dhe pavarësisë së Kosovës”!

Ne që nuk e pranojmë dialogun e aq më pak asosacionin, jemi sipas tyre jemi “arkaikë”, “nacionalistë”, “ekstremistë”, “populistë” etj. Kështu, kundërshtarët tanë nuk kanë gjetur vetëm arsyetimin e paarsyeshëm të narrativës që serbët në Kosovë të kenë një shtet brenda shtetit kosovar, por edhe kanë përzgjedhur gjithashtu etiketimet për argumentet tona. Argumenti që përdorin është në dobi të asociacionit, pra të interesit serb e të shtetit serb në Kosovë. Ndërsa kundërargumenti ynë është se “Pavarësia e Kosovës kishte koston e saj me lëshimet që iu bënë pakicës serbe gjatë bisedimeve për statusin, lëshime, të cilat tashmë janë të sanksionuara në kusjtetutën e Republikës. Ato lëshime si kompromis ishin unike në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe u pranuan me idenë se Beogradi do të pajtohej me ekzistencën e shtetit të Kosovës. Kjo nuk ndodhi. Serbia, si gjithmonë në historinë e saj, vazhdoi të “predikojë” zgjidhjen paqësore, por duke patur në tryezën e dialogut Kosovën, territorin e saj, prezencën serbe në Kosovë, mundësinë për të impunuar krijimin e një shteti jofunksional, që çon në zhbërjen e shtetit kosovar!

Asosacioni është “Gozhda e Nastradinit” që Beogradi t’i arrijë këtyre qëllimeve. Unë besoj se një diplomat i rangur ambasador, si Blerim Canaj, duhet ta kuptojë fare mirë këtë qëndrim të Beogradit. E megjithatë ai këmbngul në këtë narrativë, për të cilën ka interes vetëm Serbia. Jam i bindur, në mos qofsha i gabuar, se zoti Canaj nuk niset nga ndonjë simpati ose lidhje me Serbinë. Por ai në debatin me mua dëshmoi se është fanatik i lidershipit të shkuar të Kosovës me Thaçin në krye. Në këtë kuptim, pati madje edhe një shqetësim të shprehur – atë që Thaçi e të tjerët që bënë kompromisin në dialog mund të njollosen nga ky kompromis në historinë e Kosovës. Tha se ne (kush ne?) e paskemi etiketuar Hashimin, Kadriun e Ramushin si “tradhtar”!

Sa për sqarim. Unë kam shkruar një libër për debatin e zhvilluar për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve të saj me Serbinë. Në atë libër Hashim Thaçi është cituar dhe është trajtuar si protagonisti kryesor i këtij projekti të hartuar dhe miratuar nga Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Janë 360 faqe libër me aq shumë prova, fakte, citime, argumente dhe dëshmi, sa nuk do të mundet as zoti Canaj, as të gjithë miqtë e tjerë të Thaçit së bashku, t’i hedhin poshtë ato. Në këtë libër në një ose dy raste e kam etiketuar zotin Thaçi si tradhtar të Kosovës, sepse në kundërshtim me nenin 2, pika 2 të Kushtetutës së Kosovës ka tentuar të cënojë territorin e saj. Në këtë libër i jap kryeministrit Ramush Haradinaj vend e rol kryesor për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt ai kurrë nuk u etiketua si “tradhtar”, përkundrazi u konsiderua si e kundërta e tradhtisë, që është patriotizmi. Nuk e di pse zoti Canaj të shtunën e kaluar në debatin e zhvilluar futi në listën e “tradhtarëve” edhe Ramush Haradinajn dhe Kadri Veselin. As për Kadri Veselin nuk ka asnjë akuzë, asnjë etiketim!

Futja e Rambos dhe Kadrisë në një listë me Thaçin bëhet me qëllim nga ana e zotit ambasador Canaj. Për të thënë se “Ju që mbroni narrativën jo serbe jeni me Albin Kurtin dhe kundër atyre që kanë qeveris para tij”! Pra për ta politizuar debatin, për të thënë se “ju jeni populistë”! Por fakti që ne nuk i trajtojmë liderët njësoj, dëshmon se ne jemi realistë, as populistë dhe as ekstremistë nacionalistë. Meqë jemi te kjo pjesë. – Akuzat për ata që mbrojnë Kosovën prej Serbisë fashiste se këta qenkan “nacionalistë”, shkon në dobi të narrativës së përhapur në Europë, sipas së cilës “Të gjithë ballkanasit janë njësoj, nacionalistë dhe ekstremistë”! Dhe kjo narrativë është përhapur nga Beogradi, qëllimshëm që të relativizohen qëndrimet ekstremiste e nacionaliste të Beogradit përkundrejt popujve dhe kombeve të tjera në Ballkan.

Më duhet ta sqaroj ambasadorin sa më poshtë, sa i përket kësaj teme:

Së pari, nuk është turp të jesh nacionalist shqiptar. Eshtë turp ta identifikosh nacionalizmin shqiptar me atë serb. Sepse nacionalizmi shqiptar është patriotizëm. Që do të thotë se ky nacionalizmi ynë është ideologji e mbrojtjes nga ata që na kërcënojnë dhe gjithkush e di se Serbia është kërcënuesja kryesore dhe e vetme e kombit shqiptar! Nuk e di nëse zoti Canaj e ka marrë ose jo vesh këtë fakt.

Së dyti, nacionalizmi shqiptar është nacionalizëm human. Ai predikon kujdesin dhe respektin ndaj çdo njeriu që nuk i përket etnisë shqiptare. Jo rastësisht prej 20 vitesh në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast dhune të shqiptarëve kundër ndonjë individi tjetër të etnisë serbe. Nuk ka ndodhur kjo as për çeshtje oredinere, jo më për shkaqe politike. Ambasadori e ka detyrë profesionale dhe shtetërore të predikojë dhe përhapë kudo në botë këto fakte të aplikimit të nacionalizmit human shqiptare dhe jo të akuzojë ata që e duan kombin për “ekstremistë nacionalistë”! Natyrshëm dyshoj, nëse Blerim Canaj ka qenë një ambasador tipik përfaqësues i interesave të Kosovës. Ndoshta ka lobuar në Alpach të Austrisë për ndarjen e Kosovës. Eshtë ai rasti i 18 gushtit 2018, kur shefi i tij, Thaçi, deklarohej hapur për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që presidenti slloven vinte duart në kokë dhe presidenti i Serbisë i thoshte Thaçit “Mos i thuaj në publik të gjitha çfarë kemi biseduar bashkë”!

Së treti, diplomatët, analistët, politikanët e Kosovës, madje edhe qytetarët, përfshirë spiunët e Serbisë, duhet të kenë më shumë respekt për sakrificat e shqiptarëve që dhanë jetën për Kosovën e pavarur në emër të shtetit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Ata ishin nacionalistë idealistë. Dhe do të tmerroheshin nga prirjet altruiste dhe kozmopolite të ndihmësve të projekteve serbe për ta mbajtur Kosovën nën kthetrat e Beogradit! Mirë Baton Haxhiu është ai që është dhe nuk rron dot pa mbrojtur narrativat serbe! Po ambasadori Blerim Canaj pse noton në ujëlrat e tij?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *