OPINIONTË FUNDIT

Gjyqtari Hoti ngrihet në detyrë/ Çfarë do të ndodhë me rastin “Banjska”?

“Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj ka pritur sot në takim gjyqtarët Nikollë Komani, Armend Berisha dhe Arben Hoti, të cilët me vendim të KGJK janë përzgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës” deklaroi Gjykata, në njoftimin e saj.

Me të dalur me detyrë në Apel, lëndët e këtyre gjyqtarëve në gjykatat përkatëse do të shpërndahen te gjyqtarë të tjerë.

Në mesin e këtyre lëndëve është edhe ajo e rastit “Banjska”, gjyqtar i së cilës ishte pikërisht Arben Hoti.

Në një prononcim për media, nga Gjykata Themelore e Prishtinës konfirmojnë se edhe ky rast do t’i bartet një tjetri gjyqtar, proces për të cilin aktualisht është duke u bërë përgatitja administrative.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se me rastin e avancimit të gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës, të gjitha lëndët të cilat kanë qenë në punë te i njëjti janë aktualisht në procedurë të përgatitjes administrative dhe shpërndarjes për gjyqtarët e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë” thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Seanca e fundit për këtë rast u mbajt më 17 dhjetor, teksa seancën e radhës, gjyqtari Arben Hoti e kishte caktuar të mbahet të premten e ardhshme, më 16 janar.

Rreth kësaj çështjeje, nga Gjykata pohojnë se së shpejti do të caktohet gjyqtari bartës, e më pas do të procedohet caktimi i seancës gjyqësore.

“Lënda e njohur si “Rasti Banjska” do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës përkatës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore, për çka do të njoftoheni me kohë” deklaron Gjykata.

Kujtojmë se seanca e shqyrtimit fillestar për sulmin terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës, që la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, u mbajt më 9 tetor 2024.

Autoritetet e drejtësisë po gjykojnë vetëm tre nga 45 të akuzuarit, të cilët u arrestuan po në ditën kur ndodhi tragjedia.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 11 shtator 2024, ngriti aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *