OPINIONTË FUNDIT

Ekspertët e sigurisë: Retorika e Vuçiqit është pjesë e një strategjie për të sfiduar rendin ndërkombëtar

Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar të dielën kapjen e aleatit të tij, udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.

“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, ka thënë Vuçiq për media të dielën në Beograd.

Vuçiq tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Halimi: Qëndrimi i Vuçiqit, pjesë e një rreshtimi më të gjerë me regjime jodemokratike që i dolën hapur në mbështetje Maduros

ImageArmend HalimiFoto galeri
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një përgjigje për “Bota sot”, thekson se kritika e Vuçiqit ndaj arrestimit të Nicolas Maduros nuk është e rastësishme, por pjesë e një rreshtimi më të gjerë me regjime jodemokratike.

Sipas tij, ky qëndrim pasqyron refuzimin e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe solidaritetin mes liderëve autoritarë që e shohin llogaridhënien si kërcënim për pushtetin e tyre.

“Qëndrimi kritik i Vuçiçit ndaj arrestimit të Nicolas Maduros nuk është një reagim i izoluar, por pjesë e një rreshtimi më të gjerë me regjime jodemokratike që i dolën hapur në mbështetje Maduros. Ky pozicionim reflekton refuzimin e mekanizmave ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe një solidaritet mes liderësh autoritarë që e shohin drejtësinë penale ndërkombëtare si kërcënim për mbijetesën e pushtetit të tyre” – thotë ai.

Halimi vlerëson se ky qëndrim pasqyron frikën nga precedenti penal dhe ndryshimet në balancat e sigurisë, ku armatosja e Kosovës nga Perëndimi shihet nga Serbia si presion strategjik.

Sipas tij, mbrojtja e liderëve autoritarë shërben si reagim ndaj një rendi ndërkombëtar që kufizon regjimet jodemokratike dhe kontribuon në delegjitimimin e normave ndërkombëtare, duke prodhuar pasiguri afatgjatë.

“Ky qëndrim mund të lexohet edhe si shprehje frike nga precedenti penal, por edhe nga ndryshimet në balancat e sigurisë në rajon. Në këtë kontekst, armatosja e Kosovës nga vendet perëndimore perceptohet nga Beogradi si presion strategjik dhe sinjal se Perëndimi po forcon aktorë që Serbia i konsideron kundërshtarë. Rrjedhimisht, diskursi mbrojtës ndaj liderëve si Maduro shërben edhe si reagim politik ndaj një rendi ndërkombëtar që po kufizon hapësirën e manovrimit të regjimeve jodemokratike.

Në planin e sigurisë, ky rreshtim kontribuon në delegjitimimin e normave ndërkombëtare, normalizon autoritarizmin dhe prodhon pasiguri afatgjatë, si në nivel global ashtu edhe rajonal”, nënvizon ai.

Dashevci: Serbia është e rreshtuar në atë vijë sikurse Rusia

ImageArben DashevciFoto galeri
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se kritika e Vuçiçit ndaj arrestimit të Nicolas Maduros lidhet me miqësinë e tij me liderë të akuzuar dhe reagimin tipik të autokratëve që ndihen të kërcënuar. Sipas tij, pretendimi se rendi ndërkombëtar nuk funksionon është i pavërtetë dhe pjesë e një retorike të pandryshuar që nga viti 1999, e lidhur me mospranimin e pavarësisë së Kosovës.

“Aleksandar Vuçiq, e ka kritikuar të dielën kapjen e aleatit/mikut të tij ish udhëheqësin e Venezuelës tash të arestuarin Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.

E thotë këtë sepse është mik i një të akuzuari të ekstraduar në SHBA ku do të përballet me ligjin, ai akuzohet për trafikim droge nga organet e drejtësisë në SHBA.

Vuçiq është autokrat mendoj unë dhe reagon ashtu si po reagojnë autokratët tjerë sikurse Maduro përpara, pra ndihet parehatshëm dhe në siklet mendoj unë.

Vuçiq mendon se rendi ndërkombëtar “nuk funksionon” pas arrestimit të Maduro-s, por rendi ndërkombëtar funksionon normalisht, është qasje e përsëritur e tij që nga viti 1999, ka ardhur në pushtet direkt si pasardhës i kasapit të Ballkanit, Millosheviç, retorika e tij nuk ka ndryshuar kurrë sepse ai nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, referohet me retorik të njëjtë tash e 26 vite”, tha ai.

Dashevci, shprehet se reagimi i Vuçiçit buron nga frika se mund të ketë fatin e njëjtë si Maduro dhe nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë. Sipas tij, pretendimet se armatosja e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare janë të pabazuara, pasi ajo realizohet në përputhje me standardet e NATO-s. Ai thekson se Vuçiç luan rolin e viktimës në kuadër të luftës hibride, ndërsa Kosova është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO.

“Ajo çfarë qëndron pas reagimit të fuqishëm të Vuçiqit ndaj veprimit të SHBA-ve, unë mendoj është frika se do ta ketë fatin e njëjtë si Nicolas Maduro, ka qasje destruktive dhe reagim të njëjtë mu sikurse Rusia.

Serbia është e rreshtuar në atë vijë sikurse Rusia.

Ai pretendon konstant se armatosja e Kosovës bie ndesh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. por nuk qëndron ky interpretim i tij as juridikisht dhe as politikisht.

Kosova armatoset/ furnizohet me armë nga SHBA, NATO dhe partnerët strategjik me rregullativa të NATO-s.

Kosova kryen trajnime të vazhdueshme me NATO-n, merr pjesë në misione të ndryshme me NATO-n.

Asgjë çka ai e thotë nuk qëndron sepse faktet janë të patjetërsueshme, e luan vetëm rolin e viktimizuesit si pjesë e luftës hibride që e bënë tash e sa vite në Ballkan kundrejt vendeve demokratike, posaçërisht kundër vendit tonë.

Unë mendoj që Kosova është në rrugën e sajë të drejtë dhe të pakthyeshme, fokusi i vendit tonë është anëtarësimi i plotë në NATO dhe kjo i pengon vetëm Serbisë si satelit i Rusisë ,askujt tjetër nga bota demokratike” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *