TË FUNDIT

Bahri Cani: Mbi 80% e diasporës që ka votuar me postë dhe në përfaqësitë diplomatike ka votuar për Albin Kurtin dhe VV

Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, ka vënë në dukje se mbi 80% e Diasporës që ka votuar me postë dhe në përfaqësitë diplomatike ka zgjedhur Albin Kurtin dhe LVV, ndërsa në Kosovë LVV mori nën 50% të votave.

Sipas tij, ky dallim prej rreth 30% ka shkaktuar debate dhe kritika, përfshirë akuza të paqena për manipulim ose blerje votash. Cani thekson se pyetja “Pse Diaspora votoi ndryshe?” është legjitime dhe duhet analizuar me qetësi dhe argumente për të sqaruar fenomenin dhe për të shmangur keqkuptimet.

Shkrimi i plotë:

Pse Diaspora votoi ndryshe nga votuesit në Kosovë?

Mërgata në masë shumë të madhe ka votuar ndryshe nga votuesit në Kosovë. Mbi 80% e Diasporës që ka votuar me postë dhe në përfaqësitë diplomatike ka votuar Albin Kurtin dhe LVV. Ndërsa në Kosovë (bashkë me mërgimtarët që votuan atje) LVV ka fituar më pak se 50% sipas të dhënave zyrtare. Pra dallimi është diku rreth 30%.

Kjo ka hapur debate të shumta në Kosovë por edhe tek vetë mërgimtarët. Ndërkohë që në media ka dhe analistë gjermanë që thonë hapur se LVV ka fituar duke i falënderuar votimit të Diasporës dhe merren me analiza për këto dallime kaq të mëdha të votimit të Diasporës dhe votuese në Kosovë.

Në Kosovë dëshpërimi i opozitës dhe disa analistëve është shumë i madh. Nuk dua të flas fare për ofendimet, por edhe nga politikanët opozitarë ka thirrje që Diaspora të rri në Kosovë vetëm disa javë apo muaj dhe të shohë se si vërtet është gjendja në shkolla, shëndetësi, kopshte, infrastrukturë, me energji elektrike, me çmime etj etj.

Ka madje dhe të tillë që thonë se në konsullata e ambasada, si dhe me postë, ka pasur manipulime e mashtrime, por deri tani nuk janë paraqitur dëshmi konkrete (të paktën unë nuk kam parë këto dëshmi, përveç disa videove nëpër rrjetet sociale, që nuk i konsideroj si dëshmi për shkak të mundësisë së manipulimeve). Kritikët e qeverisë tani flasin edhe për efektin që ata e quajnë blerje votash përmes ndihmave të dhëna pak para zgjedhjeve për pensionistët, fëmijët, studentët etj. Por flitet madje edhe për inatin e diasporës, manipulimin e saj…

Ka pra llafe e analiza shumë. Opozita dhe humbësit tani duhet të merren me analizën e humbjes, me shkaqet e një humbje kaq të thellë, jo vetëm në diasporë por edhe në Kosovë.

Por pyetja me siguri që është legjitime dhe duhet të shtrohet dhe analizohet në qetësi: Pse Diaspora votoi kaq ndryshe nga njerëzit në Kosovë?

Kjo pyetje vlen jo vetëm për partitë por edhe për të gjithë ata që duan të analizojnë votimin e 28 dhjetorit…

Sa për sqarim: Unë personalisht akoma nuk kam ndonjë përgjigje definitive dhe të bazuar empirike në pyetjen pse. Por me siguri që nuk është mirë që kjo çështje të mbetet pa sqaruar, sepse nëse nuk flitet fare për këtë temë, ajo do të mbetet e pasqaruar, ndërsa mllefi i papërpunuar… Ndaj mendoj se mund dhe duhet të shkëmbehen mendime për këtë çështje, por në qetësi dhe me argumente, në mënyrë që të shpjegohet fenomeni dhe të eliminohen të gjitha dyshimet dhe supozimet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *