Numri 50 i VV-së, Haskuka, ndryshoi jetën e 585 familjeve duke ua ndërtuar dhe rinovuar shtëpitë
Gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili në listën e LVV-së mbanë numrin 50, realizoi një nga politikat sociale më të fuqishme dhe më njerëzore që ka njohur ndonjëherë kjo komunë, shkruan KosovaNews.
Përmes programeve konkrete të strehimit dhe rehabilitimit banesor, jeta e 585 familjeve me gjendje të rëndë sociale u përmirësua ndjeshëm, më shumë se në çdo mandat të mëparshëm.

Sot, Haskuka është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, me numrin 50 në listë, duke kërkuar besimin e qytetarëve për ta çuar këtë përvojë dhe këtë ndjeshmëri sociale në Kuvendin e Kosovës.

Përmes Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komuna e Prizrenit zbatoi tri programe kyçe: ndërtimin e shtëpive (pika jashtë), meremetimin e shtëpive dhe meremetimin e kulmeve, krahas projekteve të realizuara në partneritet me organizata humanitare dhe institucionet për komunitete dhe kthim.
Në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpisë (pika jashtë)”, gjatë katër viteve kanë përfituar 110 familje, ndërsa projekti “Meremetimi i shtëpive”, i nisur për herë të parë në vitin 2019, ka ndihmuar 128 familje. Po ashtu, përmes projektit “Meremetimi i kulmeve”, janë mbështetur 144 familje.
Një ndër bashkëpunimet më domethënëse ishte ai me shoqatën Jetimat e Ballkanit, përmes së cilës janë ndërtuar 50 shtëpi “me çelësa në dorë”, plotësisht të ndërtuara dhe të mobiluara për familjet në nevojë. Ndihmë shtesë është dhënë edhe përmes shpërndarjes së materialeve ndërtimore nga Zyra për Komunitete dhe Kthim.
Për shumë qytetarë, këto shifra nuk janë thjesht statistika, por dëshmi konkrete se politika mund të ndryshojë jetë kur udhëhiqet me ndershmëri dhe përgjegjësi. Prandaj, kandidatura e Mytaher Haskukës me numrin 50 shihet si vazhdimësi e një pune që ka pasur në qendër njeriun, dinjitetin dhe drejtësinë sociale.
