OPINIONTË FUNDIT

Mesazh i fortë nga Uashingtoni: Kosova nën ombrellën amerikane, Ballkani jashtë skenarëve të luftës

Hyrja në fuqi e Ligjit të Shteteve të Bashkuara për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) po cilësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në vitet e fundit.

Ky ligj, që përcakton prioritetet e sigurisë dhe mbrojtjes amerikane, dërgon mesazhe të qarta për stabilitetin rajonal, rolin e NATO-s dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së ndaj Kosovës.

Si ligj federal, i dekretuar nga presidenti Trump, ai përligj së paku tri garanci të rëndësishme për Kosovën dhe Ballkanin: nuk ka ndryshim kufijsh në rajon; marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet me njohje reciproke; dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të vazhdojë, përfshirë edhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se NDAA-ja e vendos Kosovën në një pozicion krejtësisht të ri gjeostrategjik, duke e nxjerrë nga “zona gri” e pasigurisë dhe duke e afruar më shumë se kurrë me arkitekturën euro-atlantike të mbrojtjes.

Shala: Kosova nën ombrellë të fuqishme strategjike amerikane

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se hyrja në fuqi e Ligjit Amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare përbën një sinjal të qartë strategjik të SHBA-së për Kosovën dhe Ballkanin.

“Së pari duhet kuptuar se ky ligj nuk është thjesht dokument buxhetor apo ushtarak. Ai është deklaratë force politike, sigurie dhe gjeostrategjie”, shprehet Shala.

Sipas tij, për Kosovën kjo nënkupton një ombrellë të fuqishme sigurie, ku mbështetja amerikane nuk mbetet më vetëm në nivel deklarativ, por shndërrohet në garanci ligjore federale.

“Mesazhi është i qartë: kufijtë në Ballkan nuk ndryshohen. Projektet për ndarje, shkëmbim territoresh apo zgjidhje etnike janë jashtë loje. Kjo i bën të pavlefshme të gjitha skenarët destabilizues që janë përdorur për vite me radhë për ta mbajtur Kosovën nën presion politik dhe psikologjik”, thekson ai.

Shala vlerëson se ligji e trajton dialogun Kosovë–Serbi si proces me epilog të qartë.

“Nuk bëhet më fjalë për dialog pa fund, por për proces që ka përfundim njohjen reciproke. Kjo ia mbyll Serbisë hapësirën për lojë të dyfishtë: dialog në tavolinë dhe tensione në terren”, thotë ai.

Sipas tij, përfshirja e zgjerimit të NATO-s në Ballkan e zhvendos Kosovën nga periferi në interes strategjik perëndimor.

“Edhe pa anëtarësim formal të menjëhershëm, Kosova trajtohet si pjesë e arkitekturës së sigurisë perëndimore, me mbështetje afatgjatë për KFOR-in, FSK-në dhe bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në dhe aleatët”, nënvizon Shala.

Ai shton se ligji është paralajmërim i drejtpërdrejtë për të gjithë aktorët destabilizues, përfshirë Serbinë dhe Rusinë.

“Çdo tentativë për destabilizim të Kosovës nuk shihet më si problem lokal, por si sfidë ndaj interesave të drejtpërdrejta amerikane dhe të NATO-s”, përfundon Shala për “Bota sot”.

Elezi: Garanci e qartë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

ImageBedri EleziFoto galeri
Edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, e cilëson hyrjen në fuqi të NDAA-së si moment me peshë historike për Kosovën.

“Ky ligj është akt federal detyrues dhe pasqyron konsensusin e plotë të aparatit shtetëror amerikan për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thekson Elezi.

Sipas tij, një nga mesazhet më të forta të ligjit është garancia kundër ndryshimit të kufijve.

“Kufijtë në Ballkan janë të paprekshëm. Kjo mbyll përfundimisht skenarët për ndarje, shkëmbime territoresh dhe projekte etno-nacionaliste që kanë prodhuar tensione për dekada”, shprehet ai.

Elezi vlerëson se ligji e pozicionon qartë njohjen reciproke si përfundim të dialogut Kosovë–Serbi.

“Pa njohje reciproke nuk ka marrëveshje. Kjo e nxjerr Kosovën nga pozita mbrojtëse dhe e vendos si subjekt të barabartë shtetëror”, thotë ai.

Ai thekson se përmendja e zgjerimit të NATO-s dhe Kosovës në këtë kontekst është sinjal strategjik i jashtëzakonshëm.

“Kjo nënkupton forcim të rolit të KFOR-it, avancim të FSK-së sipas standardeve të NATO-s dhe frenim real të çdo kërcënimi ushtarak apo hibrid kundër Kosovës”, thekson Elezi.

Në fund, ai vlerëson se ky ligj e ngulit Kosovën në boshtin euro-atlantik të sigurisë.

“Në terma praktikë, Kosova është më e sigurt sot se dje dhe shumë më afër NATO-s se kurrë më parë. Siguria e saj tashmë është pjesë e drejtpërdrejtë e interesit strategjik të SHBA-së”, përfundon Elezi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *