“Ruajuni nga Edi Rama, sidomos kur ai ju përqafon”
Presidentja Vjosa Osmani ditë më parë ka njoftuar se nga Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel u mor vendimi për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta.
Ajo tha se ky hap, ndonëse i vonuar, do të ndikojë pozitivisht në zhbllokimin e fondeve evropiane dhe avancimin e Kosovës në procesin e integrimit në BE.
Profesori Envet Bytyçi, thekson se zhvillimet e fundit – heqja e masave të BE-së, njohja nga Bahamas, ligji i nënshkruar nga SHBA për respektimin e kufijve të Kosovës dhe shtrirja e rendit në veri – janë dëshmi se e drejta e Kosovës po konfirmohet.
Sipas tij, këto nuk janë rastësi, por rezultat i qëndrueshmërisë së institucioneve të Kosovës, i qeverisë dhe i rolit të Presidentes Vjosa Osmani, në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025.
“Bashkimi Europian hoqi masat kundër Kosovës. Një njohje tjetër erdhi gjithashtu nga Bahamas për Kosovën. Më e rëndësishmja është se Presidenti Amerikan, Donald Trump, nënshkroi ligjin me të cilin Kosova njihet dhe respektohet në kufijtë aktualë. Ndonëse Çakorri nuk kthehet më. Në parlamentin e Serbisë ngrihet një deputet serb dhe akuzon Aleksandër Vuçiq për Banjskën. Madje i thotë se ti ndërmjetësove me KFOR-in, që të hapej një koridor e terroristët të iknin, sepse u the atyre se shqiptarët do t’i vrasin! Urat mbi Ibër u ndërtuan. Kryetarët e komunave me shumicë serbe u betuan para flamurit të Kosovës. Një ish-pjestar u MUP-it serb në veri të Kosovës u arrestua, sepse kishte marrë peng një pjestar po të komunitetit serb. Dhe kjo do të thotë se Kosova i mbron edhe qytetarët e saj të etnisë serbe po nga kriminelët e Serbisë!
Çfarë do të thotë e gjitha kjo? Se koha i shëron të gjitha plagët dhe se e drejta vonon, por nuk harron! Të gjitha këto po ndodhin pak kohë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025! A është rastësi? Kush mendon se po, gabohet rëndë. Gjithçka që po ndodh në dobi të Kosovës është domozdoshmëri. Eshtë kthimi i së drejtës në anën e saj. Eshtë konfirmimi i faktit qe qeveria e Kosovës dhe kryeministr i vendit kishte të drejtë edhe atëherë, edhe sot. Eshtë gjithashtu kontribut i jashtëzakonshëm i Vjosa Osmanit, pavarësisht se nuk doja ta shihja nën hijen hipokrite të kryeministrit të Shqipërisë kur ai e lavdëroi presidenten e Kosovës për rolin e saj në samitin e BE-së me krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perendimor në Bruksel para pak ditësh!”, u shpreh ai.
Më tej, profesori, kritikon ashpër qëndrimet e socialistëve shqiptarë, duke thënë se ata shpesh ndërrojnë pozicion sapo zhvillimet për Kosovën bëhen të pakthyeshme, duke u paraqitur si protagonistë e patriotë.
Ai kujton se në vitet ’90 ishin kundër pavarësisë dhe kundërshtuan Ibrahim Rugovën, ndërsa më pas u shpallën aleatë të UÇK-së.
Sipas tij, e njëjta logjikë u pa edhe në Bruksel, ku Edi Rama tentoi të përvetësonte meritat e Vjosa Osmanit, ndonëse kishte mbështetur masat kundër Kosovës, duke bërë thirrje për kujdes ndaj tij.
“Një sqarim: Eshtë në natyrën e socialistëve shqiptarë, që kur shohin se lëvizjet pozitive për Kosovën nuk kanë kthim, ndërrojnë menjëherë xhaketën dhe përpiqen të bëhen protagonistë të ngjarjeve. Madje ikin shpejt nga streha e tyre në Beograd dhe “bëhen patriotë”! Kështu ndodhi në vitet 1990. Deri në fund të vitit 1997 ata ishin kundër pavarësisë së Kosovës. Shpikën dhe përhapën qindra barsoleta anti-kosovare. Madje bënin thirrje që Kosova ta pranojë Beogradin për kryeqytet. Luftuan me çdo mjet kundër Ibrahim Rugovës, i cili nuk hoqi dorë asnjë minutë nga kërkesa e tij për liri dhe pavarësi. Por në momentin kur panë se liria e pavarësia e Kosovës ishin i vetmi opsion i zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb, e kthyen pllakën. Çfarë bënë thoni ju? – U shpallën aleatë të UÇK-së. Pas kësaj e manipuluan atë. Madje e shpallën ideatorin e pavarësisë, Ibrahim Rugovën, tradhtar të Kosovës!
E njëjta strategji ishte dhe ajo e Edi Ramës me Vjosa Osmanin në Bruksel. Donte të bëhej bashkësponsor me presidenten e Kosovës në përpjekjet për heqjen e sanksioneve, kur ishte vetë ai i pari, bashkë me Macron, që vendosën masa kundër Kosovës. Dhe për këtë e ndihëmoi fakti se tutori i tij, pra Vuçiq, nuk ishte prezent në samitin e të mërkurës në Bruksel! Unë kam një apel: – Ruajuni nga Edi Rama sidomos atëherë kur ai ju përqafon! Helmin më të madh kundër jush ai e lëshon në këtë moment!”, theksoi ai.
Në fund, Bytyçi, vlerëson se lajmet e mira për Kosovën janë rezultat i disa viteve qeverisjeje të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, fryt i punës këmbëngulëse të institucioneve të Kosovës. Ai thekson se këto suksese nuk kanë lidhje me ndonjë kontribut të qeverisë së Edi Ramës, për të cilin thotë se ka vepruar kundër Osmanit dhe Kurtit.
Sipas Bytyçit, Kosova sot është më e fuqishme dhe më e konsoliduar ndërkombëtarisht, ndërsa paraqitja e Ramës pranë Vjosa Osmanit është vetëm fasadë dhe intrigë politike.
“Lajmet shumë të mira për Kosovën të ketyre kohëve janë investim i disa viteve të qeverisjes së Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Janë suksesi i punës këmbngulëse dhe jokonformiste në dëm të interesave të vendit. Janë fryt i përpjekjeve dhe përkushtimit të qeverisjes dhe institucioneve qeverisëse të Kosovës. Që do të thotë se nuk janë aspak produkt i ndonjë kontributi të veçantë të qeverisë së Edi Ramës dhe as të bashkëpunëtorëve të tij në Prishtinë. Rama dhe ata që e ndjekin nga pas në Prishtinë kanë investuar fuqi politike e madje financiare lobuese kundër Vjosa Osmanit dhe Aëbin Kurtit.Nuk them se ata e kanë bërë këtë për llogari të Serbisë së Aleksandër Vuçiq. Por me naivitet janë kompleksuar nga djallëzitë e vëllait të Vuçiq në Tiranë!
Kosova sot po duket shumë më e fuqishme dhe më e konsoliduar sesa para pesë vitesh. Kosova po ze vend si e barabartë dhe pas fissnota në bashkësinë ndërkombëtare. Vende të mëdha e të fuqishme po e njohin pavarësinë dhe shtetësinë e saj, duke iu rikthyer një normaliteti edhe në diplomaci. Imagjino sikur Edi Rama ta përdorte fuqinë e tij diplomatike për Kosovën, Shqipërinë dhe jo për pushtetin e tij personal! Kosova do të ishte dy herë më e suksesshme. Por fatkeqësisht Edi Rama është, siç e ka thënë Michael Martens i Frankfurter Allgemeine Zeitung, “kryeministri më i mirë i Serbisë që nga koha e Pashiqit”! Prandaj dhe shou i tij në skenën me Vjosa Osmanin është fasadë dhe intrigë, – përfundon ai për “Bota sot”.
