OPINIONTË FUNDIT

SHBA armatos Kosovën me fuqi zjarri: FSK kalon në nivel tjetër, Beogradi alarmohet!

Vitet e fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.

E së fundi, Kosova nënshkroi marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm.

Këtë e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci përmes një shkrim në Facebook.

Maqedonci theksoi se “me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.

Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.

Kujtojmë se, kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee.

Kurse, prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova pritet t’i pranojë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme.

Përveç sistemeve së artilerisë lëvizëse HUMAVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.

“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident ekzekutiv për Zhvillim Biznesi në AM General.

HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila mundëson integrimin e një topi 105 mm mbi platformën e fortë dhe të dëshmuar në fushëbetejë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet e tërhequra tradicionale.

E në lidhje me këtë çështje folën ekspertët e sigurisë, derisa treguan rëndësinë e madhe kjo marrëveshje Kosovë-Serbi.

Hoxha: Kosova pozicionohet qartë në kampin perëndimor.

Si fillim, për këtë temë, për “Bota sot” foli ish-ushtaraku Hafir Hoxha, ku sipas tij, blerja e këtij armatimi nga SHBA, ka disa efekte të drejtpërdrejta.

ImageIsh ushtaraku, Hafir HoxhaFoto galeri
Në këtë rast, ai përmendi edhe forcimin dhe kalimin e ushtrisë së Kosovës, në një ushtri funksionale.

Madje, tha se armatimi në fjalë, bën një balancë jo vetëm numerike, por edhe psikologjike në raport me kundërshtarët e Kosovës.

“Blerja e HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Hoëitzer nga AM General (SHBA) ka disa efekte të drejtëpërdrejta:

Kalim nga ushtri simbolike në ushtri funksionale.

FSK/Ushtria e Kosovës po kalon nga kapacitete kryesisht mbrojtëse-infanterie në kapacitete me fuqi reale zjarri, me mobilitet dhe goditje në distancë.

Artileria mobile rrit deterrencën (parandalimin), rrit autonominë operacionale pastaj besueshmërin ushtarake të shtetit.

Ky armatim krijon ndryshim të balancës psikologjike, jo domosdoshmërisht numerike”, deklaroi ish-ushtaraku.

Krahas kësaj, Hoxha tha se me këto lloj përforcimesh, Kosova po i dërgon mesazh Serbisë se nuk është e pambrojtur, apo e varur vetëm nga aleatët e saj.

Po ashtu, ai tregoi edhe arsyet se pse Beogradi po e kundërshton një gjë të tillë.

“Kosova me perforcimin e ushtrisë dhe shtetit nuk po kërkon rival apo epërsi ndaj Serbisë, por po e ngrit koston e çdo aventure ushtarake kundër saj dhe po e bën të qartë Serbisë se nuk është më hapësirë e pambrojtur ose e varuar vetëm nga aleatët e saj.

Kjo është arsyeja pse Serbia e kundërshton fortë këtë zhvillim – jo sepse Kosova po rrezikon rajonin, por po e humbë monopolin e frikës, Serbisë po i mbyllet hapësira për presion ushtarak dhe shantazh politik.

Kundërshtimi i Serbisë buron nga tri arsye kryesore:

Goditje ndaj narrativës së saj shtetërore Serbia për vite ka ndërtuar tezën: “Kosova nuk është shtet funksional dhe nuk mund të ketë ushtri.”

Çdo kontratë me SHBA e rrëzon këtë tezë dhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Për Serbinë është humbje e ushtrimit së presionit.

Një Kosovë me artileri mobile, trajnime perëndimore, logjistikë dhe mirëmbajtje sipas standardeve të NATO-s nuk frikësohet më nga kërcënimi ushtarak, prandaj edhe dialogu nuk mund të imponohet me presion sikur vepron Serbia tërë kohën, prandaj Serbia detyrohet të negociojë politikisht, jo me forcë.

Serbia ka frikë nga integrimi euroatlantik sepse çdo kontratë strategjike me SHBA, çdo standard NATO në ushtrinë e Kosovës është një hap larg ndikimit rus dhe një hap afër Perëndimit”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, ish-ushtaraku, foli edhe për ndikimin e kësaj kontrate në aspektin gjeostrategjik, e që sipas tij, një gjë e tillë e forcon edhe më shumë raportin SHBA-Kosovë.

“Kjo kontratë ka ndikim në gjeostrategjinë globale, në plan më të gjerë, kjo blerje e forcon boshtin SHBA–Kosovë, Kosova po shihet si partner i besueshëm, si faktor stabiliteti, si pikë strategjike në Ballkanin Perëndimor.

Në një kohë kur Rusia kërkon destabilizim, Kina zgjeron ndikim ekonomik, Ballkani mbetet zonë sensitive.

Kosova pozicionohet qartë në kampin perëndimor.

Mesazhi është i qartë se Kosova nuk po armatoset kundër askujt, por po integron veten në arkitekturën perëndimore të sigurisë”.

Ndër të tjera, Hoxha shtoi se, përmes këtyre përforcimeve, Kosova po i afrohet edhe më shumë antërarësimit në NATO.

“Kosova me këto perforcime në mënyrë graduale dhe të mençur i aftohet anëtarësimit në NATO sepse posedon doktrinë dhe pajisje amerikane, trajnim sipas doktrinës NATO, ndërveprueshmëri teknike dhe operative bashkëpunim i ngushtë me SHBA, Britani, Turqi, etj.

Logjike se do të ketë pengesa formale nga disa shtete të NATO-s në dinamikën e politikës ndërkombëtare.

Historikisht ushtritë integrohen para politikës.

Dhe Kosova është pikërisht në këtë fazë”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Softa: Nënshkrimi i kontratës me “AM General” shënon një kapitull të ri për sigurinë e Kosovës

ImageEksperti i sigurisë, Fatjon SoftaFoto galeri
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm strategjik.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” u shpreh se nuk është vetëm investim ushtarak, por edhe sinjal i qartë politik.

“Nënshkrimi i kontratës kornizë mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe kompanisë amerikane “AM General” përbën një hap strategjik dhe me rëndësi të shumëfishtë për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ky nuk është thjesht një investim në mjete ushtarake, por një sinjal i qartë politik, ushtarak dhe gjeostrategjik”.

Krahas kësaj, Softa shtjelloi tri aspektet e rëndësishme të kësaj kontrate, derisa përmendi edhe peshën politike e strategjike.

Përveç kësaj, ai tha se kjo e forcon raportin Kosovë-SHBA, si dhe ndikon në modernizimin e FSK-së.

“Së pari, kjo kontratë e vendos Forcën e Sigurisë së Kosovës në një nivel të ri profesionalizimi dhe standardizimi, duke e afruar më shumë me doktrinën, pajisjet dhe praktikat e NATO-s. Pajisjet e prodhuara nga “AM General”, të njohura globalisht për qëndrueshmëri dhe përdorim nga ushtria amerikane dhe aleatët e saj, rrisin ndjeshëm kapacitetet operacionale, lëvizshmërinë dhe mbrojtjen e trupave të FSK-së.

Së dyti, marrëveshja ka një peshë të fortë politike dhe strategjike, pasi forcon partneritetin e drejtpërdrejtë të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një kontekst rajonal delikat dhe me tensione të vazhdueshme, ky bashkëpunim jep një mesazh të qartë se siguria e Kosovës mbështetet nga aleati kryesor strategjik, duke vepruar edhe si faktor parandalues ndaj çdo kërcënimi potencial per Kosove

Së treti, ndikimi i kësaj kontrate pritet të jetë afatgjatë. Kjo kontrate krijon bazën për modernizim të qëndrueshëm të FSK-së, rritje të kapaciteteve për misione mbrojtëse, reagim ndaj krizave, por edhe për pjesëmarrje më aktive në misione ndërkombëtare paqeruajtëse. Kjo e pozicionon Kosovën si një aktor më serioz dhe më të besueshëm në arkitekturën rajonale të sigurisë”, shtjelloi ai.

Në fund, eksperti shtoi se, ky është një kapitull i ri për sigurinë në vend.

“Nënshkrimi i kontratës me “AM General” shënon një kapitull të ri për sigurinë e Kosovës, ku investimi në mbrojtje, partneriteti strategjik me SHBA-të dhe orientimi euroatlantik ndërthuren për të garantuar stabilitet, siguri dhe sovranitet më të forte”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *