Mehmeti: Zgjedhjet e 28 dhjetorit, më të paparashikueshme se kurrë – diaspora mbetet vendimtare
Analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të ndikohet nga disa faktorë kyç, duke e bërë garën më të hapur dhe më pak të parashikueshme se në proceset e kaluara.
Sipas tij, klima politike, performanca e qeverisjes aktuale dhe lodhja elektorale pas një periudhe relativisht të shkurtër mes dy palë zgjedhjesh do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vullnetin e votuesve.
“Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të jetë i ndikuar nga disa faktorë kyç, përfshirë klimën politike, performancën e qeverisjes dhe lodhjen elektorale pas një periudhe relativisht të shkurtër mes dy palë zgjedhjesh”, vlerëson Mehmeti.
Ai thekson se diaspora mbetet një element i rëndësishëm dhe potencialisht vendimtar në këtë proces zgjedhor, veçanërisht nëse mobilizimi i saj është i lartë dhe i organizuar, ashtu siç është parë në zgjedhjet e fundit.
“Diaspora mbetet një element i rëndësishëm dhe potencialisht vendimtar, sidomos nëse mobilizimi i saj është i lartë dhe i organizuar, siç kemi parë në proceset e fundit zgjedhore. Megjithatë, roli i saj do të varet nga pjesëmarrja konkrete dhe nga mënyra e shpërndarjes së votës”, shprehet ai.
Sa i përket mundësisë së përsëritjes së rezultatit të zgjedhjeve të kaluara, Mehmeti thotë se kjo nuk përjashtohet, por nënvizon se konteksti aktual politik paraqet dallime të qarta.
“Përsëritja e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara nuk përjashtohet, por konteksti aktual paraqet dallime të dukshme: pritjet e qytetarëve janë më të larta, kritika më të artikuluara dhe skena politike më dinamike”, thekson Mehmeti.
Në këtë kuadër, Mehmeti përfundon se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më konkurruese dhe me rezultat më të hapur se herët e kaluara.
“Kjo e bën rezultatin më të hapur dhe më pak të parashikueshëm sesa herët e kaluara”, përfundon Faton Mehmeti.
