Zeqiraj: LDK-ja mes trashëgimisë së Rugovës dhe rrezikut të rikthimit të gabimeve fatale
Publicisti Idriz Zeqiraj vlerëson se Lidhja Demokratike e Kosovës, kur flet për numrin zgjedhor 123 si “listë me vlera dhe integritet”, është në përputhje me traditën e saj historike, pasi këto vlera, sipas tij, nuk i kanë munguar asnjëherë kësaj partie.
Megjithatë, Zeqiraj thekson se pas vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, brenda LDK-së nisën përplasjet për pushtet, të shoqëruara me klane, hile dhe përjashtime të qëllimshme, që çuan në largimin e shumë rugovistëve të devotshëm dhe të përkushtuar ndaj kauzës rugoviane.
“Pas amshimit të kryezotit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, klanet në luftë për pushtet, me bërrylime dhe hile, i anashkaluan e deri i larguan shumë nga rugovistët më të përkushtuar. Për çudi, edhe pse ky klan përçarës është zbuluar dhe diskredituar në sytë e anëtarësisë, ai vazhdon të mbijetojë, i kapur pas pushtetit partiak, sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, shprehet Zeqiraj.
Ai vlerëson se ka ardhur momenti që kjo gjendje të ndalet, duke e cilësuar atë si “metastazë” në trupin e një partie që dikur ishte krenaria politike e Kosovës.
