TË FUNDIT

“Turistët” politikë që tronditën skenën – A po shndërrohet politika në treg interesash?

Kush ka hyrë me PDK-në i lagur ka dalë”, kështu kishte shkruar Eman Rrahmani, ish- deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe tashmë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Rrahmani i cili së bashku me Visar Korenicën, kishin krijuar Listën/ Koalicioni për Familjen dhe garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk kaluan as pragun për të hyrë në Kuvend.

Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: Koalicioni për Familjen mori rreth 2.13 % të votave në total në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Por, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme deputetët që krijuan këtë listë kanë vendosur të mos rrezikojnë dhe kanë zyrtarizuar bashkimin e tyre në koalicion para zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.

Eman Rrahmani tashmë ka hyrë në top dhjetëshen e listës së Partisë Demokratike të Kosovës për karrigen e deputetit, ndërsa prapa nuk e ka lënë as Visar Korenicën i cili është po ashtu në këtë listë.

Analistët politikë thonë se këta “turistë” shkaktojnë zhgënjim te qytetarët si dhe nëse kanë pretenduar se kanë ruajtur vlera atëherë do të duhej t’i ruanin ato.

Ruajtja e vlerave dhe jo pjesë e listave për nevoja personale

Analisti Adnan Qaka, thotë se skena politike në Kosovë po shndërrohet në një treg interesash.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Qaka rastin e Rrahamit dhe Korenicës e konsideron të tillë, që është për kalkulime të ngushta.

Sipas tij, lëvizjet e tilla pa shpjegim të argumentuar vetëm e rrisin ndjenjën e zhgënjimit te qytetarët.

“Skena politike në Kosovë fatkeqësisht po shndërrohet në një treg interesash, ku lëvizjet e deputetëve nga një subjekt në tjetrin bëhen më shumë për arsye personale sesa mbi parime politike. Idealisht, kalimet partiake janë normale në demokraci, por ato duhet të bazohen në bindje, jo në kalkulime të ngushta. Rasti i ish-deputetëve të VV-së, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, të cilët tani gjenden në listën e PDK-së, është shembull domethënës i këtij fenomeni. Gjatë kohës sa ishin në VV, ata kishin qenë ndër kritikët më të ashpër të PDK-së, duke e akuzuar për dëme ndaj shtetit, korrupsion, humbje të territoreve dhe ndikim serb në vend. Madje, në korrik 2019, vetë Eman Rrahmani kishte deklaruar publikisht: “Kush ka hyrë me PDK-në, i lagur ka dalë.” Sot, ai vetë bëhet pjesë e kësaj liste, pa një arsyetim të qartë e bindës para qytetarëve. Fenomen i ngjashëm është edhe rasti i Abdullah Klinakut, i cili në zgjedhjet e fundit ishte në koalicion me AAK-në, duke pasur në fokus kundërshtimin e Kodit Civil. Tani ai i bashkohet listës së VV-së, pikërisht partisë që e kishte kundërshtuar ashpër në këtë çështje. Lëvizje të tilla pa shpjegim të argumentuar vetëm e rrisin ndjenjën e zhgënjimit te qytetarët. Duhet pranuar se PDK, AAK dhe LDK kanë kontribuar në shtet ndërtim, por gjithashtu kanë pasur përgjegjësi të mëdha në dobësimin ekonomik, korrupsion, humbjen e besimit publik, e madje edhe në rritjen e ndikimit serb”, deklaron Qaka.

Ata që pretendojnë të mbrojnë vlera, qofshin fetare apo kombëtare, duhet t’i ruajnë parimet e tyre, thotë Qaka, gjersa shton se kjo ruhet duke mos u bërë pjesë e listave të asnjë partie vetëm për interes personal.

“Në anën tjetër, edhe VV, ndonëse ka sjellë disa suksese – sidomos në fushën e sigurisë – po përsërit gabimet e pushteteve të mëparshme, me mungesë vizioni ekonomik dhe me rritje të pakënaqësisë qytetare. Për mua, problemi thelbësor nuk lidhet vetëm me partitë politike, por me mungesën e parimeve. Sidomos kur disa individë paraqiten si besimtarë, por veprojnë në kundërshtim me vlerat e drejtësisë, ndershmërisë dhe interesit kombëtar. Në mësimet islame është parim themelor të mos rreshtohesh me padrejtësinë. Nëse dikush pretendon se është besimtar, por mbështet struktura të cilat vetë i ka akuzuar për korrupsion apo dëm ndaj shtetit, atëherë kjo përbën hipokrizi morale dhe politike. Unë besoj se qytetarët nuk duhet të votojnë dikë vetëm sepse falet, por dikë që ka frikë Zotin në kuptimin e vërtetë të drejtësisë: që vepron me ndershmëri, nuk bëhet pjesë e padrejtësive dhe nuk e përdor fenë për përfitime personale. Besimtari i sinqertë nuk bëhet vegël e zullumit dhe nuk tradhton interesin publik. Për këtë arsye, mendoj se ata që pretendojnë të mbrojnë vlera, qofshin fetare apo kombëtare, duhet t’i ruajnë parimet e tyre dhe të mos bëhen pjesë e listave të asnjë partie vetëm për interes personal. Vetëm kështu mund të ndërtohet besimi i qytetarëve dhe një politikë e shëndoshë për vendin”, shprehet analisti.

Lëvizje të ngjashme politike sikur të Rrahmanit e Korenicës, ka pasur edhe në parti tjera.

Andin Hoti, deputet i PDK-së këto zgjedhje garon në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa edhe Ardian Kastrati, deputet i PDK-së në këto zgjedhje garon në AAK.

Turistët “e dështuar” dhe zhgënjimi i qytetarëve

Analisti Gani Qarri, konsideron se tregtia që zhvillohet me njerëz si Eman Rrahmani e Visar Korenica, nuk është e shëndetshme për PDK-në dhe asnjë parti tjetër.

“Në fakt Kosova është shtet evropian sekular, ndaj profilizimi i partive politike me mbetjet ekstreme të pretendimeve fetare, që kanë dështuar në të gjitha testimet, më duket politikisht e padenjë dhe moralisht e pre ekspozuar për dështim, ndryshe në një vend evropian si Kosova, mbushja e zbrazëtive me mbetjet e dështuara teknologjike, më duket aventurë e rrezikshme, ngase element të tillë zhgënjyes, derisa spastrojnë partinë nga e cila ikin, stërngarkojnë politikisht por dhe psikologjikisht segmentin të cilit në aksham pazaret e orëve të fundit, i bashkohen, duke përfituar pa asnjë meritë edhe nominimin si kandidatë për deputet, gjë që është shumë irrituese edhe për votuesit. Shndërrimi i skenës politike të Kosovës, pak para zgjedhjeve të reja në një treg të formës së “aksham pazar-it”, “alla-turka” ku deputetët ndërrojnë parti sipas interesit personal dhe jo sipas parimeve dhe ideve politike, veçanërisht kur tregtia zhvillohet me njerëz si Eman Rrahmani e Visar Korenica nuk është e shëndetshme për PDK dhe asnjë parti tjetër”, deklaron Qarri.

Sipas tij, argumenti se PDK ka rezervuar vende edhe për kandidatët e dështuar e të ardhur si turistë, që janë vërtetuar se janë zhgënjyes edhe për votuesit, vërtetë po shkaktojnë tërmet të papërshkrueshëm në vullnetin e qytetarëve.

“Dy ish eksponent të dështuar të LVV-së, të cilët pasi u zhgënjyen keq, me veprimet e veta të pamatura aventureske, herë duke iu bashkuar një partie si LVV me pretendime për bashkim kombëtar, herë duke u shkëputur nga VV, për të krijuar një subjekt islamiko -fetar, për të dështuar edhe më keq edhe aty, e së fundi të njëjtit të kalojnë në listën e PDK-së, madje të nominuar edhe për deputetë, ani pse jo fort moti, po këtë parti-vet ata të dy, e akuzonin publikisht, për “politikë të vjetër”, nuk besojë se me njerëz të tillë dhe prova të këtij lloji, PDK do të forcohet, as të fitoj vota nga qytetarët. Argumenti se parti si PDK kanë rezervuar vende brenda radhëve të saj edhe për kandidatët e dështuar të ardhur si turistë në minutat e fundit, nga parti tjera, pa asnjë meritë as angazhim politik për këtë parti, përfshi edhe emra, që është vërtetuar se janë shumë zhgënjyes edhe për votuesit, si Eman Rrahmani e Visar Korenica, apo ndonjë tjetër me të kaluar penale e përndjekje gjyqësore, vërtetë po shkaktojnë tërmet të papërshkrueshëm në vullnetin e qytetarëve edhe për të dalë në votime”, pohon analisti.

Mos shfaqja e partive para qytetarëve me planprograme, por me fushatë propagandistike, sipas Qarrit, krijojnë realitete të rreme që lënë shumë për të dëshiruar dhe zhgënjejnë pritshmërinë e qytetarëve.

“Sikur mos të mjaftonte e vërteta se mjerisht asnjëra nga partitë politike nuk shfaqen para qytetarëve me planprograme e projekte të avancuara për zhvillimin e arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë së vendit, përkundër premtimeve për freskimin e listave të kandidatëve për deputet, me kandidatë si Eman Rrahmani, Visar Korenica, ato përveç fushatave të natyrës propagandistike, po krijojnë edhe realitete të rreme të cilat lënë shumë për të dëshiruar dhe zhgënjejnë rëndë pritshmërinë e qytetarëve për përbërjen e parlamentit të ardhshëm të Kosovës, si dhe krijon shqetësime serioze edhe për sigurinë politike të vendit. Prandaj, kjo përpos që është një paturpësi groteske e të dy këtyre manipuluesve pa kaçik politik, është edhe nëpërkëmbje e rëndë nga vet partitë politike e shpresës së qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk mund të mashtrohen kaq lehtë, nga transferet e “aksham-pazareve” të tepricave teknologjike, kur dihet mirëfilli nga të gjithë, se si Eman Rrahmani edhe Visar Korenica janë ata që brenda pak vitesh kanë ndërruar të paktën 3 herë kostumet partiake, derisa sjelljet e qëndrimet e tyre mbeten po ato dhe ata duke ngelur jashtë parlamentit, shëtisin nga partia në parti, me shpresën se nga subjekti ku aderojnë do të shkëpusin ndonjë votë, sa për tu rikthyer serish në parlament, gjë që duket shumë e pabesueshme dhe akt që shkakton neveri e përçmimin më të ulët ndaj inteligjencës politike të votuesve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ndërsa adresa e fajit, kësaj radhe gjendet pikërisht te PDK”, përfundon Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *