“Lodhja” nga zgjedhjet e shpeshta, rreziku i fshehtë për përfaqësimin e qytetarëve!
Data e zgjedhjeve të reja parlamentare, tanimë veçse dihet dhe ajo është 28 dhjetorit.
Në këto zgjedhje, Kosova përballet sërish me sfidën e nivelit të pjesëmarrjes së qytetarëve.
Pas një viti të mbushur me procese zgjedhore të shpeshta, pyetja që shtrohet është: a do të jenë qytetarët të lodhur dhe të tërhequr nga kutitë e votimit?
Lodhja nga zgjedhjet e vazhdueshme mund të ndikojë jo vetëm në pjesëmarrjen, por edhe në mënyrën se si qytetarët bëjnë zgjedhjet e tyre, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e vërtetë të interesave qytetare dhe për vendimmarrjen politike që rrjedh prej tyre.
Krahas kësaj, situata në Kosovë pasqyron tensionet midis nevojës për stabilitet politik dhe lodhjes së qytetarëve nga proceset zgjedhore të vazhdueshme.
Pjesëmarrja e ulët nuk është thjesht një shifër statistikore; ajo ka ndikim të drejtpërdrejtë në legjitimitetin e vendimmarrjes, në stabilitetin e institucioneve dhe në besimin e qytetarëve tek demokracia.
Në këtë kontekst, roli i partive politike bëhet vendimtar: si mund të motivojnë ata qytetarët që të rikthehen në votim dhe të garantojnë një proces zgjedhor që reflekton realisht vullnetin e popullit?
Zogaj: Më 28 dhjetor nuk do të jetë lehtë, kjo për shkak të rrethanave mjaft shqetësuese në të cilat ndodhet Kosova
E për këtë temë, për “Bota sot” foli Skënder Zogaj.
Fillimisht, ai u shpreh se mospjesëmarrja në zgjedhje nuk është rrezik, por vetëdije e qytetarëve, të cilët nuk iu imponohen proceseve qëllimkëqija.
“Pjesëmarrja në zgjedhje, në të gjitha zgjedhjet në rrethanat demokratike, janë vullnet i lirë i veprimit të shtetasve dhe, kurrë nuk paraqet rrezik, pra nuk mund të konsiderohet rrezik, nëse partitë politike dhe institucionet shtetërore nuk kanë ndërmjetësuar për të imponuar kërkesa të interesit të tyre. Në rastet e këtilla mospjesëmarrja nuk është rrezik por është vetëdije e lartë dhe ndërgjegje kombëtare e shtetërore, sepse paraqet diferencimin për të mos qenë pjesë e proceseve të montuara dhe qëllimkëqija!” – shtjelloi ai.
Pavarësisht kësaj, Zogaj vlerëson se dalja në këtë zgjedhje do jetë e lartë, ndonëse këtë vit janë mbajtur disa procese zgjedhore.
Megjithatë, ai u shpreh se më 28 dhjetor nuk do të jetë lehtë, kjo për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet Kosova.
“Unë nuk besoj se në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të mungojë pjesëmarrja e duhur në zgjedhje! Nuk do të mungojë pjesëmarrja sepse, vendi është në rrezik dhe, elektoratet e të gjitha subjekteve politike do të kryejnë obligimin e tyre më të shenjtë- të zgjedhin njerëzit që duhet të na përfaqësojnë ne dhe shtetin e Kosovës! Votuesit kësaj here në mënyrë të veçantë e ka në për detyrë që të shprehin vullnetin e tyre për mënyrën e funksionimit të shtetit dhe cilësinë e përfaqësuese të popullit. Kjo detyrë e shenjtë, më 28 dhjetor nuk do të jetë e lehtë, për shkak të rrethanave mjaft shqetësuese në të cilat ndodhet Kosova”.
Ndër të tjera, publicisti kërkoi nga votuesit që të ndëshkojnë të degjeneruarit dhe të votojnë për përfaqësues të denjë.
“Partitë politike e kanë vetëm një obligim: të tregojnë qetësisht se çka e kanë në plan të bëjnë dhe sa janë të gatshme ta ndryshojnë qëndrimin mjaft të ngushtë të koncepteve qeverisëse, dhe të ndryshimit të veprimeve perverze, të individëve dhe grupeve përfituese që e kanë molisur Kosovën në 25 vitet e të qenit në liri! Votuesit duhet të dalin dhe të ndëshkojnë të degjeneruarit dhe të zgjedhin përfaqësuesit real, të denjë dhe të përkushtuar për shtet e jo për pushtet!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Nimani: Ekziston rrezik i qartë që pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të bie
Ndërsa, Artan Nimani nga NISMA, parashikon se mund të ketë dalje më të ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se kjo gjë mund të ndikojë edhe në përfaqësim dhe vendimmarrje politike.
“Po, ekziston rrezik i qartë që pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të bie. Zgjedhjet e shpeshta gjatë vitit kanë lodhur qytetarët dhe kjo sjell apati, hezitim dhe ulje të motivimit. Kur pjesëmarrja bie, edhe vendimmarrja politike deformohet: përfaqësimi nuk është real dhe rezultati ndikohet nga një numër më i ngushtë votuesish, jo nga shumica e vërtetë”.
Krahas kësaj, Nimani potencoi se NISMA është aktive dhe po punon në rikthimin e energjisë te votuesit.
Ndër të tjera, ai tregoi edhe qëllimin kryesor që kanë si parti.
“Nisma është aktive çdo ditë në teren dhe do të bëjmë çmos që qytetarët të mos e humbin motivimin. Ne po punojmë fort për t’ua rikthyer energjinë votuesve, me komunikim të drejtpërdrejtë, qasje konkrete dhe me prezencë të vazhdueshme në çdo komunë. Qëllimi ynë është i qartë: të hyjmë në këto zgjedhje sa më fuqishëm dhe t’u japim qytetarëve arsye reale për të votuar”, përmbylli Artan Nimani.
