Sulm i ulët ndaj Presidentes: Krasniqi demaskon autorin e fotomontazhit skandaloz
Ish-deputetja, Vasfije Krasniqi ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie të manipuluar, e cila u përdor për të sulmuar Presidenten Vjosa Osmani, kinse kjo e fundit shihej në krah me Brnabiqin dhe Gjuriqin.
Në një deklaratë të publikuar sot, Krasniqi kritikoi ashpër autorin e montazhit, duke e akuzuar për shpifje, manipulim dhe propagandë të qëllimshme kundër figurave udhëheqëse të shtetit.
Ajo theksoi se përhapja e materialeve të tilla nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes, por paraqet një akt keqdashjeje që cenon institucionet dhe opinionin publik.
Postimi i plotë
Si është e mundur që një njeri që njihet për fotot montazh, për mashtrime vizuale dhe shpifje publike, tash paska guximin të merret me Presidenten Vjosa Osmani?
E njëjta dorë që dikur kërcënonte Albin Kurtin, sot prodhon montazhe të ulëta për të sulmuar figurën më të lartë shtetërore.
Dhe e din çka është më keq?
E din që fotoja është montazh. E din që është manipulim. Por e ndotë publikun me të, vetëm që ta ushqejë urrejtjen e vet të vjetër.
Kjo nuk është liri e shprehjes. Kjo është ligësi. Sojit të Nuredinëve.
Po i njohim tashmë.
Janë ata që s’i duan as shtetin, as institucionet, as kombin.
Ata që për një klikim janë gati me shkel mbi dinjitetin e vet dhe të tjerëve.
Shteti dhe e vërteta s’duhet me hesht para këtyre manipulimeve.
Ky s’mund të quhet as kritik, as analist, as qytetar i përgjegjshëm.
Ky është thjesht një shembull se ku mund të përfundojë një shpirt i mjerë kur ia shet moralin urrejtjes.
