Raporti i IKD-së: Prokuroria ka regres në trajtimin e korrupsionit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten gjetjet mbi ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, tha se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, përkatësisht vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.
Ai theksoi se gjatë nëntëmujtorit e parë të vitit 2025, nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë.
Sipas Shalës, situata qëndron ndryshe në vitin 2024 ku nga 7 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, asnjë prej tyre nuk është akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur pozitën zyrtare, ashtu që të gjithë këta persona janë akuzuar si ish-zyrtarë. Ai tha se Prokurori i Shtetit më 2024 dhe 2025, ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar.
Ai po ashtu tha që se Prokurori i Shtetit nuk i kushton vëmendje të nevojshme luftimit të korrupsionit përmes sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
“Gjatë periudhës 2024–2025, nga gjithsej 36 aktakuza të ngritura nga Prokurori i Shtetit, të analizuara për qëllime të draftimit të këtij rasti, në vetëm shtatë (7) raste është bërë kërkesë për sekuestrim ose konfiskim të pasurisë së përfituar me vepër penale, ndërsa në 29 raste një kërkesë e tillë nuk është bërë. Shprehur në përqindje, rezulton se vetëm 19% të aktakuzave Prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë së përfituar me vepër penale, ndërsa 81% e aktakuzave janë ngritur pa një propozim të tillë”, tha Shala.
Ai gjithashtu theksoi se Prokuroria e Shtetit ka pësuar regres në kuptim të ngarkesës me lëndë të korrupsionit.
“Në kuptim të ngarkesës me lëndë, kjo situatë paraqet regres në efikasitetin e trajtimit të rasteve të korrupsionit nga ana e Prokurorit të Shtetit. Bazuar në statistikat e Prokurorit të Shtetit, ky institucion e ka filluar vitin 2024 me 583 lëndë, në të cilat bëjnë pjesë 1650 persona. Ndërsa, në fund të nëntë (9) mujorit të parë të vitit 2025, numri i rasteve është ngritur në 880, në të cilat raste janë të përfshira 2232 persona”, tha hulumtuesi Shala.
Afrim Shala, gjykatës në Gjykatën Supreme, vlerësoi se “sistemi gjyqësor ka arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm dhe ulje të numrit të rasteve të pazgjidhura”.
Në tryezën e diskutimit të organizuar nga IKD, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, Shala shtoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në vitin 2022 hartoi një Plan Strategjik për trajtimin e rasteve të korrupsionit, ku trajtimi i këtyre rasteve ka qenë prioritet i kryetarëve të gjykatave. Ai theksoi se monitorimet e mëparshme kishin evidentuar sfida.
“Në vitin 2022 kishim përshtypje negative sepse gjykatat nuk i trajtonin rastet e korrupsionit me prioritet, por nga viti 2022 e tutje kemi parë progres të theksuar”, tha gjykatësi Shala.
Afërdita Bytyqi, gjykatëse në Gjykatën e Apelit, deklaroi se lëndët e korrupsionit në këtë gjykatë trajtohen “maksimumi brenda tre muajve”, duke garantuar efikasitet dhe përgjegjshmëri. Ajo shtoi se vonesat e rasteve 2017-2018 lidhen me kompleksitetin e lëndëve dhe procedurave të mëparshme: “Flitet për numër të vogël 3-4 lëndë të cilat vijnë nga shkalla e parë. Në Gjykatën e Apelit, maksimumi lëndët e korrupsionit trajtohen brenda tre muajve, dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të zgjasin deri një vit”.
Prokurori Zef Prendrecaj vlerësoi raportin si një mjet të rëndësishëm të transparencës dhe llogaridhënies: “Ne i mirëpresim gjetjet dhe konstatimet nga raporti si pjesë të monitorimit publik, që ndihmon forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e performancës së Prokurorisë”.
Ndërsa, Arian Gashi, prokuror dhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, theksoi se vetëm 48% e aktakuzave për korrupsion kanë kaluar në gjykata gjatë vitit 2024, ndërsa deri në shtator 2025 ka pasur një rritje në 60%.
“Kjo është sfida kryesore, sepse krahasuar me rastet tjera penale, ku mbi 90% e aktakuzave kalojnë, tek lëndët e korrupsionit nuk arrijmë as 50%. Duhet të kuptojmë pse këto aktakuza nuk kalojnë si të tjerat dhe si mund të përmirësojmë procesin”, tha Gashi.
Avokatja Albulena Ukimeri kritikoi trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.
“Ndjekja penale e profilit të lartë mbetet në periferi, ndërsa rastet e mesme dhe të ulëta janë në fokus. Çdo vonesë nuk është thjesht statistikë, por humbje e besimit të publikut dhe dështim për qytetarët”, tha Ukimeri.
Ndërsa, Alfons Lentz, nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se pavarësisht progresit në trajtimin e rasteve të korrupsionit, “rasteve të nivelit të lartë korruptiv nuk u kushtohet vëmendja e duhur”. Ai shtoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mungesën e Strategjisë kundër korrupsionit: “Nuk e kemi Strategjinë Antikorrupsion me të gjitha politikat dhe mjetet e nevojshme, dhe kjo pengon adresimin e rasteve më të ndërlikuara të korrupsionit”.
Në tryezë u diskutua po ashtu në lidhje me provat që prokuroria përdor në aktakuzat e ngritura si dhe për pranueshmërinë e tyre nga Gjykata.
Publikimi i këtij raporti shërbeu si tryezë diskutimi ofroi mundësi për reflektim mbi sfidat dhe progresin e sistemit gjyqësor në trajtimin e korrupsionit, si dhe për identifikimin e masave konkrete për përmirësim të ndjekjes dhe gjykimit të këtyre rasteve.
