TË FUNDIT

LDK pa kandidatin më të votuar nga Diaspora, Çekaj tregon arsyen e tërheqjes nga lista zgjedhore

Veprimtari i mërgatës dhe ish-kandidati më i votuar nga diaspora në zgjedhjet e fundit, djali i heroit Sali Çekaj, Hysen Çekaj, ka njoftuar se këtë herë nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Në një deklaratë drejtuar familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, Çekaj theksoi se vendimi i tij vjen për shkak të përgjegjësive familjare, veçanërisht përkujdesjes ndaj nënës së tij.

Megjithatë, Çekaj thekson se angazhimi i tij politik nuk ndalet. Ai deklaron se do të vazhdojë të mbetet aktiv në organizimin e mërgatës dhe në mbështetje të LDK-së, të cilën e cilëson si forca që mund të sjellë ndryshimin e domosdoshëm për vendin.

Çekaj falënderoi qindra qytetarë për mesazhet, telefonatat dhe mbështetjen, duke kujtuar se pikërisht kjo përkrahje e bëri kandidatin më të votuar nga mërgata në zgjedhjet e kaluara. Ai premton rikthim edhe më të fuqishëm në garat e ardhshme dhe në angazhimin e tij për LDK-në dhe Kosovën.

Postimi i plotë:

Të nderuar familjar, miq e bashkëpunëtorë,

Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota – ato nuk më kanë munguar kurrë. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës.

Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi – mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar. Përmes kësaj deklarate, dua t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë, Kosova jonë, ka aq shumë nevojë.

Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehem edhe më fuqishëm, si në garë ashtu edhe në angazhimet e drejtpërdrejta për LDK-në dhe për Kosovën.

Ju falënderoj për qindra mesazhe, telefonata e shqetësime të shprehura. Përkrahja juaj është vlerë e madhe për mua – dhe ishte pikërisht kjo përkrahje që më bëri kandidatin më të votuar nga mërgata në zgjedhjet e kaluara.

Për këtë dhe për gjithçka, ju jam mirënjohës përherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *