TË FUNDIT

“Nuk ka veprim më të turpshëm se kaq” – Avokati Cami shpërthen ndaj udhëheqjes së LDK-së, kjo është arsyeja

Aderimet dhe përplimi i listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë qenë ndër temat më të përfolura të ditëve të fundit. Kjo pasi afati për dorëzimin e listave zgjedhore në KQZ skadon këtë të dielë.

Përfshirja e Ukë Rugovës, djalit të presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova në listën e LDK-së, u prit me reagime të ndryshme.

Por, ajo që një pjesë e elektoratit të kësaj partie e pa si të gabuar, ishte mënyra se si kryetari Lumir Abdixhiku prezantoi Rugovën si pjesë të listës, duke thënë që përfshirja e tij po bëhet me kërkesë të familjes Rugova.

“Në ditëlindjen e Presidentit Rugova, pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore”, tha Abdixhiku në hyrje të postimit të tij.

Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot”, avokati Naim Cami.

Ai ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar sjelljen e udhëheqjes aktuale si “injorancë të skajshme” dhe “vazalitet korruptiv” me pasoja të rënda për LDK-në dhe vendin.

Sipas tij, zgjedhja e ditës së përvjetorit të 81-të të lindjes së Presidentit historik të Kosovës dhe themeluesit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, për të njoftuar përfshirjen e Ukë Rugovës në listën për deputet, paraqet “kulmin e injorancës” dhe “fukarallëkut mendor”.

“Duke mos qenë në dijeni për gjendjen faktike mentale të tyre, vazhdojnë me veprime banale, duke e irrituar masën, e cila e vëren qartazi injorancën e tyre, të cilën ata e kanë shndërruar në vazalitet korruptiv, me dëme të pariparueshme shumëdimensionale, si për elektoratin e LDK-së, ashtu edhe për Kosovën në tërësi. I tillë është edhe veprimi i fundit i të katapultuarit “në krye” të LDK-së, i cili pa pikë turpi zgjodhi ditën e përvjetorit të 81-të të lindjes së Kryetarit legjendaro–historik të LDK-së dhe të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, për të vizituar familjen e Kryetarit të ndjerë, por edhe për të deklaruar që andej se, me kërkesën e familjes së të ndjerit, ka pranuar ta inkorporojë në listën për deputet të LDK-së për zgjedhjet pasuese për Parlamentin e Kosovës, djalin e Dr. Ibrahim Rugovës, të ndjerit Uke Rugova”, thotë Cami për fazetën “Bota sot”.

Ai shton se në vend të promovimit zgjedhor, kjo ditë duhej të nderohej me një akademi shkencore për figurën e Rugovës, ndërsa udhëheqja aktuale të mos e përdorte për “reklamë mjerane” në kuadër të fushatës.

“Në shikim të parë, kurrgjë të keqe në këtë përzgjedhje të vonuar nuk ka. Por, përzgjedhja e ditës së shënuar të një kolosi të dijes, mençurisë, guximit dhe përkushtimit për krijimin e një shteti të ri të Kosovës, për të kandiduar djalin e tij për deputet, në kuptimin më të butë të fjalës, është tejet injorante dhe prek fundin e një fukarallëku mental. Është i tejdukshëm ky lloj fukarallëku i ndërmarrësit të veprimit të lartpërmendur, ngaqë në vend që kjo ditë të shënohej me akademi të merituar shkencore në kujtim të Kryetarit legjendaro–historik të LDK-së dhe të Kosovës, ai e shfrytëzon atë për një reklamë vetanake por të mjerueshme, në kuadër të fushatës zgjedhore që është në vijim”, thekson ai.

Cami kritikon edhe mënyrën se si LDK-ja, sipas tij, është larguar nga vlerat rugoviane pas vdekjes së Presidentit Rugova.

“Nuk ka veprim më të turpshëm se kaq. Meqenëse LDK-ja, në duart e të gjithë “liderëve” që erdhën në krye të saj pas ndarjes nga jeta e Dr. Ibrahim Rugovës, personalitetit, vlerave dhe veprës së tij as edhe në përqindjen më të ulët nuk i kanë kushtuar përkushtimin dhe trajtimin meritor dhe më se të nevojshëm politiko-shkencor”, potencon ai.

Në fund, avokati Naim Cami e quan veprimin e fundit të udhëheqjes së LDK-së “më të turpshmin e mundshëm”, duke theksuar se partia ka devijuar ndjeshëm nga rruga dhe vlerat e themeluesit të saj.

“Përkundrazi, të gjithë “liderët” pasues, me paturpsi ekstreme, në mënyrë të tërthortë janë munduar t’i relativizojnë ato vlera, si dhe t’i privojnë gjeneratat e reja të Kosovës nga njohuritë mbi personalitetin, vlerat dhe veprën e Dr. Ibrahim Rugovës”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *