OPINIONTË FUNDIT

Diaspora siç e dini do i sjell prush këtij dimri

Zgjedhjet e reja po trokasin në derë; ata që i kërkuan dhe i imponuan këto zgjedhje tani bëjnë më shumë zhurmë sesa punë të rëndësishme, sepse qëllimi i tyre është i njohur: të arrijnë pushtetin. Përndryshe, nuk e pranojnë rënien — atë rënie nga një madhështi e cila tashmë ka humbur kuptimin.

Pas bojkotit dhe sabotimit të partive ish-opozitare për krijimin e institucioneve të reja, siç ishin PDK, LDK dhe AAK, bashkë me Listën Serbe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u detyrua të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke caktuar datën 28 dhjetor të këtij viti.

Mirëpo, kjo datë nuk është pranuar nga partitë ish-opozitare, nga frika se kjo kohë do t’i konvenonte diasporës shqiptare për të ardhur në atdhe dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Kështu, është hapur një front i ri mes subjekteve politike, të cilat kanë paraqitur edhe ankesa në PZAP.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka miratuar një ankesë të tillë të LDK-së, e cila kundërshton hapjen e qendrave alternative të votimit në diasporë, me arsyetimin se mund të cënohet integriteti i procesit. Qëllimi i opozitës është që pjesëmarrja e diasporës të jetë sa më e paarritshme.

Këto zgjedhje janë ndër më përcaktueset ndonjëherë, sepse pritet të prodhojnë befasi në rezultatet e subjekteve politike. Edhe pse populli është i lodhur nga problemet ekonomike, ai pret me padurim dhe shpresë ndryshime të reja.

Do të ishte një akt i turpshëm dhe i pafalshëm për këdo që pretendon të pengojë vullnetin e votës së lirë dhe demokratike, njësoj siç po vepron hapur LDK-ja dhe lideri i saj, Lumir Abdixhiku, kundër votës së lirë të diasporës, e cila ka vullnetin dhe dëshirën të përfaqësohet në zgjedhjet e vendit të vet, njësoj si çdo qytetar tjetër i Kosovës.

Edhe më pak ka të drejtë Lumiri dhe LDK-ja që edhe sot të luajnë me fatin e diasporës, sepse lojëra të pista dhe çnjerëzore me këtë komunitet janë bërë mjaft nga paraardhësit e tyre.

Është me rëndësi edhe pjesëmarrja e veriut të vendit në këto zgjedhje, meqë përbëhet kryesisht nga pakica serbe. Kjo ka domethënie të veçantë për Kosovën, sepse përcakton funksionimin e një shteti sovran dhe demokratik me integritet të plotë territorial.

Është e drejtë të thuhet se rezultatin e zgjedhjeve e përcakton vota e popullit. Por, sipas përvojave të kaluara, pritet një rezultat i paimagjinueshëm për disa subjekte politike, sepse vetëm vullneti i qytetarit do të caktojë mandatarin dhe do të plotësojë qëllimet e tij.

Dikush thotë: “Nuk kam arsye të votoj, sepse nuk jemi të kënaqur me pushtetet që nuk kanë arritur t’i plotësojnë të gjitha nevojat e qytetarëve.” Në këto kushte, mirëqenia e qytetarit është neglizhuar, pa të cilën nuk ka politikë të mirëfilltë as zgjedhje të drejta në kuptimin e votës së lirë.

Megjithatë, realiteti e tregon gjendjen në Kosovë, dhe populli duhet të jetë i vetëdijshëm nga përvojat e deritanishme. Ai e njeh qeverisjen e pasluftës dhe është mjaft i informuar të vlerësojë arritjet, sidomos ato të qeverisjes së fundit nën udhëheqjen e Albin Kurtit, e cila ka frenuar dukshëm ndikimin e Serbisë në veri dhe në çështjet e brendshme të Kosovës.

Sa herë e më shumë, qytetari duhet të tregojë maturi dhe pjekuri politike dhe të mendojë mirë për votën e tij dhe për ata të cilëve ua beson pushtetin.

Gabimi më i madh mund të jetë kur dominon një xhelozi e fshehtë, e krijuar te individët që kanë simpati për të njëjtën parti, edhe pse e dinë shumë mirë pasojat e udhëheqjes së saj. E megjithatë, e votojnë sërish, duke mos u liruar nga ky absurditet.

Disa subjekte do ta kenë të vështirë kalimin e pragut zgjedhor. Për ta shmangur këtë, disa po i bashkohen partive të mëdha, PDK-së dhe LDK-së, për të krijuar një “opozitë të bashkuar” kundër Albin Kurtit. Por sa do të realizohet ky qëllim, mbetet të shihet në të ardhmen — sepse përgjigjen do ta japë populli me votën e tij.

2 komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *