Vrasja e Xhemail Mustafës – 25 vjet pritje për drejtësi!
Më 23 nëntor 2025 mbushen 25 vjet nga vrasja e veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtorit të gazetës “Bota Sot” dhe presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa.
Edhe pas një çerek shekulli, gazeta “Bota Sot” vazhdon të jetë zëri i palodhur që kërkon drejtësi për Xhemail Mustafën, duke ruajtur kujtimin e tij dhe duke denoncuar padrejtësinë. Ky është përvjetori i 25-të pa drejtësi për vrasjen e tij, një ngjarje që mbetet plagë e thellë në kujtesën kolektive të Kosovës dhe simbol i mungesës së llogaridhënies për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës.
Xhemail Mustafa njihet për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj lirisë dhe demokracisë, për punën e tij në gazetari dhe për kontributin e tij në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Kujtimi i tij duhet të shërbejë si frymëzim për drejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike.
Zogaj: Xhemailit i kemi borxh shumë, por e di që, edhe kështu si jemi, Xhema na ka falur
Publicisti Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar ashpër dështimin 25-vjeçar të drejtësisë kosovare për të zbardhur vrasjen e Xhemail Mustafës, një figurë të rëndësishme të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Ai ka theksuar se heshtja e institucioneve, intelektualëve dhe shoqërisë civile është turpëruese dhe se pa zbardhjen e vrasjeve të luftëtarëve të lirisë nuk mund të ketë drejtësi, as përparim, as shtetndërtim të vërtetë.
“Merreni me mend përmasën e vogëlsisë së drejtësisë kosovare, e cila qe 25 vjet nuk ka arritur ta zbardh vrasje makabre të burrit të madh të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Xhemail Mustafës, intelektualin, publicistin, politikanin dhe atdhetarin ekselent, që ka dhënë gjithçka për popull e atdhe, dhe ka marrë plumba tradhtie, vetëm e vetëm pse ishte nga më të merituarit që i duhej shtetësisë së Kosovës!
Ata që e kanë vra i kuptoj, janë zogjtë e qyqes që duan gjak dhe mish varresh, mirëpo, si të kuptohen institucionet e Kosovës, intelektualët, liderët partiak, shoqërinë civile që, e hanë bukën e turpit dhe heshtin për vrasjet e motrave dhe vëllezërve të tyre më të devotshëm, që hanë dhe! A e kuptojnë institucionet tona, sidomos ato të drejtësisë se, pa zbardhjen e vrasjeve të krushqëve të lirisë, nuk mund të ketë liri, nuk mund të ketë ecje përpara, nuk mund të ketë as realizim shtetëror”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Zogaj ka potencuar se drejtësia funksionon vetëm për shkeljet e vogla, ndërsa krimet e rënda, si vrasjet politike të mbi 200 figurave kombëtare, mbeten të pandëshkuara.
Për këtë arsye, sipas tij, është krijuar Gjykata e Hagës, me shpresën për drejtësi, edhe pse shteti duhet ta ketë drejtësinë e vet.
“Prandaj, 25- vjetori i vrasjes së Xhemail Mustafës është mallkim që po e paguajmë dhe do ta paguajnë edhe pasardhësit tanë. Drejtësia e Kosovës është e dështuar, është një krojshe gëdhenjash, e kapur nga duart e zeza të kriminelëve që i kanë nërë vrasësit dhe tash e pengojnë zbardhjen e vrasjeve! Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti se, drejtësia në Kosovë është shumë efektive për zbulimin dhe zbatimin rigoroz të ligjit për shkeljet e kundërvajtjeve të thjeshta, por, qe një qerek shekulli nuk e kanë zbuluar dhe dënuar aktet e kriminalitetit të lartë, siç janë vrasjet politike të mbi 200 personaliteteve brilante kombëtare! Pra drejtësia në Kosovë është e improvizuar, sa për sy e faqe të zezë! Kjo është arsyeja e formimit të Gjykatës së Hagës, e cila shpresojmë t’i lëviz gjërat kah e vërteta! Shpresojmë, ndonëse edhe kjo shpresë është një harrnim, sepse shteti duhet ta ketë drejtësinë e vet e jo, të kruhet me dorën e huaj!
Xhemailit i kemi borxh shumë, por e di që, edhe kështu si jemi, Xhema na ka falur!”, është shprehur Zogaj.
Maraj: Vrasja e Xhemail Mustafës mbetet e pazbardhur, drejtësia mungon
Ndërsa, profesori Milazim Maraj, ka përmendur se Mustafa, si shumë veprimtarë të tjerë, kishte shpëtuar nga paralufta dhe shërbimet serbe, por vrasjet ndodhën pas luftës.
Sipas tij, vrasja e Mustafës mbetet e pazbardhur, ndërsa shteti dhe LDK-ja nuk kanë kërkuar përgjegjësi për këtë krim.
“Më 23 nëntor të vitit 2000 u vra Xhemajl Mustafa. Në këtë ditë, deri sa po kthehej nga puna, në hyrje të shtëpisë së tij u godit me armë zjarri nga dy kriminelë që u zhdukën në errësirën e asaj nate. Këta kriminelë vranë politikanin, veprimtarin, gazetarin, publicistin shqiptar. Vranë këshilltarin politik dhe bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Xhemajl Mustafa, si edhe shumë veprimtarë të palodhshëm dhe mjaft të guximshëm, u vranë. Ata shpëtuan nga paralufta e përgjakshme, shpëtuan nga milicia serbe dhe shërbimet sekrete, dhe pse iu kishin kundërvënë pa ndërprerë, me pasqyrimin e krimeve të tyre, në mënyrë shumë profesionale dhe të artikuluar mirë. QIK ishte qendër e informimit të Kosovës që nga themelimi i LDK-së; gazetarët dhe veprimtarët ishin të përcjellë, ndjekur, torturuar, por shpëtuan. Tani kjo natë e errët mori edhe këtë intelektual të lartë, të kulturuar dhe të urtë. Errësira e asaj nate nuk është larguar as sot e kësaj dite.
Vrasja e këtyre intelektualëve, që përkujtohen nga familjarët dhe bashkëveprimtarët, është harruar nga shteti i Kosovës, që pretendon të jetë shtet i së drejtës. LDK-ja, pas Presidentit Ibrahim Rugova, këta të rënë i përmend vetëm në fushata zgjedhore, por nuk bëri asgjë edhe kur pati tre herë Ministrat e Brendshëm nga partia e vet. Nuk u bisedua asnjëherë në Kuvende të LDK-së, dhe nuk u kërkua asnjëherë përgjegjësi nga këta ministra që të merren me zbulimin e kriminelëve, për të mos folur që nuk u bisedua as në Kuvendet e partive tjera, sepse të rënët në këtë kohë nuk luftuan për parti, por partinë e vunë në shërbim të çlirimit të Kosovës”, ka thënë ai.
Më tej, Maraj ka dhënë detaje se si me ardhjen e PDK-së në pushtet u vodhën zyrat e dëshmive, ndërsa as kryesit dhe as ata që urdhëruan vjedhjen nuk u zbuluan kurrë.
“Me ardhjen e PDK-së në pushtet, zyrat e dëshmive u vodhën, dhe as ata që kryen këtë krim ndaj shtetit nuk u gjurmuan e as nuk u zbuluan kurrë. Kështu që mbetën të fshehur ata që vodhën zyrat e dëshmive dhe ata që urdhëruan vjedhjen e këtyre zyrave. Me këto vjedhje duket se u zhdukën gjurmët e këtyre krimeve të rënda. Kjo gjendje tregon se pretendohet që një epokë e gjatë krimi të mbyllet.
Derisa ishin Policia dhe hetuesit e UNMIK-ut, kishte nga pak arsyetime se po pengoheshin nga ndërkombëtarët, por kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Nëse do të zbardhet diçka nga këto vite të krimit, Gjykata në Hagë mbetet të shihet, sepse kjo ka ndodhur në vitin 2000, ndërsa kjo Gjykatë ka për lëndë hulumtimin e ngjarjeve 1999-2001. Ndërsa familjarët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët vazhdojnë t’i përkujtojnë për çdo vit”, ka treguar Maraj.
Në fund, Maraj ka theksuar se përkujtimi i viktimave si Xhemajl Mustafa, Arben Sejdiu, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj është i vazhdueshëm, ndërsa shpresa e familjarëve mbetet tek Gjykata në Hagë, që mund të zbardhë krimet e ndodhura gjatë viteve 1999–2001.
“Më datën 22.11.2025 përkujtojmë Arben Sejdiun, më 23 përkujtojmë Xhemajl Mustafën, më 24.11.2025 përkujtojmë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, e kështu me radhë. Shpresa e vetme e familjarëve dhe e të tjerëve në Kosovë tani ka mbetur Gjykata në Hagë. Kjo ndoshta do ta zbardhë vrasjen e Xhemajl Mustafës, sepse përfshihet brenda viteve 1999-2001. Nëse ky rast do të zbardhet në këtë gjykatë, do të ringjallet shpresa edhe për rastet e tjera në Kosovë.
Por jo vetëm shpresa do të ngjallet; edhe guximi për të marrë me këto raste do të rritet. Institucionet e Drejtësisë së Kosovës, sepse nuk jemi shtet serioz i së drejtës, duhet të pastrojnë një herë e mirë krimet dhe kriminelët që vranë njerëz të lirisë në Kosovën e luftës dhe pas luftës. Madje, krimet nuk do të ndalen nëse këto që ndodhën nuk do të zbulohen. Pra, zbulimi dhe dënimi i krimeve dhe kriminelëve nuk rehabiliton vetëm shpirtin e familjarëve, por krijon besim në shtetin tonë, për të cilin shqiptarët vuajtën shumë, kontribuuan shumë, derdhen shumë gjak dhe sakrifikuan shumë familjarë”, ka përfunduar Maraj.
