OPINIONTË FUNDIT

Rreziku serb/ Ish eprori i lartë i UÇK-së paralajmëron: Vuçiq përdor eksese etnike si Millosheviçi

Pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe dyshohet se kanë hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke plagosur dhe rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V., shtetas i Kosovës me kombësi serbe.

Po ashtu, është konfirmuar nga KFOR-i se ushtarët serbë kanë hyrë në territorin e Kosovës më 15 tetor.

Lidhje me këtë çështje, ish eprori i UÇK-së, TMK-së dhe pjesëtarë i SHIK -ut, Naim Miftari, në një prononcim për “Bota sot”, ka delaruar se KFOR-i ruan sigurinë e Kosovës, por institucionet vendore duhet të jenë të gatshme ndaj provokimeve serbe, duke forcuar FSK-në dhe Policinë për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin.

“Sigurinë për territorin e Kosovës e ka KFOR-i në mandatin e saj, por kjo nuk do të thotë se organet e Kosovës duhet të fjetin, veçanërisht ndaj provokimeve serbe. Kjo nuk është risi, sidomos kur pushteti i Vuçiqit në Beograd ka telashe të mëdha me studentë dhe qytetarë të saj. Vuçiqi, si Millosheviçi më parë, tenton ta mbajë dhe kontrollojë pushtetin përmes ekseseve etnike.

Kosova duhet ta forcojë edhe më shumë ushtrinë dhe policinë. Pse, për shembull, të mos ketë FSK dhe Policia e Kosovës një brigadë të gatshme, të përgatitur dhe të pajisur mirë, edhe për operacione speciale ushtarake në çdo kohë, për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Kosovës? Pse të mos ketë FSK, FIT dhe RSU disa mijëra ushtarë e policë të pajisur dhe të stërvitur edhe për luftë, nëse shteti ka nevojë?

Ekseset kufitare me Serbinë nuk do të zgjasin aq kohë sa Kosova të jetë e përgatitur ushtarakisht për të neutralizuar çdo rrezik që vjen nga jashtë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Miftari ka akuzuar Beogradin dhe Listën Serbe për sulme ndaj qytetarëve serbë dhe krime si vrasja e Oliver Ivanoviqit, duke theksuar se këto eksese do të ndalen vetëm nëse Lista Serbe shpallet organizatë terroriste.

“Ky sulm ndaj një qytetari serb është bërë me urdhra të Beogradit zyrtar. Janë të njëjtët njerëz dhe e njëjta rrjetë që vranë edhe Oliver Ivanoviqin, pasi ky kriminel i luftës konkuronte politikën e Beogradit, e cila vepronte përmes Listës Serbe. Këto eksese nuk do të ndodhin më, për sa kohë nuk shpallet Lista Serbe si organizatë terroriste dhe ndalohet me ligj në Kosovë. Por, ka pakurrizorë në opozitën shqiptare në Kosovë që bashkëpunojnë natë e ditë edhe me Listën Serbe, pasi u intereson vetëm pushteti, privilegjet dhe tenderat. Gjasat që të mos ketë eksese janë të vogla”, ka theksuar ai.

Në fund, Miftari ka shtuar se sundimi i ligjit në veri të Kosovës ka përmirësuar situatën, duke e bërë të kaluarën kriminale dhe ndikimin e Beogradit të pamundur, ndërsa sfidat aktuale janë më të lehta se paslufta.

“Fatmirësisht, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht sa i përket sundimit të ligjit në veri të vendit. Nuk është më koha kur veriu ishte “Eldorado” i krimit dhe i atyre politikave të Kosovës që mbanin pushtetin në Prishtinë me ndihmën e Veselinoviçit, Radojçicit, Vuçiqit dhe Daçiqit. Koha e tyre ka mbaruar. Sfida ka, por jo siç ishin sfidat nga paslufta 1999 deri në vitin 2019, kur erdhën në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, ka përfunduar Miftari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *