OPINIONTË FUNDIT

“Tradhti me kosto të lartë”: Hafiz Shala me reagim të ashpër ndaj PDK-së, LDK-së e AAK-së: Populli nuk lejon kthim prapa

Veprimtari dhe publicisti i njohur shqiptaro-amerikan dhe Hafiz Shala, në një prononcim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke adresuar me tone kritike rolin e opozitës, ndikimin e Listës Serbe dhe tentativat për destabilizim institucional.

Shala, i cili është autor i 5 librave dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytëtare Shqiptaro-Amerikane, thekson se populli nuk do të lejojë kthimin e situatës në pikën zero në veri dhe paralajmëron se çdo përpjekje për të minuar sovranitetin e Kosovës do të marrë përgjigjen më të fortë – atë përmes votës.

Sipas tij, kolaboracionizmi me Serbinë, tradhtia ndaj atdheut, krimi dhe hajnia nuk futen në një thes.

ImageHafiz ShalaFoto galeri
Ai ka rikujtuar se Mitrovica definitivisht është i lirë sepse politikat fashiste e gjenocidale të Serbisë kanë përfunduar, dhe se për këtë meritat i shkojnë Albin Kurtit.

“Me pengesat, bllokadat dhe bashkëpunimin me Listën serboshqipfolëse – “organ paralel zyrtar i Serbisë në territorin e Kosovës” – po tentoni ta riktheni gjendjen në kohën e Radojqiqëve, Veselinoviqëve dhe bllokimit të rrugëve përmes barrikadave, duke ndërtuar rregulla dhe ligje të reja në një mini-shtet brenda një shteti sovran, liria dhe pavarësia e të cilit u kushtoi me jetët e shumë të rinjve e të rejave për të jetuar në liri me sovranitet të plotë në tërë territorin e tij.

Sipas sjelljeve të opozitës së bashkuar dhe obligimeve që ka marrë nga Lista serboshqipfolëse, me kusht që t’ua garantojë pushtetin përmes koalicionit të përbashkët si forcë për ta rrëzuar Albin Kurtin – slogan i njëjtë me atë të shtetit armik, Serbisë – kjo thjesht mund të karakterizohet si tradhti me kosto të lartë ndaj popullit dhe atdheut”, ka theksuar Shala.

Po ashtu, Shala ka thënë se është tentuar largimi i Kurtit nga pushteti, madje duke lobuar edhe në Evropë e Amerikë.

“Keni tentuar që, përmes propagandës së sponsorizuar nga fqinji ynë dhe bashkëpunëtorët e tij, oligarkë vendorë që janë betuar se tërë pasurinë do ta shkrijnë vetëm që Kurti të largohet nga posti i kryeministrit, madje duke lobuar edhe në Evropë e Amerikë, ta rrëzoni atë. Por po harrojnë se Albin Kurti nuk është i korruptuar e as i shantazhuar; është i pastër, i dijshëm dhe i guximshëm.

Prandaj, të dy kontinentet që i ceka nuk mund ta largojnë atë në mënyrë arbitrare, sepse ai ka njohuri, dije dhe guxim. Nuk heziton t’ua thotë troç mendimin dhe të vërtetën. Nëse hyjnë në dialog me të, do të befasohen me superinteligjencën, kujtesën dhe njohuritë e përgjithshme rreth situatës gjeopolitike dhe rrjedhave diplomatike, edhe atëherë kur ato janë të ngërthyera me interesat e superfuqive, të miqve dhe armiqve të Kosovës”, ka thënë Shala për “Bota sot”.

Me sjelljet e tij gjatë qeverisjes së vendit, duke mos rënë në kurthet e kurdisura, përhapte sjellje dhe shembull atdhedashurie edhe në shtetin amë, në M e V, të cilët duke vepruar me integritet dhe seriozitet, fituan në përkrahje duke u zgjedhur në vendet kyçe në zgjedhjet lokale, duke i larguar ata që ishin në kumbari me pushtetin sllavo-maqedonas për 20 vite, e që nuk bënë kurrfarë ndryshimesh në avancimin e çështjeve me interes kombëtar.

Me qëndrimet e tij stoike e të palëkundura politike e shtetërore, lirisht mund të thuhet se e rrëzoi edhe Vuçiqin nga pushteti, ndërsa as Edvin Kristaq Rama nuk e ka larg, sepse degët e lisit të kalbur të narkopushtetit po bien thuajse përditë, pikërisht ashtu si ato të mikut dhe “vëllaut” të tij siamez, Aleksandër Vuçiqit – gebelsit të Millosheviqit.

Vrasjet e atentatet pothuajse të përjavshme si rezultat i avancimit të industrisë së drogës si ekonomi primare, ngjashëm me vendet e njohura të Amerikës Latine si Kolumbia, Hondurasi, Venezuela etj., janë simptome se shteti shqiptar ka marrë primatin në këtë industri, posaçërisht në shpërndarjen e këtij biznesi të rrezikshëm”, ka theksuar ai.

Tutje, Shala ka hedhur akuza ndaj opozitës (PDK, LDK, AAK) duke thënë se e njëjta është para kolapsit për shkak të bashkëpunimit të saj të ngushtë me listën serbe.

“Opozita është para kolapsit sepse së pari ka hyrë në aranzhmane të ngushta me Listën serboshqipfolëse, aparat shtetëror i Serbisë së logjikës së Millosheviqit, dhe të ministrit të tij të Informata-ve gjatë vitit 1999 gjatë spastrimit etnik – Aleksandër Vuçiqit. Siç thashë, “po ia rrehin teneqen”, vetëm pritet dita e largimit të tij.

Opozita, fatkeqësi për veten dhe Dardaninë, e ka pranuar shantazhin politik nga Serbia si kusht që ajo, përmes Listës serboshqipfolëse, t’ua sigurojë pushtetin, t’i amnistojë nga të bëmat hajduto-kriminale, të evitojë konfiskimin e pasurisë milionëshe, duke tentuar të krijojë gjendje kaotike, bile edhe deri te një reagim masiv gjithëqytetar

Obligimet politike i kanë thurur qysh në vitet 2013–2015, që lënë të nënkuptohet se Kosovës po i përgatitej copëtimi i 17% të territorit më të vlefshëm, duke ia siguruar Serbisë në pjesën veriore Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin Thaçi me kompaninë e tij politike e pranoi për ta forcuar pushtetin dhe njëherësh për të fshehur të bëmat për të cilat akuzohet”, ka shtuar publicisti shqiptaro-amerikan.

E gjithë kjo, sipas tij u bë me ndihmën e Serbisë, pasi “i dolën hakut përmes të gjitha koncesioneve të miratuara në favor të saj”.

“Prandaj, sloganet e përbashkëta se “me Albinin nuk ka marrëveshje” dhe “Albini është pengesa kryesore” – narracion që disa qarqe shqiptare në SHBA tentuan ta depërtojnë në disa organe joformale për t’i formalizuar – kanë dështuar, sepse ai i mbron interesat e shtetit dhe popullit, i cili lirinë e fitoi me çmim të lartë për të jetuar në paqe në shtetin e vet, pa kurrfarë tutori nga fqinji që deshi ta shfaroste të tërin.

Budallallëqet politike të udhëheqësve partiakë nga nostalgjia për të jetuar nën diktat – e pabesueshme ndonëse e papranueshme – kërkojnë rikthimin e gjendjes në pikën zero në veriun më në fund të çliruar. Kjo është e barabartë me vetëvrasje kolektive politike, shtetërore, demokratike e institucionale”, ka theksuar ai.

Shala e konsideron të habitshëm faktin se nuk ka reagim të intelektualëve dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ndaj këtyre që po duan të kthejnë çdo gjë në pikën e mëpardhme kaotike, Mitrovicën.

“Dhe, për habi, nuk reagojnë intelektualët, ASHA e Kosovës, kolegët profesorë universitarë dhe shoqëria civile ndaj idiotëve që përmes retrogradizmit – kthimit në një gjendje të mëparshme kaotike – synojnë që të sundojnë grupet kriminalo-terroriste dhe ta nënshtrojnë vendin edhe njëherë nën thundrën fashiste serbe.

Tani opozita e bashkuar refuzon ta themelojë qeverinë kalimtare për t’iu shmangur dy palë zgjedhjeve, për t’u mundësuar pagesat punëtorëve. Sot demonstruan punëtorët e RTK-së, pensionistët etj., sepse kjo opozitë milionerësh nuk e ndan fatin e popullit; ata, përmes hajnisë në kurriz të popullit, e kanë jetën e tyre dhe të pasardhësve të siguruar.

Këta luten sipas asaj: “Bëre Zot llugë, e ne do të mbetemi në harresë.” Opozita, pas kësaj odisejade të turpshme, të dëmshme dhe të rrezikshme, prapë nuk e ndryshon qëndrimin për t’i zhbllokuar institucionet, me theks të veçantë ato financiare.

Populli kurrë nuk do t’ua harrojë. Do t’u hakmerret në mënyrën më të ashpër – përmes votës”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *