OPINIONTË FUNDIT

Nga komunat te Kuvendi – a do ta përcaktojë rezultati lokal të ardhmen qeverisëse të Kosovës?

Balotazhi i 9 nëntorit për zgjedhjen e kryetarëve në 18 komuna të Kosovës ka përfunduar me sukses. Procesi zgjedhor u zhvillua përgjithësisht qetë dhe pa incidente të mëdha.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partitë kryesore ndanë fitoret në disa komuna, ndërsa pjesëmarrja ishte më e ulët krahasuar me raundin e parë të 12 tetorit.

Rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen në ditët në vijim.

LDK: Prishtinë – Përparim Rama; Pejë – Gazmend Muhaxheri; Viti – Sokol Haliti; Junik – Ruzhdi Shehu; Dragash – Bexhet Xheladini.

LVV: Mitrovicë – Faton Peci; Fushë Kosovë – Valon Prebreza; Obiliq – Halil Thaçi; Gjilan – Alban Hyseni.

PDK: Prizren – Shaqir Totaj; Vushtrri – Ferit Idrizi; Kaçanik – Sabedin Vishi.

AAK: Klinë – Zenun Elezaj; Rahovec – Smajl Latif; Suharekë – (kandidat i AAK-së, emri jo përmendur); Gjakovë – Ardian Gjini.

Të tjera / lokale: Mamushë – Abdulhadi Krasniq (Kosova Demokratik Turk Partisi); Kllokot – Bozhidar Dejanoviq (Lista Serbe).

Nga ana tjetër, Kosova është në përpjekje për të formuar qeverinë, ku kandidat për kryeministër është Glauk Konjufca, për të cilin nuk dihet ende nëse arrin të bëhet kryeministër apo jo.

Pra, a mund të ndikojë rezultatit i zgjedhjeve lokale në ato nacionale?

Hajdaj: Ky rezultat do të forcojë pozitën e LVV–Guxo–ALT edhe në nivel qendror

Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, tha për “Bota sot” se balotazhi i 9 nëntorit u zhvillua përgjithësisht mirë, përveç disa tensioneve në Mitrovicën e Jugut.

Sipas tij, PDK u përpoq të krijonte një situatë të rrejshme për të favorizuar kandidatin e saj, por rezultatet preliminare të KQZ-së konfirmuan fitoren e kandidatit të LVV-së, Faton Peci. Hajdari theksoi se Mitrovica mbetet komunë me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

ImageKujtim Hajdaj
“Unë mendoj se në përgjithësi zgjedhjet në balotazh kanë shkuar mbarë përveç një situate pak më tensionuese në Mitrovicën e Jugut, ku PDK duke e parë se po i humbnin zgjedhjet kundrejt kandidatit të LV Faton Peci, u përpoqën të krijojnë një situatë të rrejshme favorizuese për kandidatin e tyre, e kjo u pa menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor ku prapë disa exit polle u nguten për të nxjerrë fitues Arian Tahirin.

Por, edhe kësaj herë ata u mashtruan keq sepse rezultati preliminar i KQZ e nxori fitues Faton Pecin. Sigurisht, vëmendja e opinionit tonë publik ishte më e përqendruar në zgjedhjet komunale të Mitrovicës së Jugut, kjo ngase Mitrovica e ka një rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, gjë të cilën qeveria lokale e PDK-së e kishte vënë në plan të dytë”, tha ai.

Tutje, Hajdaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët qeverisës Guxo dhe Alternativa kanë dalë fituese të zgjedhjeve lokale, duke ruajtur katër komuna dhe fituar edhe tri të reja.

Ai theksoi se zgjedhja e Faton Pecit në Mitrovicën e Jugut është sukses i madh për Guxo-n, pasi ai është njëri nga drejtuesit e partisë. Ai shton, se ky rezultat forcon pozitën e koalicionit LVV–Guxo–ALT edhe në nivel qendror dhe tregon mbështetjen e vazhdueshme të elektoratit, veçanërisht nga diaspora.

“Nëse flasim për zgjedhjet lokale të cilat përfunduan me balotazh dhe rezultatin e zgjedhjeve në përgjithësi, mendoi se LV me partnerët e vet qeverisës GUXO-ALT kanë dal fitues të këtyre zgjedhjeve me faktin se e ruajtën qeverisjen në katër komunat që i kishin fituar e sot do të qeverisin edhe me plus tri komuna tjera. Në anën tjetër, LDK dhe PDK kanë kanë rënie në komuna në krahasim me ato që i kishin në qeverisjet e kaluara. Më tutje, do të theksoja se zgjedhja e Faton Peci për kryetar komune të Mitrovicës së Jugut, është edhe sukses i madh për Partinë GUXO, duke e ditur se Fatoni së bashku me Donika Gërvalla, janë edhe kryetar të saj.

Tash, ky rezultat i mirë i arritur në këto zgjedhje lokale, sigurisht se do të forcojë edhe më shumë pozicionin e LV-GUXO-ALT në nivelin qendror nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe të jashtzakonshme. Unë mendoj se kurdoherë që do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme dhe të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, LV-GUXO-ALT prapë do të kenë mbështetje të madhe nga elektorati i saj jashtë Kosove” – përfudnon ai.

Makolli: Rezultati i zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025, ka treguar se në Kosovë frymon demokracia, më shumë se në çdo vend të Ballkanit problematik

Analsiti Vesel Makolli, deklaron se zgjedhjet lokale të 9 nëntorit dëshmuan se në Kosovë frymon demokracia më shumë se në vendet tjera të Ballkanit.

ImageVesel Makolli
Sipas tij, LDK, PDK dhe VV kanë rezultate të barabarta në numër komunash, por fitorja në Kryeqytet e vendos LDK-në në vend të parë.

Ai shtoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale është dashur të mbaheshin para ose paralelisht me ato lokale.

“Rezultati i zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025, ka treguar se në Kosovë frymon demokracia, më shumë se në çdo vend të Ballkanit problematik. Sa i përket numrit të komunave të fituara, të trija partitë më të mëdha janë të nivelizuara (LDK 7, PDK 6, VV 7), por nëse analizohet numri i banorëve në komunat e fituara, atëherë, fitorja në Kryeqytet, LDK-në e radhit në vend të parë, kurse VV del në vend të tretë.

Bazuar në konstelacionin e forcave politike të vendit, që ka mbretëruar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, është dashur që të mbahen para zgjedhjeve lokale ose së bashku me to”, shprehet ai për gazetën.

Në fund, Makolli theksoi se mungesa e institucioneve legjitime në Kosovë është shqetësuese dhe se kjo situatë, në kushte të ndryshimeve globale, mund të konsiderohet anti-shtetërore.

Ai parashikon se rezultati i zgjedhjeve lokale do të pasqyrohet edhe në ato nacionale, pa asnjë parti që arrin 40 për qind.

“Kosova ka disa muaj që është pa institucione legjitime. Në kohën kur po ndryshon gjeopolitika botërore, me zhvillime dramatike në Evropë dhe më gjerë, me e lënë vendin në pat pozicion, pa institucione, për shkaqe egoiste, inate dhe interesa individuale e partiake, është më shumë se non sens, bile mund të tingëllojë edhe si anti-shtetërore.

Fitorja e LDK-së në Prishtinë dhe rezultati i balancuar dhe demokratik që ka dalë nga zgjedhjet lokale, do të reflektojë në zgjedhjet nacionale, nga të cilat do të kemi një rezultat pak a shumë të ngjashëm si në këto zgjedhje lokale, asnjë parti nuk do të arrijë te kuota e 40%-it” – përmbylli ai

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *