Rishfaqet “lidhja e thellë” PDK–LDK: Balotazhi zbulon skenarin e bashkëpunimit të interesit mes partive tradicionale
Balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna dhe do të mbahet më 9 nëntor. Në 21 komuna kryetarët janë zgjedhur qysh në rundin e parë, më 12 tetor.
Të gjitha partitë të cilat janë në garë kanë bashkëpunuar mes vete, duke lidhur koalicione.
Kur në Vushtrri u arrit koalicioni mes Xhaferi Tahirit (LDK) dhe Sylejman Mehollit (VV), u bë bujë e madhe, madje pati reagime nga vet LDK për “ndëshkime” për faktin se marrëveshja ishte bërë pa miratimin e kryesisë.
Nga ana tjetër, si jo rrallë herë, tashmë në skenën politike, LDK dhe PDK mbështesin njëra-tjetrën. Ato kanë arritur koalicione në disa komuna, mbase edhe bastione si për njërën ashtu edhe për tjetrën.
Koalicionet mes LDK-së dhe PDK-së për rundin e dytë të zgjedhjeve janë:
Gjilan: PDK mbështet kandidatin e LDK-së, Arbër Ismaili.
Fushë-Kosovë: PDK mbështet kandidatin e LDK-së, Besnik Osmani.
Prizren: LDK mbështet kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj.
Mitrovicë e Jugut: LDK mbështet kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri.
Dugolli: Tash në balotazh, LDK dhe PDK po bashkëpunojnë dhe lidhin koalicione jo parimore
Enver Dugolli, ish-deputet i Vetëvendosjes, thekson se partitë politike nuk duhet të veprojnë me dy standarde dhe se koalicionet duhet të bazohen në parime dhe në interes të qytetarëve.
ImageEnver DugolliFoto galeri
Ai shprehet se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të gjithë kandidatët, përveç kryetarëve aktualë, kanë synuar ndryshim dhe jo vazhdim të pushtetit ekzistues.
“Të vepruarit me dy standarde është praktikë qe nuk do duhej të ndodhte tek partitë politike. Bashkëpunimet për koalicionet do duhej të udhëhiqemi nga parimet dhe në dobi të qytetarëve e jo e kundërta. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetar komunash, të gjithë kandidatët (përveç kryetarëve aktual) kanë qenë të angazhuar për ndryshim e jo për vazhdim të kryetarëve aktual”, u shpreh ai.
Kurse, për koalicionet për balotazh, Dugolli kritikon koalicionet LDK-PDK në balotazh, duke i cilësuar jo parimore dhe të motivuara për të penguar progresin dhe Vetëvendosjen.
Ai vë në dukje dy standarde në qëndrimet e liderëve të LDK-së ndaj bashkëpunimeve.
“Tash në balotazh, LDK dhe PDK po bashkëpunojnë dhe lidhin koalicione jo parimore. Pra prej angazhimeve për ndryshim, tani po bëhen bashkë për mos-ndryshim. Ky ribashkim, sidomos i këtyre dy partive politike na tregon sa e thellë është lidhja e tyre. Liderët e këtyre dy partive e kanë qëllimin kryesor ta pengojnë progresin dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk ka si shpjegohet ndryshe gjuha dhe diskursi e pashembullt i Lumir Abdixhikut kundër një bashkëpunimi parimor të LDK-së në Vushtrri me Vetëvendosjen, ndërsa asnjë fjalë për koalicionet dhe bashkëpunimet me PDK-në në Prizren, Mitrovicë etj…” – përfundoi ai për “Bota sot”.
Aliçkaj: Koalicionet joparimore në dëm të komunave dhe shtetit
Veprimtari Agim Aliçkaj, kritikon ish-partitë PDK, LDK dhe AAK/NISMA, duke thënë se nuk u përmirësuan pas humbjes së zgjedhjeve, përkundrazi veprimtaria e tyre mbështetet në manipulime, servilizëm ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrim ndaj Serbisë, duke penguar proceset demokratike dhe duke mos merituar të qeverisin.
ImageAgim AliçkajFoto galeri
“Pothuajse pesë vjet më parë, kur PDK, LDK dhe AAK/NISMA, me keqqeverisjen e tyre e sollën Kosovën buzë greminës dhe i humbën zgjedhjet, mesazhi nga shumë votues të pavarur ishte që ata duhet të ndryshojnë dhe me punë të bëhen më të mirë se Kryeministri Albin Kurti – në mënyrë që ndoshta një ditë të mund të shpresojnë të kthehen në pushtet.
Jo vetëm që nuk u bënë më të mirë se Albini, por u bënë edhe më të këqij se vetvetja – më të këqij se ç’kishin qenë më parë. E gjithë veprimtaria e tyre bazohet në shpifje, gënjeshtra, manipulime, mashtrime dhe fyerje ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Kurti nga njëra anë, dhe në servilizëm ndaj ndërkombëtarëve e nënshtrim ndaj armikut serb nga ana tjetër.
Fatkeqësisht dhe tragjikisht, ata nuk e konsiderojnë organizatën armiqësore “Lista Serbe” dhe Serbinë fashiste të Vuçiqit si armiq. Për ta, armiqtë janë ata që janë zgjedhur nga populli – Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani me bashkëpunëtorët e tyre. Ata kanë rënë aq poshtë sa janë gati ta rikthejnë Serbinë në Kosovë, vetëm për t’i larguar këta nga pushteti.
Në emër të demokracisë, ata po i bllokojnë të gjitha proceset demokratike, përfshirë edhe formimin e institucioneve shtetërore. Madje janë të gatshëm të mos votojnë as buxhetin e shtetit. Me sjelljen e tyre antishtetërore, shkurt, ata nuk meritojnë të qeverisin”, nënvizon ai.
Tutje, ai kritikon koalicionet joparimore të LDK-së dhe partive të tjera, duke thënë se dëmtojnë komunat dhe shtetin, dhe thekson se zgjedhjet kanë zbuluar dy blloqe: LVV me partnerët kundër PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Listës Serbe.
Ai shpreson se “Grupi për Kosovën” do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme dhe balotazhe.
“Zgjedhjet lokale do të duhej të kishin natyrë tjetër, ku koalicionet do të formoheshin për interesa lokale, në varësi të aftësive të kandidatëve. Tani ato varen nga urdhrat e kryetarëve të partive dhe grupeve përreth tyre, njësoj si në kohën e komunizmit.
Koalicionet e njëpasnjëshme, joparimore në shumë komuna – pa asnjë logjikë, dhe në realitet jofunksionale – të krijuara nga inati dhe urrejtja ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, dëmtojnë si komunat ashtu edhe shtetin. Sulmet brutale kundër kryetarit vizionar lokal Xhafer Tahiri dhe kundër koalicionit logjik të LDK-së me LVV-në në interes të komunës së Vushtrrisë, zbulojnë mjerimin e LDK-së.
Por nuk thuhet kot që nga çdo e keqe mund të dalë diçka e mirë. Tani në Kosovë janë formuar dy blloqe politike: LVV, Guxo, Alternativa me pakicat për Kosovën; dhe PDK, LDK, AAK, NISMA me Listën Serbe kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Populli tash i sheh më qartë dhe e di më mirë kujt ia jep votën.
Jam i bindur fuqishëm se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, “Grupi për Kosovën” do ta fitojë shumicën – por shpresoj që kjo të ndodhë edhe në balotazhet e 9 nëntorit. “Grupi kundër Kosovës” e meriton një dënim të ashpër, për ta mësuar njëherë e mirë se si duhet të punohet për popullin dhe për shtetin” – përmbyll ai për gazetën.
