OPINIONTË FUNDIT

Garë e ‘nxehtë’ në Prizren, vijnë parashikimet pas koalicionit PDK-LDK

Kur kanë mbetur edhe më pak se një javë nga zhvillimi i balotazhit, vëmendja e qytetarëve të Prizrenit është e fokusuar tek gara për kryetar të komunës. Bazuar në rezultatet e raundit të parë, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë i pari me 41.45% të votave, duke i paraprirë Artan Abrashit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 30.39%, dhe Driton Selmanajit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.49%.

Të dhënat tregojnë se balotazhi do të jetë i ndikuar jo vetëm nga votat e kandidatëve kryesorë, por edhe nga mbështetja që PDK-ja ka marrë zyrtarisht nga LDK-ja për këtë garë.

Shaqir Totaj dhe Driton Selmanaj kanë nënshkruar një koalicion për bashkëqeverisje, duke theksuar se bashkimi i tyre synon të shërbejë për të mirën e qytetarëve të Prizrenit. Totaj, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar: “…jam i lumtur të ndaj lajmin për arritjen e koalicionit me LDK-në, duke besuar se idetë e reja dhe përvoja e kësaj partie do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. Falënderoj udhëheqjen e LDK-së dhe kryetarin e degës në Prizren, Driton Selmanaj, për besimin dhe mbështetjen gjatë balotazhit, duke dëshmuar se para interesave të qytetit, interesat partiake vijnë në radhë të dytë.”

Në balotazhin e 9 nëntorit 2025, Totaj do të përballet me kandidatin e LVV-së, Artan Abrashi. Të dhënat e raundit të parë tregojnë se mbështetja e LDK-së mund të jetë një faktor vendimtar në përcaktimin e fituesit të komunës së Prizrenit, duke krijuar një garë të fortë dhe të paparashikueshme në ditët në vijim.

Por, si mund të ndikojë në rezultat mbështetja që PDK-ja e mori edhe zyrtarisht nga LDK-ja në garën për këtë komunë?

Qarri: Koalicioni PDK-LDK, pritet të ketë një avantazh

Fillimisht, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli analisti Gani Qarri.

ImageGani QarriFoto galeri
Sipas tij, zgjedhjet lokale treguan se LVV, PDK e LDK janë shumë të përafërta sa i përket votave në nivel lokal.

Madje, ai pret që në disa komuna të ndryshojnë kryetarët dhe do luhatet përfaqësimi politik pas balotazhit.

“Megjithëse zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, dëshmuan se tri subjektet politike LVV, PDK dhe LDK, përkundër ndryshimeve të vogla, vazhdojnë të mbeten subjekte me rezultate të përafërta në zgjedhjet lokale, marrë parasysh se kemi të bëjmë me balotazhe në 18 komuna, më 9 nëntor, ka mundësi të ndryshojnë edhe formati i deritanishëm i udhëheqjeve komunale, nga periudha e zgjedhjeve lokale të 4 viteve më parë, gjë që veçanërisht sa u takon kryetarëve të komunave kryesore, do ta luhaste edhe pozicionin e përfaqësimit politik lokal në nivel vendi”.

Kurse, sa i përket Prizrenit tha se përparësi do ketë koalicioni PDK-LDK, ndonëse numri i votave të qytetit do orientohet te LVV, votat e pjesës rurale do shkojnë për PDK e LDK-në.

“Ndërsa sa i takon Prizrenit, tanimë kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë nga zhvillimi i balotazhit në këtë qytet historik, koalicioni PDK-LDK, pritet të ketë një avantazh, sado që shumica e votave të qytetit, mund t’i dedikohen kandidatit të LVV-së, i cili vjen nga ky qytet, duke pasur parasysh numrin e votuesve nga pjesa rurale dhe rrethina e qytetit, mendojë se i mbështetur edhe nga LDK, z. Totaj, bazuar edhe në rezultatin që doli nga raundi i parë i garave atje, mund t’i fitojë zgjedhjet në balotazh për komunën e Prizrenit”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, analisti theksoi se mbështetja e LDK ndaj PDK pritet të ndikojë gjithsesi në rezultatin përfundimtar të balotazhit.

“Dhe megjithëse sa i takon balotazhit LVV, do të garojë në 12 komuna, në dy prej të cilave është radhitur e para, ndërsa në 10 komuna tjera kandidatët e saj, sipas numrit të votave, mbajnë pozitën e dytë, përfshi edhe vet kandidatin e LVV-së për Prizrenin, mbështetja që edhe zyrtarisht PDK, mori nga LDK, në garën për të parin e Prizrenit, pritet të ndikojë gjithsesi në rezultatin përfundimtar të balotazhit dhe z. Totaj ta fitojë edhe një mandatë 4 vjeçar në këtë komunë, ndërsa , drejt të cilave duket se po shkojmë po ashtu këtë vit”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Gara për Prizrenin është shumë e rëndësishme

Ndërsa, analisti Berim Burjani tha se çdo gjë mund të ndodhë në Prizren, pasi kjo komunë është shumë specifike.

Mirëpo, në bashkëbisedimin me “Bota sot” vlerëson se koalicioni PDK-LDK ka gjasa të fitojë.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Çdo gjë është e mundur. Komuna e Prizrenit është shumë specifike edhe nga pikëpamja etnike. Unë mendoj se do të fitojë PDK-ja me mbështetjen e LDK-së; njëherësh, kjo mund të jetë edhe baza e një koalicioni”, shtjelloi ai.

Në fund, theksoi se gara zgjedhore në këtë komunë është shumë e rëndësishme, ndonëse tha se ka pritur që LDK të dal më mirë në raundin e parë me vota.

“Pra, gara për Prizrenin është shumë e rëndësishme. Nga LDK-ja pritej që në raundin e parë të dilte më mirë me vota, por tashmë është krijuar një realitet i ri. Në balotazh, fitues pritet të jetë PDK-ja”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *