Çka i ofroi Vetëvendosje LDK-së për formimin e qeverisë? – Vokrri shpalos ofertën ‘bujare’
Ish-zëvendësministri i Pushtetit Lokal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Vokrri, ka folur për ofertën që, Vetëvendosje ia ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.
Në emisionin “Info Nata”, Vokrri tha se përgjegjësinë për mosformimin e qeverisë nuk e mban vetëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por edhe pjesa tjetër e skenës politike.
“Përgjegjësinë e z. Kurti për me bo qeveri mendoj që fajin kryesor e ka kjo klasë tjetër politike, pasi që Kurti, gjatë gjithë këtyre muajve, është dyshuar padrejtësisht se nuk është i interesuar për bashkëpunim. Nuk është hera e parë që ai ka kërkuar koalicion me LDK-në dhe mendoj që këtë herë e ka pasur tepër seriozisht – aq sa nuk do ta aprovonte as elektorati i gjerë i LVV-së ofertën që ai ia ka bërë LDK-së, e cila fatkeqësisht e refuzoi.”
Vokrri ka zbuluar disa detaje nga ajo që e quajti një ofertë shumë bujare dhe konkrete që Vetëvendosje i kishte bërë LDK-së për bashkëqeverisje:
“Ajo ofertë ka qenë një ofertë shumë konkrete dhe jashtëzakonisht bujare. Do të thotë, i ka deleguar aq shumë pushtet LDK-së sa që askund nuk përputhet me numrat e saj. Jo vetëm këta, por as LDK-të e mëhershme nuk kanë pasur një ofertë të tillë.”
Sipas tij, refuzimi i kësaj oferte nga LDK-ja nuk ishte veprim serioz:
“Besoj që një ditë do të bëhet publike oferta që LVV-ja ia ka bërë LDK-së – jo shumë larg, madje këto ditë. Mendoj që është jo serioze, jo e sinqertë dhe jo e ndershme mënyra se si LDK-ja e ka refuzuar këtë ofertë, edhe këtë herë.”
