TË FUNDIT

Partitë politike ‘tremben’ nga Kurti: Bllokojnë qeverinë, por bëjnë koalicione lokale me LVV-në!

Skena politike në Kosovë është e ndarë, partitë politike nuk po arrijnë të bëhen bashkë as në vendime në të mirë të vendit.

Mirëpo, duke parë zhvillimet e fundit, duket se ka një dallim të madh të sjelljeve të partive në nivel qendror dhe në atë qëndror.

Derisa, partitë ish-opozitare nuk po hezitojnë të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në komuna të ndryshme, siç janë rastet e Vushtrrisë dhe Fushë Kosovës, e njëjta gjë nuk vlen edhe kur bëhet fjalë për formimin e qeverisë në nivel qendror, rrjedhimisht një koalicion me LVV-në.

Kjo qasje ngre disa pyetje të rëndësishme për motivet që mund të kanë partitë për një sjellje të tillë: a kemi të bëjmë me standarde të dyfishta, ku bashkëpunimi lejohet vetëm kur nuk kërcënohet pozita e tyre, apo pasqyrohet një qëndrim i motivuar kryesisht nga dëshira për të penguar emërimin e Albin Kurtit si kryeministër?

Megjithatë, duke parë situatën, partitë politike, LDK, PDK, AAK mund ta dëmtojnë kredibilitetin e tyre, pasi kanë krijuar përshtypje se ato bashkëpunuese në nivel lokal, por të papërfillshme dhe konfrontuese në nivel qendror.

Gjithë këto dinamika, tregojnë jo vetëm strategjitë politike të partive, por edhe sfidat e krijimit të një qeverisjeje stabile dhe gjithëpërfshirëse në vend.

E në lidhje me këtë qasje të partive ish-opozitare ndaj bashkëpunimit me LVV në nivel lokal e qendror, folën njohësit e çështjeve politike.

Aliçkaj: Vjosa Osmani president dhe Albin Kurti kryeministër është zgjidhja më ideale për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar

Së pari, për këtë temë, për “Portalin Realiteti” foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.

ImageAgim Aliçkaj.Foto galeri
Ai në prononcimin e tij u shpreh se koalicionet në nivel lokal janë normal dhe të mirëpritura, derisa fatkeqësisht e njëjta gjë nuk po ndodh në nivel qendror.

“Organizimi i zgjedhjeve lokale dhe bashkëpunimi për koalicione ndërmjet partive në disa komuna po ecën mirë, gjë që është normale dhe në interes të votuesve. Rastet e Vushtrrisë dhe Fushë Kosovës, si dhe fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas, janë zhvillime pozitive që japin shpresë se zhvillimi i demokracisë në Kosovë është në rrugën e duhur.

Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për zgjedhjet nacionale. Pas bllokadës së pajustifikueshme gjashtëmujore të formimit të Kuvendit nga partitë humbëse dhe vendimeve po aq penguese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më në fund u zgjodhën organet parlamentare, duke sjellë shpresë se problemet do të tejkaloheshin dhe shteti do të fillonte të funksiononte normalisht”.

Krahas kësaj, Aliçkaj tha se procesi i formimit të qeverisë së re po del të jetë i vështirë, krahas qasjeve të partive politike ndaj LVV-së dhe Kurtit.

Ai përmendi disa arsye qe përmendin liderët politik për mosbashkëpunim me LVV-në, e që sipas tij nuk qëndrojnë, por e vërteta është se ata me çdo kusht synojnë të kthehen në pushtet dhe të mos e lejojnë Kurtin të qeverisë edhe një mandat.

“Kryeministri Kurti ka marrë mandatin nga Presidentja Osmani për të formuar qeverinë deri më 26 tetor. Me afrimin e kësaj date, të gjitha treguesit po dëshmojnë se ky proces po del i vështirë. Vetëvendosje (LVV) e ka bërë të qartë se nuk do të ofrojë koalicion me PDK-në, as me partinë armiqësore “Lista Serbe”. Kërkesat e NISMËS janë absurde, ndërsa udhëheqësit e LDK-së dhe PDK-së kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në koalicion në asnjë rrethanë.

Arsyet janë të ndryshme. Ish-partitë opozitare fajësojnë Kryeministrin Kurti, të cilin e përshkruajnë si “arrogant” dhe “ofendues”. Ata harrojnë se fyerjet e tyre ndaj Kurtit kanë qenë edhe më të ashpra. Jo vetëm që e kanë sharë dhe sulmuar personalisht pa kufij, por gjithashtu nuk kanë treguar asnjë respekt për pozitën e Kryeministrit si përfaqësues i shtetit të tyre. Megjithatë, Kryeministri Kurti duhej të ishte më i afërt me të gjithë dhe të mos reagonte në mënyrë personale.

Në realitet, kjo është vetëm një justifikim. Arsyet e vërteta qëndrojnë diku tjetër. Njëra prej tyre është etja e sëmurë për t’u rikthyer në pushtet me çdo kusht, për t’iu shmangur përgjegjësisë për keqqeverisjen dhe gabimet e bëra gjatë kohës kur ishin në pushtet para Kurtit.

Shumë prej nesh besojnë se arsyeja kryesore qëndron diku tjetër”, nënvizoi ai.

Tutje, veprimtari shqiptaro-amerikan komentoi sfidat që ka Kurti në formimin e qeverisë, ndonëse beson se ai do i kalojë të gjitha pengesat dhe do i sigurojë votat për qeveri të re.

“Edhe pse mund të tingëllojë si teori konspirative, ekziston informacion i besueshëm se pas të gjitha pengesave të opozitës qëndron ish-ambasadori Grenell, i ndikuar nga Serbia. Pasi dështoi ta rrëzonte Kurtin herën e parë, ai ka zhvilluar urrejtje ndaj tij dhe një dëshirë të zjarrtë për hakmarrje. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me oligarkët, ish-opozitën dhe gazetarët e korruptuar, duke i udhëzuar si ta bllokojnë Kurtin që nga nëntori i vitit të kaluar.

Megjithatë, ende ka shpresë që Kryeministri Kurti, me koalicionin e tij, do t’i kapërcejë të gjitha vështirësitë dhe do të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë. Shpresojmë që, gjatë negociatave për ndarjen e pushtetit me të tjerët, ai ta ketë prioritet rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente për mandatin e ardhshëm. Shpëtimi i Kosovës nga shkatërrimi dhe arritjet e tyre të përbashkëta, sidomos përballja me Serbinë dhe zgjidhja e situatës në veri janë historike”.

Ndër të tjera, ai tregoi edhe skenarin të cilin e pret vendin, nëse LVV nuk arrin ta bëj qeverinë.

Në këtë pikë, përmendi PDK dhe mundësinë që kjo e fundit të tentojë ta bej qeverinë e re.

“Përvoja, aftësia, vizioni dhe qëndrueshmëria e tyre aktualisht nuk krahasohen me asnjë kandidat të partive të tjera. Respekti i tyre në qarqet ndërkombëtare, pavarësisht kritikave të herëpashershme ndaj Kurtit, i cili nuk i nënshtrohet askujt dhe nuk lejon dëm ndaj shtetit, është në nivelin më të lartë. Kosova nuk ka kohë të eksperimentojë me liderë të paaftë e të gatshëm të tregtojnë interesat shtetërore për përfitime personale.

Ekziston rreziku real që, nëse Kryeministri Kurti nuk arrin t’i sigurojë votat e nevojshme, partia e dytë, PDK, të tentojë formimin e qeverisë duke hyrë në koalicion me Listën Serbe. Ky është qëllimi i Serbisë, i koordinuar me Grenellin, Kryeministrin Rama dhe forca të tjera pro-serbe brenda dhe jashtë Kosovës. Ata do ta ushtrojnë presion publik mbi Kosovën për të pranuar bashkëqeverisjen me Listën Serbe, ashtu si më parë.

Populli i Kosovës nuk duhet ta lejojë këtë në asnjë rrethanë. Sepse, edhe për një periudhë të shkurtër qeverisjeje, të gjitha arritjet e deritanishme mund të shkatërrohen. Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është shpëtimi i vetëm për Kosovën martire”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Portali Realiteti”.

Mehmeti: Rivaliteti politik dhe frika nga rritja e mëtejme e Kurtit si figurë dominuese, i pengon këto parti të bashkëpunojnë

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti tha se koalicionet në nivel lokal kanë vënë në pah mungesën e pragmatizmit politik në nivel qendror.

Ai në bashkëbisedimin me “Portali Realiteti” u shpreh se në rastet kur pushteti i prekshëm, partitë po tregohen më të gatshme për koalicione me VV-në, ndërsa kur interesi nuk është konkret refuzojnë një gjë të tillë.

“Rastet e bashkëpunimit të partive opozitare me Lëvizjen Vetëvendosje në nivel lokal, si në Vushtrri dhe Fushë Kosovë, tregojnë se në terren ekziston një pragmatizëm politik që mungon në nivel qendror. Në komunat ku interesi është konkret dhe pushteti i prekshëm, partitë po tregohen më të gatshme për koalicione me VV-në, duke e parë si partner të domosdoshëm për qeverisje lokale stabile. Ndërsa, në nivel qendror, ndjenja e rivalitetit politik dhe frika nga rritja e mëtejme e Kurtit si figurë dominuese, i pengon këto parti të shkojnë drejt një bashkëpunimi strategjik”, shtjelloi analisti.

Sipas tij, kjo është një qasje me standard të dyfishtë, ku për interesa personale bashkëpunojnë me LVV-në, kurse në rastet kur mund ta forcojnë direkt Kurtin, atëherë refuzojnë.

“Këtu shihet qartë standardi i dyfishtë në terren bashkëpunojnë për interesa të menjëhershme, por në qendër i shmangen çdo lëvizjeje që do ta forconte pozitën e Kurtit si lider.

Në fakt, kjo tregon se problemi nuk është Vetëvendosje si subjekt, por Albin Kurti si figurë politike. Partitë tradicionale e shohin atë si rrezik për ekzistencën e tyre politike, andaj parapëlqejnë një opozitë të gjallë sesa një bashkëqeverisje që do t’i zbehte edhe më shumë”, përmbylli Faton Mehmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *