TË FUNDIT

Nagavci: Kosova po ndërton baza të forta për shkencë, inovacion dhe përdorim etik të inteligjencës artificiale

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese për Kërkim dhe Inovacion, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.

Në adresimin e saj para ministrave të rajonit dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ministrja Nagavci theksoi se Kosova po ndërton baza të forta për zhvillimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe përdorimin etik të inteligjencës artificiale, në përputhje me standardet dhe politikat e BE-së.

Ajo përmendi Programin Kombëtar të Shkencës, Ligjin e ri për veprimtari kërkimore-shkencore, si dhe investimet në infrastrukturën kërkimore përmes projekteve si: sistemi i Informimit për Kërkimet në Kosovë (KRIS) dhe themelimi i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar.

“Kosova është e përkushtuar të ndërtojë një ekosistem kërkimor dhe inovativ të bazuar në vlera evropiane – cilësi, transparencë dhe etikë. Edhe sistemet e vogla mund të arrijnë përparime të mëdha kur udhëhiqen nga vizioni dhe bashkëpunimi,” deklaroi ministrja Nagavci.

Në fushën e inteligjencës artificiale, ministrja theksoi harmonizimin e Kosovës me Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale dhe iniciativat që promovojnë përdorimin e përgjegjshëm të IA-së në arsim dhe kërkim, përfshirë themelimin e Qendrës për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Prishtinës.

Takimi Ministror për Kërkim dhe Inovacion shërben si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian në fushat e kërkimit, inovacionit dhe teknologjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *