“Nuk shkon, edhe me Viçiqin edhe me UÇK-në”- Publicisti shqiptaro-amerikan me kritika të forta ndaj Edi Ramës për protestën e sotme
Publicisti shqiptaro-amerikan dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka reaguar ndaj protestës së organizuar në Tiranë nën moton “Në mbrojtje të UÇK-së”, duke theksuar se ky aktivitet, sipas tij, nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, por është i orientuar kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Shala ka analizuar rolin e kryeministrit Edi Rama dhe të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke i akuzuar se, në vend se të mbrojnë interesat kombëtare, po veprojnë në përputhje me qëllimet politike të Beogradit.
Ai e konsideron qëndrimin e Ramës ndaj çështjes së Kosovës si “të butë” dhe “të pajtueshëm me politikat serbe”, ndërsa kritikon ashpër refuzimin e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.
“Edvin Kristaq Rama – në shërbim të Serbisë, jo në mbrojtje të UÇK-së
Edvin Kristaq Rama, duke qenë në shërbim të Serbisë e jo në mbrojtje të UÇK-së, bashkë me Ali Ahmetin e sponsorizuan këtë tubim (gjoja në mbrojtje të UÇK-së), në të vërtetë kundër Albin Kurtit.
Parlamenti Shqiptar, dje me shumicë socialiste, nuk e votoi një Rezolutë për gjenocidin serb në Dardani (Kosovë), siç u tha nga demokratët, për gjysmën e kombit”, ka thënë ao.
Michael Martens: “Edi Rama mund të jetë kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga koha e Nikolla Pashiqit”
Ai theksuar se gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (2001), njohës i mirë i Ballkanit dhe sidomos i zhvillimeve gjatë periudhës së luftës së Dardanisë, ka thënë një të vërtetë me të cilën unë pajtohem tërësisht.
“Sipas këtij gazetari, i cili niset nga rasti i Banjskës, ka komentuar deklaratat e Ramës lidhur me qasjen e kryeministrit shqiptar në raport me zhvillimet në veri të Dardanisë pas sulmit terrorist – si të buta – dhe deklaratat e Vuçiqit që pretendon se nuk ka lidhje me sulmin terrorist në veri të Dardanisë, si të paqëndrueshme, të pabesueshme dhe të papranueshme.
Po të “zgjohej nga varri” një luftëtar i vërtetë i UÇK-së, hero apo martir, dhe ta shihte se kush po i prin kësaj mase dhe cilët “liderë gjithëkombëtarë”, Edi Rama dhe Ali Ahmeti, po e “nderojnë” këtë protestë në Tiranë, do të kthehej menjëherë në varr nga pamundësia për ta përjetuar këtë degradim e poshtërim të luftës çlirimtare ndaj Serbisë gjenocidale, e cila e mbuloi tokën e Dardanisë me varreza masive. Edvin Kristaq Rama nuk e pati guximin t’i vizitojë asnjëherë ato pa pëlqimin e Vuçiqit, pasi është i shantazhuar nga marrëveshje të fshehta me rrezik të lartë kundër Republikës së Dardanisë.
I gjori është në panik, sepse nuk ka kthim pas. Po të zbuloheshin ato marrëveshje, gjithçka do të dilte në dritë vetëm me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë – kjo edhe është arsyeja e angazhimit frontal të serbo-shqipfolësve të dirigjuar e orientuar nga tandemi vëllazëror Rama–Vuçiq”, është shprehur ai.
Në këtë klan mafioz antikombëtar, Shala ka thënë se janë përfshirë edhe opozita dhe krahu i luftës, të cilët ose duhet t’i nënshtrohen udhëheqësit të “Kolonës së Pestë”, ose do ta përjetojnë të njëjtin fat.
“Sjelljet nënçmuese të Ramës ndaj Albin Kurtit në takimin e Dubrovnikut – në praninë e personaliteteve amerikane dhe evropiane – treguan fytyrën e tij të vërtetë. Ai, në vend që të ngrihej për ta përshëndetur si njeri normal (besoj se ka qenë nën efekt droge), jepte shenja me dorë që Kurti të largohej, sepse e ndjente veten “nikoqir”, pasi takimi organizohej nga miqtë e tij për të cilët punon edhe sot.
Ky ishte imazhi i tij i vërtetë, që tashmë po e shfaq publikisht.
Përderisa ishte agjituesi kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale, tani – sipas kërkesës së Vuçiqit – angazhohet në çdo mënyrë vetëm që ta dëmtojë Kurtin.
Po e përsëris: si udhëheqës i “Kolonës së Pestë”, në bashkëpunim me Vuçiqin, Listën serbo-shqipfolëse – armë politike e fuqishme në Dardani – dhe “partitë e dala nga lufta”, me slogane dhe veprime të përbashkëta, nuk lë gur pa lëvizur që VV-ja të mos e sigurojë pushtetin dhe Albin Kurti të mos zgjidhet kryeministër.
Hipokrizia e Edi Ramës, si lobues vendimtar në ndihmë të “mikut” të tij Hashim Thaçi, u pa kur me urgjencë përdori helikopterin për “një situatë shumë emergjente”, duke u angazhuar maksimalisht që të themelohej Gjykata Speciale, madje duke lobuar në disa shtete evropiane si përkrahës i marrëveshjes për ndarjen e veriut – në kundërshtim me luftën e Ushtrisë Çlirimtare, e cila luftoi deri në momentin që ndërhyri tradhtia. Fatkeqësisht, ndarja ndodhi me pëlqimin e protagonistëve për të cilët po protestohet “në mbrojtje të tyre”, ka thënë Shala.
Sipas Hafiz Shalës “pjesëmarrja e këtij mercenari të Serbisë është poshtërim ndaj heronjve dhe martirëve, të cilët kur kishin nevojë për ndihmë, në vend të këtij “burrështeti” nga Shqipëria, morën ndihmën e djemve trima e atdhetarë që u rreshtuan në radhët e UÇK-së nën udhëheqjen e themeluesve të saj si Adem Jashari, Sali Çeku, Zahir Pajaziti, Murat (Rifat) Jashari, Ilaz Kodra etj”.
“Pesë vite nën udhëheqjen e Albin Kurtit, Serbia ishte eliminuar nga ndikimi në pjesën veriore, pasi filloi shtrirja e sovranitetit, largimi i barrikadave, i organeve ilegale paralele, i valutës e tabelave, shuarja e prodhimit të kriptovalutave dhe shumëçka tjetër. Për herë të parë, veriu u çlirua duke e sjellë Vuçiqin në gjendje transi psikologjik, i cili në nervozë ndryshon sjelljet, kur edhe SHBA-të e kuptuan politikën e tij destruktive dhe ia kthyen shpinën.
Armatimi i FSK-së, investimet në ushtri, hapja e fabrikave të municionit dhe armatimit, ngritja e zhvillimit ekonomik, luftimi i krimit dhe largimi i bandave terroriste e kthyen besimin tek populli, i cili për herë të parë po e shijon veriun e lirë, duke u kthyer në shtëpitë e veta dhe duke ndërtuar të reja.
Vuçiqi, duke parë se e ka humbur kontrollin në veri, filloi të shpenzojë miliarda për të zhvilluar një luftë speciale hibride dhe propaganduese të paparë përmes mediave shqipfolëse private nën kontrollin e oligarkëve në Republikën e Dardanisë, për ta bërë të pamundur kthimin e Albin Kurtit në krye të qeverisë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, frika alarmante e bashkëpunëtorëve të Serbisë përmes Listës serbo-shqipfolëse, e cila kontrollon e dirigjon partitë ish-opozitare që për 20 vjet ua ka siguruar ardhjen në pushtet me çmim tepër të lartë – ndarje dhe falje territoresh – është e lidhur ngushtë me bashkëpunëtorin më të afërt të Vuçiqit, Edi Ramën, i cili ka thurë plane të rrezikshme për Dardaninë pas shpinës së saj.
“Edi Rama, kur Dardania kërkonte që Kuvendi i Shqipërisë të nxirrte një Rezolutë për gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Dardanisë, nuk e pati guximin ta mbështeste, pasi i duhej miratimi i kriminelit Aleksandar Vuçiq, nga i cili është i shantazhuar.
Ndërkohë, ky i kërkonte Albinit të nxirrte një Rezolutë për zhbërjen e Gjykatës Speciale – për të cilën vetë ishin angazhuar që të votohej, bashkë me të akuzuarit – ndërsa Albin Kurti dhe deputetët e VV-së e kishin kundërshtuar ashpër.
Deputetët e korruptuar, të shantazhuar dhe të kontrolluar nga Lista serbo-shqipfolëse, nuk i rezistuan këtij urdhri”, ka nënvizuar Shala.
Shala ka potencuar se tubimi është i organizuar kundër Albin Kurtit e jo në mbrojtje të UÇK-së, sipas kërkesave sllavo-maqedonase, gjë që vërtetohet nga prezenca e dy “personaliteteve më të respektuara gjithëkombëtare”, Edi Rama dhe Ali Ahmeti
“Dhe për fund, dy gjëra janë të sigurta:
Së pari, tubimi është i organizuar kundër Albin Kurtit e jo në mbrojtje të UÇK-së, sipas kërkesave sllavo-maqedonase, gjë që vërtetohet nga prezenca e dy “personaliteteve më të respektuara gjithëkombëtare”, Edi Rama dhe Ali Ahmeti, të cilët po i hakmerren Kurtit për zbulimin e politikave të tyre vazaliste e antikombëtare me armiqtë e shqiptarëve, duke u përkulur sipas kërkesave të tyre të vërteta antishqiptare.
Së dyti, po tentohet rikthimi i gjendjes së mëparshme në veri të Mitrovicës, deri tek ëndrra për rikthimin e bisedimeve rreth korrigjimit-ndarjes, themelimit të Asociacionit e deri tek ringjallja e idesë së “Ballkanit të Hapur” – të gjitha këto, por pa Albin Kurtin në krye të qeverisë.
Pyetje legjitime:
A do të pajtohet populli shqiptar i Dardanisë me këtë?
Zotëri, nuk shkon – edhe me Vuçiqin, edhe me UÇK-në”, ka përfunduar Shala.