“Unë jam UÇK” ndez përplasjen politike – politologu ‘zbulon’ qëllimin: Po bëhet për të goditur…
“Unë jam UÇK”, është slogani i protestës së radhës në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Protesta e tillë, e cila filloi fillimisht në Kosovë, vazhdoni në Hagë, të premten do të mbahet në Tiranë, duke filluar nga ora 17:00.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se 60 autobusë do të nisen nga Kosova dhe sipas tij, protesta po organizohet kundër padrejtësive në procesin gjyqësor në Hagë, kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne kemi gjetur mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e Shqipërisë, nga institucionet shqiptare nga qeveria. Protesta ka karakter gjithmonë jo kundër gjykatës, jo kundër drejtësisë, por kur padrejtësisë që po ndodh në Hagë tash e 5 vite….Ne veç jemi në përfundim të organizimit na kanë mbetur edhe dy ditë të premten veçse do të mbahet protesta çdo gjë ka shkuar në atë nivelin se ka shkuar edhe më mirë sesa kemi menduar ne…07’09 Mendoj se numri i qytetarëve do të jetë bukur i madh që vetëm nga Kosova i kemi mbi 60 autobusë të konfirmuar nga shoqatat nga tri shoqatat që ne jemi duke organizuar duke falënderuar kryetarët e komunave që na kanë mundësuar transportin”, theksoi ai.
Protesta ka mbështetje nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas Gucatit ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.
Por, një protestë të tillë nuk po e mbështet Partia Demokratike në Shqipëri, të cilët kanë shfrytëzuar rastin ta akuzojnë Ramën edhe për miqësinë me Vuçiqin.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se tubimi përmban “nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës”.
“Mitingu që do bëhet ka nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës! Rama kishte planifikuar 60 minuta fjalim aty. Nuk ka asnjë njeri dëshirë që të bëjë një çështje kaq madhore, siç është genocidi, çështje partiake. Është verbëria e atyre që u urdhërojnë ju të mos votoni eksterminimin e shqiptarëve vetëm për shkak të etnisë së tyre.
Shkoni në Kosovë, shkoni në Krushë, shkoni në Reçak, shkoni në Lugin e Butë. Pata rastin të isha në verë në bjeshkët e Istogut. Nga maja, nga Sanxhaku kishin ardhur hordhitë serbe dhe kishin marrë çdo të moshuar, çdo fëmijë, çdo grua që kishin gjetur aty, të dalë jashtë zonës së luftës, i kanë grumbulluar dhe kanë ekzekutuar 54 vetë vetëm për shkak të etnisë shqiptare. Burra, mjekë, pensionistë, fëmijë.
Dhe kjo është vetëm njëra prej tyre. Si mund të ndahemi ne në këtë? Po absolutisht më shëmbëlleni, t’ua them me sinqeritet, si parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjes. Po si mundet kjo? Çfarë ka këtu? Po të dënosh genocidin është një detyrim absolut i njeriut të qytetëruar. Dhe bëhet ky diskutim. Jo mor jo. Edi Rama u tregua po aq sa Vuçiçi armik i Kosovës.
I vuri sanksionet i pari. U vu në shërbim të skenarëve për ndarjen e Kosovës. E përjashtoi nga të gjitha nismat. U përpoq për të përmbysur Albin Kurtin. Personalisht dua ta them, ne kemi homologë LDK-në, herë del e para, herë del e treta, por ne mbetemi aty. Por ne nuk e imagjinojmë kurrë që të ndërmarrim veprime subversive. Edhe mitingu që bëhet me nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës. Kishte planifikuar 60 minuta Edi Rama fjalim, njësoj si të dilte Vuçiçi të fliste aty”, u shpreh Berisha.
Edhe politologu Adnan Qaka, mendon se protesta po politizohet.
Qaka në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se kjo protestë ka më shumë karakter politik sesa qytetar.
ImageAdnan QakaFoto galeri
“Protesta ndaj Gjykatës Speciale do të ishte shumë e nevojshme nëse ajo nuk do të kishte karakter politik. Fatkeqësisht, protestat e deritanishme nuk kanë pasur efekt të dukshëm dhe në shumicën e rasteve kanë qenë të politizuara. Megjithatë, efekti potencial i një proteste të tillë do të mund të ishte ushtrimi i presionit ndaj faktorit ndërkombëtar, në veçanti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ato të përfshiheshin më drejtpërdrejt në proces – me synimin që ose të shpërbëhej Gjykata Speciale, ose të paktën të ndikohej në shpalljen e pafajësisë së ish-krerëve të UÇK-së. Në praktikë, megjithatë, kjo protestë ka karakter më shumë politik sesa qytetar. Ajo synon të përcjellë mesazhe të qarta politike, përfshirë edhe paralajmërime për tensione të mundshme në rast se gjykata shpall vendime dënuese ndaj ish-krerëve të UÇK-së”, deklaron Qaka.
Synim kryesor i protestës, sipas Qakës, është bashkimi i forcave politike kundër Albin Kurtit.
“Kështu, në thelb, protesta përbën një formë presioni politik, e cila, ndonëse në pamje të parë mund të duket si përpjekje e drejtë, mbart disa mangësi që mund të analizohen më në detaje. Pjesëmarrja e Edi Ramës në protestën e organizuar në Tiranë nga OVL e UÇK-së e kthen këtë ngjarje në një manifestim politik. Synimi kryesor duket se është bashkimi i forcave politike kundër Albin Kurtit, të cilin padrejtësisht disa e konsiderojnë si fajtor për krijimin e Gjykatës Speciale, apo si të pa interesuar për fatin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Sali Berishës nuk merr pjesë në këtë protestë për shkak të pranisë së Edi Ramës, të cilin e akuzojnë si “person që sanksionon Kosovën”, që e konsideron veriun e vendit si “tokë të askujt”, dhe si “vëlla të Vuçiqit”. Në fakt, Rama është perceptuar nga shumëkush si sabotues i interesave të shtetit të Kosovës, sidomos për shkak të rolit të tij në proceset politike që kanë cenuar integritetin territorial të Kosovës dhe për faktin që nuk ka dënuar qartazi sulmet terroriste serbe në veri të vendit”, shprehet politologu.
Situatën e ish- krerëve të UÇK-së, ai e konsideron të ndërlikuar, gjersa komenton edhe deklaratat e dëshmitarit Rubin.
“Situata aktuale e ish-krerëve të UÇK-së është mjaft e ndërlikuar, sidomos pas deklaratës së fundit të James Rubin, dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj z. Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë. Deklaratat e Rubin përbëjnë një ndërhyrje serioze në narrativën historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi ai mohon ekzistencën e strukturave drejtuese dhe organizative të UÇK-së. Një interpretim i tillë i njëanshëm bie ndesh me dokumentacionin historik dhe dëshmitë e kohës, duke cenuar karakterin politik dhe të organizuar të luftës çlirimtare”, thekson Qaka.
Protesta e së premtes në Tiranë ka gjetur përkrahje nga partitë politike PDK, AAK, të cilët edhe do të marrin pjesë, por jo edhe nga LDK e VV.
Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka përkrahur protestën, ajo nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj.
Mospjesëmarrja e LDK-së dhe VV-së, sipas Qakës, dëshmon se është ngjarje politike.
Politologu jep një kronologji të formimit të Gjykatës Speciale, gjersa shton se qëllimi i qartë i Serbisë është që të relativizojë krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi
“Mospjesëmarrja e Vetëvendosjes dhe LDK-së në këto protesta tregon qartë se bëhet fjalë për një ngjarje politike, jo qytetare, dhe rrjedhimisht nuk pritet të sjellë rezultatet e dëshiruara. LDK historikisht ka akuzuar AAK-në dhe PDK-në si përgjegjëse për vrasjet e pasluftës të aktivistëve të saj, por ky diskurs është zbehur që prej ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes. Dihet se LDK këtë temë e ka përdorur kryesisht në periudha fushatash elektorale. Paradoksalisht, vetë LDK ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, duke deklaruar se “nuk beson në drejtësinë vendore”. Problemi më i madh qëndron te fakti se themelimi i Gjykatës Speciale ishte një vendim politik, i cili rezultoi jashtëzakonisht i dëmshëm për shtetin e Kosovës. Në vend që të krijohej një gjykatë vendore që trajtonte krimet e gjenocidit serb gjatë luftës së viteve 1998–1999 – përfshirë edhe rastet e pasluftës – Kosova u detyrua të pranojë një gjykatë që në praktikë ka objekt të kundërt. Një gjë e tillë u bë e mundur për shkak të mungesës së pastrimit të sistemit të drejtësisë, që mbetet i kapur nga klane politike dhe struktura me ndikim serb. Gjykata Speciale u krijua mbi bazën e raportit të senatorit zviceran Dick Marty, i cili, pa asnjë provë konkrete, akuzoi UÇK-në për trajtime çnjerëzore dhe trafikim organesh. Ky raport u miratua më 25 janar te vitit 2011 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, me vetëm 8 vota kundër. Më 3 gusht 2015, pas debateve të shumta, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, duke hapur rrugën për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Më pas, Kuvendi miratoi edhe ligjet për funksionimin e këtyre institucioneve dhe për mbrojtjen juridike e financiare të të akuzuarve, ndërsa Kushtetuta e Kosovës u plotësua me nenin 162. Në të vërtetë, Serbia e zhvendosi qëllimisht vëmendjen nga krimet e saj dhe nga transplantet e organeve të kryera në spitalin ushtarak VMA, duke lansuar shpifjen për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë” në Shqipëri. Në fakt, ishte vet Serbia ajo që kishte kryer trafikim organesh ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këto trillime të Dick Martyt dhe Del Pontes kishin për qëllim të njollosnin luftën e drejtë të UÇK-së dhe të dëmtonin imazhin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
“Shumë dëshmi e përgënjeshtrojnë kategorikisht pretendimin për trafikim organesh nga pala kosovare. Zoran Stihoviq, specialist i mjekësisë ligjore në Beograd, ka deklaruar se një gjë e tillë ishte teknikisht e pamundur të ndodhte nga ana e palës kosovare. Ka qenë e pamundur te ndodhte nga ana e palës kosovare. Ish-drejtori i Agjencisë Serbe të Zbulimit Ushtarak (VBA), Svetko Koviq, kishte deklaruar se shërbimi sekret i ushtrisë serbe nuk posedon asnjë provë që të dëshmojë trafikimin e organeve, për të cilin flitet në raportin e Dick Martyt. Qëllimi i qartë i Serbisë është që përmes këtij narrativi të relativizojë krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në mënyrë që çështja e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë dhe në Bosnje të mbahet larg agjendave politike ndërkombëtare. Të gjitha këto synime janë të paraqitura edhe në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë të vitit 2011, i cili përbën një vijimësi të strategjisë shtetërore serbe për rishkrimin e historisë dhe zhvendosjen e fajësisë”, përfundon Qaka.
Për shkak të protestës, qeveria shqiptare ka mundësuar kalimin pa pagesë në rrugën e kombit për 24 orë, nga ora 09:00 e datës 17 tetor deri më 09:00 të datës 18 tetor.