Sytë kah Prishtina, kërkesa për debat: Ky është ‘mesazhi’ që i përçoi Çeku- Ramës
Hajrulla Çeku (majtas), Përparim Rama (djathtas)Zogaj: Prishtina në këto zgjedhje ka kandidatë shumë cilësorKasolli: Qytetarët përfitojnë nga debati i të gjithë kandidatëve
Fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka hyrën në ditën e shtatëmbëdhjetë, duke shtuar intesitetin e partive politike për premtime, mbajtje tubimesh e takime me qytetarë.
Ata po vazhdojnë të shpalosin planprogramet e tyre për qeverisjen katërvjeçare në komuna të ndryshme.
Për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë 420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Nëse ndalimi në fushatën që po zhvillohet për ta fituar kryeqytetin, shohim premtime nga më të ndryshme.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, premton se do të investojë në secilën lagje të kryeqytetit, në fshatra dhe se ndryshimi do të vijë.
Në anën tjetër, kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, i cili ka shfrytëzuar të krijojë edhe një revistë për kryeqytetin, në numrin e fundit është ndalur në mbeturinat dhe papastërtitë në Prishtinë. Sipas tij, lagjet në Prishtinë do të renovohen dhe projektet madhore priten.
Ndërsa, kandidatja nga Partia Socialdemokrate, Besa Shahini, prioritetet kryesore të fushatës i ka në: investimet në çerdhe, kopshte, transport publik dhe atë shkollor.
Përmirësim të jetës së qytetarëve të Prishtinës, premtojnë edhe kandidatët e Nisma-s dhe AAK-së, ndërsa kryetari aktual dhe kandidati edhe për një mandat nga radha e LDK-së, Përparim Rama, kujdeset që “të punojë” në ditët e fundit të mandatit, duke i liruar nga pagesa e autobusëve disa kategori, hapjen e rrugës A dhe projekte tjera që sipas tij, janë në kuadër të mandatit 8 vjeçar.
Rama madje ka premtuar edhe një epokë të re, një tramvaj me rrymë.
“Tramvaji me rrymë do të nisë lëvizjen për herë të parë në Prishtinë, duke sjellë një epokë të re të transportit publik. Përtej shinave, përtej telave. Është tramvaji që lëviz pa shina, pa tela. Rritja e kapacitetit të transportit publik për 300 persona. Përshtatet me infrastrukturën aktuale. Më pak ndotje. Zvogëlon trafikun. Siguri më e lartë. I gjelbër, i rehatshëm”, ka thënë Rama.
Por, ndryshe mendon Jeta Statovci, bartëse e listës së partisë “Guxo” për asamblenë komunale në Prishtinë.
Sipas saj, gjatë kësaj qeverisje, kryetari ka jetuar në realitet tjetër me qytetarët.
“Në Prishtinë kanë ekzistuar dy realitete, ku kryetari i komunës dhe qytetari kanë qenë në dy realitete tërësisht të ndryshme. Gjatë këtij mandati kanë qenë projekte të mëdha, megalomane dhe numër të madh të premtimeve dhe përfundon pa i dhënë zgjidhje asgjëje. Në rrafshin e realitetit të qytetarëve ka mungesa të nevojave më esenciale”, ka thënë ajo.
Gjersa, premtimet politike nuk po ndalen, kryetarët tashmë kanë filluar të ftojnë në debat njëri- tjetrin.
Hajrulla Çeku, nga Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar për debat ballë për ballë, pa praninë e kandidatëve të tjerë, kryetarin aktual dhe kandidatin e LDK-së, Përparim Ramën.
Në një postim në Facebook, Çeku ka theksuar se një debat i tillë është i nevojshëm për të sqaruar të vërtetën para qytetarëve të kryeqytetit, veçanërisht pas akuzave që Rama ka bërë ndaj tij për bllokim të projekteve gjatë mandatit të kaluar.
“Jam i sigurt që e ke kuptuar fort mirë ftesën time. Është mirë të mos fshihesh pas kandidatëve të tjerë. Unë të ftova për debat ku jemi vetëm ne të dy, si dhe moderatori. Ke qeverisë katër vjet me Prishtinën, më ke akuzuar për bllokadë. Ky është momenti i së vërtetës,” ka shkruar Çeku.
Ai i ka bërë thirrje Ramës që ta caktojë vetë ditën dhe studion, duke garantuar pjesëmarrjen e tij.
“Këtë ia kemi borxh qytetarëve të Prishtinës. Të lutem edhe një herë, caktoje ditën, zgjedhe studion, aty do të jem,” përfundon postimi i tij.
Mesazhi i Çekut dhe mundësia apo jo ta pranojë Rama
Analisti Afrim Kasolli, thotë se Rama do të pranojë një debat të tillë.
ImageAfrim KasolliFoto galeri
Sipas tij, qytetarët përfitojnë nga debati i të gjithë kandidatëve dhe jo vetëm ai që zhvillohet ndërmjet dy prej tyre.
“A do të pranojë Rama një debat të tillë? Po kryetari aktual i Prishtines, Përparim Rama e ka bërë të qartë se është i gatshëm të ballafaqohet me të gjithë kandidatët për kryetarë, dhe jo duke e selektuar vetëm njërin nga ta. Qytetarët përfitojnë nga debati i të gjithë kandidatëve dhe jo vetëm ai që zhvillohet ndërmjet dy prej tyre e duke i përjashtuar të tjerët. Sepse kjo do t’ua pamundësonte banorëve të kryeqytetit që të kenë mundësi që t’i dëgjojnë të gjjtha alternativat për drejtimin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme”, thotë Kasolli për “Bota sot”.
Sipas tij, duke ftuar vetëm Ramën në debat, Çeku ka metuar të përçojë mesazhin se oponentët tjerë nuk janë seriozë.
“Me këtë mënyrë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, ka menduar ta përçojë mesazhin se oponentët tjerë nuk janë seriozë për këtë garë. Beteja kryesore do të jetë ndërmjet tij dhe kryetarit aktual, Përparim Rama. Prandaj, ajo duhet të zhvillohet vetëm ndërmjet tyre. Mirëpo, një skenar i tillë ka kuptim vetëm në balotazh, nëse të njëjtit e kalojnë këtë fazë, e jo aktualisht”, shton analisti.
Gara e vështirë dhe mbrojtja e dinjitetshme e postit
Ndërsa, analisti Skënder Zogaj, konsideron se Prishtina këto zgjedhje ka kandidatë shumë cilësor.
Sipas tij, gara nuk do të jetë e lehtë për asnjërin.
“Fushatat janë shfaqje të ngjashme me shfaqjet teatrore, të cilat realizohen nga një skenar, që inskenohet nga një regjisor dhe që e luajnë aktorët e zgjedhur për ta bërë shfaqjen sa më të mirë dhe sa më të bukur! Ky është edhe qëllimi i fushatave zgjedhore që motiv kryesor e kanë pasqyrimin e vlerave të kandidatëve të zgjedhur për garë nga subjektet politike! Prishtina në këto zgjedhje ka kandidatë shumë cilësor, nga të gjitha partitë politike, prandaj gara nuk do të jetë aspak e lehtë për asnjërin. Kështu që taktizimet janë plotësisht normale, si pjesë e shfaqjes dhe e talentit të aktorëve! Jemi 25 vjet pas luftës, pra në fazën e një konsolidimi të ri sipas kritere të reja nga tradita bashkëkohore e vendeve të avancuara demokratike”, deklaron Zogaj.
ImageSkënder ZogajFoto galeri
Kërkesën e Çekut, ai e konsideron taktizim dhe sipas tij debati mes dy kandidatëve i jep mundësi të shprehin idetë e tyre programore dhe të krijojnë rast më të qartë votuesve.
“”Loja” parazgjedhore, është me ndikim në rezultatin elektoral dhe parasinjal i kualitetit qeverisës! Nuk është aspak për t’u habitur nëse ka taktizime të kandidatëve, sepse janë adut i rëndësishëm e me ndikim në rezultati e zgjedhjeve! Kështu e shoh kërkesën e kandidatit të VV për ballafaqim me Kryetarin aktual, kandidat nga LDK-ja, Përparim Rama! Nuk dua të kalkulojë, por këtë propozim e vlerësoj sepse, debati ndërmjet dy kandidatëve u jep mundësi më të plota që të shprehin idetë e tyre programore dhe i krijojnë rast më të qartë votuesve për tu përcaktuar kush duhet me qeverisë me Kryeqendrën e Kosovës!”, shton analisti,
Ai pret në debat konstruktiv, gjersa shton se Rama duhet ta mbrojë postin me dinjitet dhe dinjitetshëm duhet ta pretendojë postin Çeku.
“A do ta pranojë Rama nuk e di, sepse, edhe ai mund ta ketë variantin e tij që i duhet, por nëse e pranon pres takim interesant në TV. Qytetarët e komunës së Prishtinës nga ballafaqimi përfitojnë shumë sepse, debati është një test të aspiratës qeverisëse! Pres debat konstruktiv, sepse çdo devijim nga e duhura, i shkakton dëm atij që e bënë! Pra, Rama duhet ta mbrojë postin me dinjitet dhe dinjitetshëm duhet ta pretendojë postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës Hajrulla Çeku!”, përfundon Zogaj