Pas ankesës së VV-së, PZAP gjobit LDK-në me 5100 EURO pasi që Përparim Rama bëri fushatë në mbledhjen e Asamblesë në Prishtinë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me gjobë 5,100 euro Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke konstatuar se ky subjekt ka shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Vendimi erdhi pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila akuzoi kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, se më 24 shtator 2025 ka përdorur mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës për të bërë thirrje elektorale në favor të subjektit të tij politik.
Sipas PZAP-it, një veprim i tillë përbën shkelje serioze, pasi demonstron abuzim me institucionet publike për qëllime partiake, gjë që dëmton parimet e barazisë dhe ndershmërisë së garës zgjedhore.
LDK obligohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.