TË FUNDIT

Kryetari i Shtimes reagon ndaj deklaratave skandaloze të avokatit Mujaj: E turpshme të nënçmohet Shtimja për shkak të një institucioni social

Kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate skandaloze të avokatit Muhamet Mujaj, dhënë mbrëmë në emisionin “Krejt N’debat” në RTV Dukagjini, ku ky i fundit bëri një koment denigrues, fyes dhe nënçmues ndaj qytetit të Shtimës dhe Institutit Social që ndodhet aty.

“Nuk është naj far gare për Shtimen, me çka njihet Shtimja që e ka fitu Lëvizja Vetëvendosje, me një institucion psikiatrik atje kurgja tjetër s’ka” ka thënë mbrëmë në emision avokati Muja

Në një reagim publik, Kryetari Aliu e ftoi avokatin Mujaj për një vizitë në Shtime “për kafe dhe për të mësuar për historinë, krenarinë dhe zhvillimet që e karakterizojnë këtë komunë”, duke përmendur veçanërisht Masakrën e Reçakut dhe rolin historik të Shtimes në luftën për liri.

“Është gabim që në mënyrë të papërgjegjshme të tentohet të reduktohet identiteti i një komune për shkak të Institutit Social ku ofrohet përkujdesje meritore për pacientët që kanë nevojë nga e gjithë Kosova,” tha Aliu në reagimin e tij.

Ai shtoi se tentativa për të nënçmuar Shtimen mbi këtë bazë është “e turpshme dhe e sikletshme vetëm të mendohet aq poshtë.”

Aliu theksoi se Shtimja nuk përfaqësohet nga paragjykime të tilla, por nga ngjarje dhe figura historike madhore, përfshirë Masakrën e Reçakut, ambasadorin William Walker, dhe dhjetëra intelektualë, mjekë dhe profesionistë që kanë përfaqësuar Kosovën me dinjitet brenda dhe jashtë vendit.

Kryetari gjithashtu përmendi investimet moderne në qytet dhe projekte si Observatori dhe Planetariumi, të vetmit të këtij lloji në Kosovë, si dëshmi e zhvillimit dhe inovacionit që po e karakterizojnë Shtimen në ditët e sotme.

“Kushdo që guxon ta reduktojë Shtimen në një paragjykim të ulët, përveç mungesë respekti e ofendim të ulët, shpërfaqë edhe injorancë mbi historinë,” u shpreh Kryetari.

Në fund të reagimit, z. Aliu theksoi se avokati “duhet të ndihet i detyruar t’u kërkojë falje qytetarëve të Shtimës dhe atë sa më parë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *