OPINIONTË FUNDIT

Unë insistova! Unë e shpalla! Unë e financova!

Vini re! Ky shkrim është botuar në vitin 2010, në një kohë kur Hashim Thaçi ishte “vet Perëndia”, mbante nën sqetull pothuajse të gjithë gazetarët, analistët dhe mediat shqiptare; kur fjala kritike ishte e rrallë dhe shpeshherë e rrezikshme. Atëherë nuk ishte aspak e lehtë të dilje publikisht me një analizë të tillë, sepse pushteti kishte përqafuar fort skenën mediatike, gjyqësorin dhe çdo zë i pavarur dukej si një sfidë e guximshme.

Sot, kur nga Haga po tentohet të na shitet një tjetër histori për të shkuarën e tij dhe të UÇK-së, ia vlen të rikujtojmë se ka ekzistuar edhe kjo anë e kundërt, një zë kritik, i pakompromis, që nuk u pajtua me servilizmin e kohës. Duhet theksuar se në këtë debat të RTK-së, si gazetar, ndër të tjerët, ishte edhe Milazim Krasniqi (PDK) babai i Memli Krasniqit (PDK) dhe Ramush Tahiri.

Lexo më poshtë shkrimin:

Unw insistova! Unë e shpalla! Unë e financova!

Nga Gëzim Mekuli, kritik i medieve

Hashim Thaçi në “debat” me gazetarë. Me tre gazetarë “të kujdesshëm” e paksa edhe të frikësuar. Hashim Thaçi flet në vetën e parë njëjës: “Unë”. “Unë jam ideator”, “Unë jam themelues”, “Unë jam strateg”, “Unë jam nismëtar”, “Unë jam politikan me përmasa planetare”… “Unë”, “Unë”, “Unë”… Pafundësisht, Unë!

Në këtë “debat” ai as nuk theksoi fuqinë intelektuale dhe politike të partisë së tij; nuk madhëroi dhe foli tragjikisht pak për sakrificën e popullit shqiptar. Pasojat e këtij përqendrimi tek vetja e tij e kanë bërë politikën e Thaçit më pak të rëndësishme për popullin. Ai po krijon përshtypjen se politika dhe ekzistenca e shqiptarëve të Kosovës lidhet vetëm me të. Zhvillimi politik, ekonomik e arsimor, sipas tij, lindë dhe gjallëron vetëm në kokën dhe zyrën e tij!

Mendimet e Hashim Thaçit në këtë “debat” janë tepër shqetësuese. Fjalët e tij, me karakter fushate parazgjedhore, synojnë të çimentojnë depërtimin e mendimit akademik universitar; ai përsëri dëshmoi se nënçmon dhe shigjeton debatin dhe kritikën shkencore që vjen nga gazetarët dhe intelektualët që nuk i takojnë partive politike.

Opinioni publik ka filluar të kuptojë fjalorin retorik të Hashim Thaçit, por nuk është e sigurt nëse kemi filluar të kuptojmë edhe gjuhën e tij jo-verbale, gjuhën e trupit (body language).

Çfarë mendoni ju, të dashur lexues? A është e mençur tundja e kokës përderisa tjetri flet e të kritikon?

Në “debatin” e së premtes në RTK, ku ishte i ftuar kryeministri i Kosovës, pamë një shfaqje të qartë të retorikës së fortë. Hashim Thaçi u vetëzbulua edhe si folës jo-verbal. Fjala e tij ishte e zbrazët, pa argumente. Ai ishte kopjues i keq, sepse teknika e debatit të tij ishte ajo e vjetër: kopjo e recito.

Një nga karakteristikat e Thaçit ishte gjuha agresive e trupit të tij përderisa pjesëmarrësit e tjerë flisnin. Kjo sjellje dhe lëvizje e trupit të “mysafirit”, përderisa debatuesit e tjerë flasin, në shkencën e retorikës quhet “sjellje në sfond” (background behaviour). Thaçi shpesh bart një sjellje shumë aktive në sfond.

Në “debate” ai përdor kundërshtimet jo-verbale ndaj kritikëve të tij. Kur, për shembull, analisti Ramush Tahiri kishte fjalën, nuk ishte e pazakontë që Thaçi me duar, gishtërinj, sy dhe mimikë të tentonte të tregonte qartë se kundërshtari e kishte plotësisht gabim.

Kur ai u kritikua për lirinë e medieve dhe sistemin shëndetësor, papritmas u përkul prapa në karrige dhe mori frymë thellë. Kështu Thaçi, përmes gjuhës së trupit, dërgoi një sinjal se debatuesit e kishin keqkuptuar.

Më e zakonshmja për të kritikuar përmes sjelljes në sfond tek Thaçi është tundja mohuese e kokës së tij. Në këtë mbrëmje, kur njëri nga gazetarët e kujdesshëm përdori argumente përpara tij, Thaçi në mënyrë të pakontrolluar tundte kokën dhe shikonte në panik majtas–djathtas, duke e larguar vëmendjen e kameramanit nga gazetari dhe duke e tërhequr mbi vete.

Përmes gjuhës së trupit, ai arriti dy efekte: të mbetej në qendër të vëmendjes dhe të dërgonte shenja tek shikuesit se gazetari nuk dinte se çfarë ishte duke folur.

Për kameramanët kjo sjellje në sfond krijon një mundësi të mirë për të bërë televizion më aktiv e më të gjallë. Kjo lëvizje e tepërt dhe artificiale e duarve dhe kjo gjuhë e trupit prodhon dramë dhe emocion, sidomos kur shikuesi sheh ndërprerjet dhe mosrespektin ndaj të tjerëve në sallën televizive. Problemi është, natyrisht, se ne shikuesit nuk ishim në gjendje të dëgjonim e as të kuptonim atë që deshi të thoshte Thaçi debatuesve gazetarë dhe publikut televiziv.

Shumica prej nesh, ndoshta në mënyrë intuitive, mendojnë se kjo sjellje negative dhe kritikuese në sfond e Thaçit është e papërshtatshme, shqetësuese dhe problematike nga pikëpamja etike. Problem është edhe fakti se kjo është strategjia retorike e Thaçit për të fituar debatin.

Por jo, kjo nuk është e tëra. Nuk duhet harruar se në debatet televizive përfshihen jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe shikuesit. Dhe, jemi ne shikuesit që vendosim se kush do të fitojë ose kush do të humbë. Studimet që merren me sjelljet negative dhe agresivitetin në situata të tilla tregojnë se është opinioni publik ai që ndëshkon sjelljet jo-verbale mohuese, si p.sh. të këtij mendjemadhi ballkanik.

Pra, opinioni publik nuk vlerëson vetëm sjelljet negative dhe përjashtuese të politikanit, por edhe gjuhën e trupit të tyre. E, gjuha e trupit dhe mimika e Thaçit të premten ishte nënçmuese dhe ofenduese, jo vetëm për kundërshtarët politikë dhe gazetarët e ftuar në “debat”, por edhe për shikuesin dhe popullin në përgjithësi. Kjo paraqitje e tij shkakton pa mëdyshje besueshmëri të ulët. Shikuesi argumentet e Thaçit i merr si të pasakta dhe pak bindës.

Hashim Thaçi, ju mund të tundni kokën në një “debat” televiziv dhe të lëvizni duart ashtu si ju kanë këshilluar, por çfarë mendoni ju nëse populli, për përbuzjen dhe manipulimin që i bëhet nga politikat në pushtet, nesër, në zgjedhje të lira, në shenjë mohuese do të tundë kokën e tij?

Analizë e botuar në një kohë kur mbretëronte dhuna psikologjike, verbale dhe fizike nëse guxoje të kritikoje regjimin. Autori është kërcënuar me jetë përmes telefonatave dhe mesazheve për këtë shkrim dhe shkrimet tjera kritike të kohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *