OPINIONTË FUNDIT

“I përfshirë edhe SHISH” / A do ta zbardhë Gjykata Speciale vrasjen e Ahmet Krasniqit?

Sot shënohet 27-vjetori i vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të parë të Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në këtë përvjetor, Kolonel Krasniqi kujtohet si një nga figurat kryesore në organizimin e mbrojtjes së Kosovës dhe themelimin e strukturave ushtarake gjatë periudhës së luftës.

Kolonel Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 në Tiranë, ndërsa rrethanat e ngjarjes vazhdojnë të mbeten të paqarta. Shpresat tanimë janë te Gjykata Speciale, që t’i japë një epilog përfundimtar kësaj enigme.

Por kur proceset gjyqësore po shkojnë drejt fundit në Speciale, analisti Nexhat Haziri shprehet se ka pak shpresa që kjo gjykatë do t’i japë fund kësaj vrasjeje makabre.

“Thënë sinqerisht, përkrahja ime për Gjykatën Speciale ka qenë e bazuar në mundësinë që kjo gjykatë t’i zbardhë vrasjet politike gjatë dhe pas periudhës së luftës. Por deri më tani nuk kemi parë, së paku publikisht gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën Speciale, të jenë trajtuar këto raste. Dhe tani edhe kur po afrohet fundi i mbylljes së këtij procesi, lë shumë pak shpresë që rastet e vrasjeve politike, sikur e Kol. Ahmet Krasniqit, të marrin epilogun e duhur,” thotë Haziri.

Ai thekson se për shkak të mungesës së vullnetit politik, vrasja e Krasniqit nuk është zbardhur tash e 27 vite.

“Kështu që edhe pas 27 viteve nga vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit, ministrit të parë të Mbrojtjes, nuk kemi parë se është marrë ndonjë veprim nga institucionet e drejtësisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Dhe kjo për mungesë të vullnetit politik, si në Tiranë po ashtu edhe në Prishtinë,” shprehet Haziri.

“Dhe po ashtu duhet marrë parasysh edhe këtë, pasi rasti i vrasjes së kolonel Krasniqit është mjaft kompleks, për arsye të involvimit në këtë vrasje edhe të institucioneve të shtetit shqiptar të kohës, siç ishte SHISH-i por edhe strukturat e tjera të sigurisë. Dhe këto mbase kanë penguar që gjithë këto vite të mos ketë ndonjë veprim në drejtim të zbardhjes së kësaj ngjarjeje. Andaj, për fat të keq, sikur këto ngjarje, edhe vrasjet politike nuk do të kenë një epilog përfundimtar të vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe dënim për kriminelët dhe urdhërdhënësit e tyre,” përfundon analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *