TË FUNDIT

Eurodeputetët: Kjo Serbi nuk ka vend në Bashkimin Evropian

Serbia gjatë dhjetë muajve të fundit ka arritur një nivel të ri të represionit, dhunës dhe polarizimit, vlerësuan eurodeputetët, gjatë debatit në Strasburg mbi gjendjen e demokracisë në Serbi. Sipas tyre, presidenti Aleksandër Vuçiq ka vendosur një model autoritar pushteti, i cili nuk ka vend në Bashkimin Evropian.

Eurodeputetët theksuan se është e domosdoshme të ndalet degradimi i mëtejshëm i demokracisë. Pas këtij debati, një pjesë e opinionit në Serbi konsideron se diskutimi në Parlamentin Evropian mbi përdorimin e forcës kundër protestuesve ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes BE-së dhe autoriteteve në Beograd.

Debati në Parlamentin Evropian mbi ndërhyrjen brutale të policisë gjatë protestës në Novi Sad ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet midis BE-së dhe autoriteteve në Beograd. Ekspertët dhe opozita theksojnë se tonet nga Brukseli janë ashpërsuar ndjeshëm.

“Është e qartë se Bashkimi Evropian, ngadalë por me siguri, po fillon të ndryshojë kursin ndaj Serbisë. Kjo shihet qartë jo vetëm përmes debatit në Parlamentin Evropian, por edhe përmes mesazheve nga Partia Popullore Evropiane se do të hapet një debat i brendshëm mbi anëtarësimin e partisë se Vuçiqit. Situata në Serbi po bëhet më e ndërlikuar, dhe autoritetet gjithnjë e më shumë po i afrohen vijës së kuqe pas së cilës as vetë Komisioni Evropian nuk do të mund të heshtë”, tha Bojana Selakovi, koordinatore e Konventës Kombëtare për BE,

Në Parlamentin Evropian ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës serbe pro-evropiane, të cilët paralajmëruan se regjimi i Vuçiqit e kishte futur vendin në një krizë të thellë politike dhe i kërkuan BE-se të mbështesë qytetarët, të njohë presidentin serb si autokrat dhe të vendosë sanksione ndaj funksionarëve të lartë për dhunën policore.

“Serbia ndodhet në një krizë të madhe shoqërore dhe politike. Për ne është me rëndësi që në këto momente të vështira për demokracinë tonë të kemi mbështetjen e BE-së, e cila shumë qartë dënon atë që po ndodh në Serbi, shkatërrimin e plotë të institucioneve dhe të shoqërisë në tërësi”, tha Radomir Lazoviq nga Fronti i Gjelbër dhe i Majtë.

Një nga përfundimet kryesore në debatin në Strasburg ishte kërkesa që Parlamenti Evropian të dërgojë mision në Serbi për të monitoruar situatën. Ekspertët theksojnë se Serbia, ndonëse kandidate për BE, nuk plotëson kriteret dhe BE-ja duhet të zgjedhë mes vazhdimit të politikës aktuale ose të zbatojë mekanizma më të ashpër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *