OPINIONTË FUNDIT

Opozita në shërbim të Vuçiqit? – Geci akuzon LDK-në dhe PDK-në për tradhti politike

Përmes një reagimi të ashpër, Halil Geci ka lëshuar një thirrje të fortë ndaj partive opozitare në Kosovë, duke i akuzuar për veprime që, sipas tij, i shërbejnë interesave të Beogradit dhe Moskës.

Në një postim në Facebook, Geci kritikon ashpër udhëheqësit e LDK-së dhe PDK-së, Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin, për qëndrimet e tyre rreth funksionimit të institucioneve pa përfaqësuesin serb në kryesinë e Kuvendit, transmeton “Bota sot”.

Ai paralajmëron se kjo qasje mund të çojë në bllokadë të shtetit dhe rrezik të sovranitetit të Kosovës, ndërsa kërkon nga opozita të ndalë, siç e quan ai, manipulimin e opinionit publik dhe lojërat politike që i shkojnë për shtat vetëm Vuçiqit dhe interesave ruse në rajon.

Shkrimi i plotë

Thirrje për opozitën: mos e pengoni shtetin, mos u bëni vegël e Beogradit dhe Moskës!

Nuk jam jurist, por secili e sheh: opozita po i shërben Beogradit.

Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi po i japin Listës Serbe veto mbi shtetin ,kjo është tradhti politike

“Në çështjet kushtetuese, edhe një presje mund ta përmbysë kuptimin,” thotë juristi dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

Prandaj, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri duhet të ndalojnë manipulimin e opinionit publik.

Është një gjë të thuhet se procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve minoritarë nuk është ndjekur mirë, por është krejt tjetër të thuhet se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Kjo që po e thonë LDK-ja dhe PDK-ja i shërben vetëm Listës Serbe.

Po t’i ndjekim këto deklarata, atëherë Kosova bëhet peng i Beogradit dhe i Moskës ,sepse nëse Lista Serbe nuk propozon kurrë nënkryetar, sipas tyre, shteti nuk do të mund të funksionojë kurrë.

Ky është skenar që e do vetëm Vuçiqi, dhe është pikërisht ajo që e fuqizon ndikimin rus në Kosovë.

Mos e mashtroni popullin!

Mos i jepni Listës Serbe të drejtë veto mbi institucionet e Kosovës.

Kushtetuta nuk e ndalon Kuvendin të funksionojë pa nënkryetarin serb – kjo është thjesht një shpikje politike për të bllokuar shtetin dhe për të përfituar pushtet.

Ky është vazhdimi i marrëveshjes së vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Vuçiqi, që e futi Kosovën në këtë bllokadë.

Sot Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku po e vazhdojnë të njëjtën rrugë, duke e mbajtur peng Kosovën për interesa të ngushta partiake.

Sa më shumë që vononi konstituimin e institucioneve, aq më shumë populli po e kupton tradhtinë tuaj.Koha e marrëveshjeve të fshehta dhe e lojërave të Beogradit ka mbaruar – populli i Kosovës nuk do të lejojë që shteti të shkatërrohet për ambiciet e disa politikanëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *