Përplasje doktrinash: Kryeziu kundër Hasanit për konstituimin e Kuvendit
Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj qasjes së ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, në themel po përplasen dy doktrina juridike – ajo teknike e Hasanit dhe ajo filozofike që ai vetë përfaqëson.
“Kushtetuta nuk është thjesht tekst teknik, por mbi të gjitha filozofik. Interpretimi që Kuvendi konstituohet vetëm pasi të zgjidhen të gjithë nënkryetarët është i rrezikshëm dhe bie ndesh me nenin 1 dhe 3 të Kushtetutës,” thekson Kryeziu.
Ai paralajmëron se ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese i jep pakicave fuqi vetoje, duke rrezikuar karakterin unitar të shtetit. “Nëse dështoj me argumente, do t’i bashkohem revoltës popullore për mbrojtjen e Republikës,” u shpreh ai.
Shkrimi i plotë:
recommended by
Mikoherb
Габата се плаши од ова како оган!
Дознај повеќе
Në thelb, krejt çka është duke ndodhur rreth çështjes së nënkryetarit serb të Kuvendit është një përplasje në mes të dy doktrinave juridike, doktrinës së Enver Hasanit me të cilën veprojnë një pjesë jo e vogël e juristëve, por siç po duket edhe Gjykata Kushtetuese, dhe doktrinës time. Pra, nëse i shikojmë numrat, doktrina e Enverit e ka përkrahjen e shumicës dhe prapa meje është vetëm një pakicë e vogël.
Do të doja shumë që e gjithë kjo të ishte thjesht një përplasje egosh, sepse nuk do mendoja dy herë dhe do të tërhiqesha në qetësinë e pleqërisë sime. Do të doja shumë që kjo të ishte vërtet vetëm një përplasje mes diturisë dhe paditurisë, sepse nuk do e kisha problem fare ta merrja mbi vete damkën se unë qenkam i padituri dhe Enveri është një gjeni dhe mendje e ndritur. Do të doja shumë, por nuk është asnjëra nga këto, sepse kjo është përplasje pa kompromis në mes dy filozofive të ndryshme shkencore dhe jetësore.
Ku qëndron dallimi doktrinar mes meje dhe Enver Hasanit? Enveri dhe unë dallojmë në mënyrën si i qasemi kushtetutës.
Edhe pse ka lexuar dhe lexon shumë, Enver Hasani megjithatë kushtetutës i qaset me logjikën e analizës së zakonshme juridike që përdoret kur analizohet dhe interpretohet një ligj ose një akt nënligjor. Kjo është logjika më e përhapur juridike, sepse është tipike për analiza dhe interpretime të çështjeve administrative, penale apo civile. Në esencë, kjo logjikë juridike është thellësisht teknike dhe e lirë nga ngarkesat filozofike.
Si akte juridike, ligjet dhe aktet nënligjore janë norma juridike të pastruara tërësisht nga elementi filozofik i së drejtës, sepse ato janë shtjellim teknik i parimeve filozofike të përkufizuara në kushtetutë. Në këto raste, meqenëse juristi është i sigurt që analiza dhe interpretimi nuk prek në çështje filozofike, e që janë esenciale për funksionimin e shtetit, normës i qaset me ftohtësi teknike. E mira e gjithë këtij muhabeti është se edhe nëse bëhen gabime dëmi është i lokalizuar, por edhe i korrigjueshëm sepse çështja mund të shkojë për trajtim në gjykatat e faktit e në raste të caktuara edhe në gjykatën kushtetuese. Por kjo nuk vlen për shqyrtime e interpretime kushtetuese.
Nëse e keni kuptuar drejt këtë që e thash më sipër atëherë do ta kuptoni pse Enver Hasani flet me aq shumë vetëbesim kur e interpreton procesin e konstituimit të Kuvendit. Në mendjen e tij, kapitulli i dytë i kushtetutës është thjesht një ligj tjetër apo një akt tjetër nënligjor i pastruar nga ngarkesat filozofike. Kur ai thotë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët, ai është thellësisht i bindur se ky qëndrim nuk prodhon asnjë pasojë juridike të dëmshme për shtetin. Pra, gjatë interpretimit të kushtetutës, doktrina e Enver Hasanit nuk mendon fare për parimet themelore të shtetit.
Në mënyrë që të mos keqkuptohem, dua të jem edhe më i qartë. Enver Hasani vërtet është një njeri i poshtër, por nuk është më pak shqiptar se unë apo kushdo tjetër dhe as nuk është njeri i padijshëm. Pakujdesia e tij nuk është produkt i faktit që ai nuk e kupton rëndësinë e parimeve themelore të shtetit apo sepse do që ato qëllimshëm t’i lëndojë. Ai thjesht është brutalisht i pakujdesshëm, sepse është thellësisht i bindur se qëndrimi i tij ka vetëm implikime teknike dhe nuk ka asnjë implikim filozofik.
Doktrina ime është esencialisht e kundërt. Për dallim nga Enver Hasani, unë jam i vetëdijshëm që kushtetuta në radhë të parë është një tekst filozofik dhe vetëm më pas edhe teknik. Në organikën e kushtetutës, pjesa filozofike e kushtetutës qëndron lart në kushtetutë, në kapitullin e parë të saj, përkatësisht te dispozitat themelore. Dhe kjo është pjesa e vetme e kushtetutës që e ka fuqinë e dogmës.
Ajo çfarë Enver Hasani dhe juristët e tjerë nga pakujdesia e neglizhojnë është fakti esencial i hierarkisë së normave përbrenda kushtetutës. I lus kolegët juristë, e sidomos kolegët që i kemi në Gjykatën Kushtetuese që të jenë të vëmendshëm për çështjen si vijon.