Mirë, Serbia e ka shpallë qëllimin e saj për Kosovën, po shqipfolësit pse kërcënojnë me luftë vëllavrasëse?!
Në veri të Kosovës janë gjetur grafite shoviniste të Serbisë me të cilat ushqehet prej shekujsh nacionalizmi serb. Në këto grafite ka gjithashtu kërcënime për jetën e kryeministrit të Kosovës. Albin Kurti, ishte gjithashtu në gjykatën themelore të Prishtinës si dëshmitar i një padie kundër një kërcënesi me emër shqiptar, i njohur si pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkoi aty për t’i thënë trupit gjykues se “Asnjë veteran i UÇK-së nuk e ka kërcënuar dhe nuk e kërcënon kryeministrin e vendit”! Ndërkohë në Bujanovc, ku banorët shumicë dërmuese janë të etnisë shqiptare, u shfaq fotografia e Radko Mlladiç. Dhe krahas kësa fotografie në Serbi e vende tjera ku banojnë serbë shfaqen vazhdimisht fotot e kriminelëve të luftës në Bosnjë-Hercegovinë e në Kosovë, shoqëruar edhe me fotograinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërkohë në Shqipëri ka nis fushata e shpifjeve për çdokënd që është patriot dhe e do vendin e tij, duke i dhënë etiketën e “spiunit serb”! Një farë i ashtuquajturi avokat, Idajet Beqiri, merr madje fotot e patriotëve shqiptarë i ve në krah të fotos së Radko Mlladiç, Radovan Karaxhiq apo Sllobodan Milosheviç, me qëllim që të bëjë paralelizmin e “tradhtisë” kombëtare të atyre burrave që në fakt e mbrojnë me përkushtim Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Spiunët kanë filluar të thirren në emër të patriotizmit. Ata po na thonë çdo ditë e çdo natë në ekrane televizive se “duke spiunuar për shërbimet sekrete të Serbisë, i kanë shërbyer Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarisë”!
Çfarë po ndodh kështu? Ku jemi dhe ku po shkojmë? Në një anë shovinistët ekstremistë serbë na venë në shënjestër deri me kërcënime për eleminimin tonë fizik. Nga ana tjetër një i ashtuquajtur veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërcënon po ashtu me jetë kryeministrin e Kosovës? Nga një anë Serbia na tund fotot e kriminelëve sadistë e gonocidistë të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Nga ana tjetër shipfolësit spiunë akuzojnë patriotët për tradhti e spiunim?! Kush dreqin po i lëviz këto fije të zallamahisë dhe përçarjes sonë kombëtare? Pse jemi bërë kaq të ligj dhe të pafytyrë, sa t’i bashkohemi lojës së interesave të armikut tonë shekullor kundër vetëvetes?!
Gjithçka që ndodh në Shqipëri e sidomos në Kosovë duket se e orkestron Beogradi. Kur u akuzuan tre ose katër ish komandantë të UÇK-së në Hagë e deri më sot qarkullon sllogani se kjo gjykatë drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për pasojë edhe kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Sigurisht që Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk është instrument që na bën të lumtur e aq më pak na bën krenarë. Por paradigma e shenjës së barazimit midis katër të akuzuarve dhe UÇK-së, në vend të përhapej nga Serbia u përhap nga ne shqipfolësit. Tani po duket qartë se qëllimi paska qenë të homogjenizohen e përdoren veteranët e UÇK-së kundër kujtdo që nuk i bashkohet kësaj paradigme. Çuditërtisht iniciatorët e kësaj thagme ishin para gati pesë vitesh ata që njihen publikisht si bashkëpunëtorë të shërbimit sekret serb të kohës së Milosheviçit. I pari që nisi fushatën e tillë përçarëse ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe më pas bashkëpunëtori i shefit të UDB-së, Stanishiqit, Baton Haxhiu, me regjinë e Ramës shpiku slloganin “Liria ka emër”!
Deri këtu mund të thuhet se nuk kishte ndonjë gjët të keqe. Por fara që u mboll atëherë po rezulton ndryshe. Gjithçka qenka projektuar për të përçarë faktorin politik shqiptar dhe për të kërcënuar njëri-tjetrin me vëllavrasje! Dhe kjo po ndodh pikërisht në momentin kur serbët e Beogradit e kudo që munden na i tundin me kërcënim fotot e Putin, Mlladiq, Vuçiq, Radoiçiq, Dodik dhe terroristëve të tjerë anti-shqiptarë përpara turinjve. Nga një anë gishti kërcënues i ndonjë veterani i ndikuar nga propaganda Rama-Baton, nga ana tjetër kolonat serbe të destabilizimit të Kosovës. Dhe ndërsa ekstremistët serbë kërcënojnë për ta ripushtuar Kosovën, ekstremistët shqipfolës kërcënojnë për pushtet.
E gjitha kjo na kujton dhe rifreskon memorien e sjelljes së pasluftës të disa komandantëve dhe veteranëve të luftës. Ajo sjellje çoi në eleminimin fizik të kundërshtarëve politikë në luftën për pushtet. Dhe nëse ka shqiptar që lutet për diçka nga kjo gjykatë, është dëshira për të zbardhur krimet politike kundër Enver Malokut, Xhemajl Mustafës, Shaban Manajt, Ukë Bytyçit, Komandant Drinit, Smajl Hajdarit apo të gazetarëve të “Bota sot”!
Por fatkeqësisht sjellja e viteve të pasluftës po kërcënon të rikthehet si luftë për eleminim fizik në emër të rimarrjes së pushtetit, sërishmi për ta vjedhur dhe grabit Kosovën! Në një farë mënyre edhe Serbia e dëshiron Kosovën si plaçkë për pasuritë e saj. Por edhe ata shqipfolës që kërcënojnë sërishmi me vëllavrasje, e bëjnë këtë për ta plaçkit Kosovën!
Fatkeqësisht gjyqësori nuk po vepron me forcën e ligjit për t’u dhënë fund këtyre akteve kriminale dhe anti-shqiptare!