OPINIONTË FUNDIT

“Kosova nuk mund të mbetet peng i një nënkryetari”

Ekipi ligjor i Presidencës po analizon procesin e konstituimit të Kuvendit, pas polemikave mbi ligjshmërinë e shpalljes së tij si të përfunduar nga kryetari Dimal Basha më 30 gusht.

Presidenca njoftoi se më 1 shtator, presidentja Vjosa Osmani është takuar me Bashën për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt konstituimit të plotë të Kuvendit.

Profesori universitar, Kolë Krasniqi, një prononcim për “Bota sot”, thotë se Kosova ndodhet në një ngërç politik dhe kushtetues 139 ditë pas zgjedhjeve.

Ai thotë se Kuvendi është shpallur i konstituuar pa nënkryetarin nga komuniteti serb, gjë që ka sjellë bojkot të opozitës dhe bllokim të punës së tij. Presidentja po pret analizën ligjore, ndërsa institucionet funksionojnë vetëm pjesërisht.

“Kanë kaluar 139 ditë prej zgjedhjeve dhe Kosova ende nuk ka as Kuvend të konstituuar plotësisht, as qeveri të re. Çfarë do të duhej të ishte një proces rutinë demokratik është kthyer në një ngërç të rrezikshëm politik dhe kushtetues. Në qendër të krizës qëndron një karrige bosh – nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka shpallur institucionin si të konstituuar edhe pa këtë nënkryetar. Presidentja Osmani ka paralajmëruar se ekipi i saj ligjor po bën analizën e procesit. Opozita, ndërkohë, ka bojkotuar mbledhjet e Kryesisë, duke e lënë Kuvendin të funksionojë në gjysmë kapaciteti”, thotë ai.

Nuk ka demokraci pa Kushtetutë

Tutje, thotë se Kushtetuea është shumë e qartë, dhe se kërkon pesë nënkryetarë në Kuvend, mes tyre patjetër një nga komuniteti serb. Sipas tij, mosplotësimi i kësaj norme është shkelje kushtetuese dhe po sjell pasoja serioze: buxhet i bllokuar, largim i investimeve, paralizim i agjencive dhe humbje besimi qytetar. Kriza po e paraqet Kosovën si demokraci të brishtë.

“Kushtetuta është e qartë: Kuvendi duhet të ketë pesë nënkryetarë, dy nga komunitetet jo-shumicë dhe njëri prej tyre detyrimisht nga komuniteti serb. Këto janë garanci të paprekshme për multietnicitetin dhe përfaqësimin proporcional. Çdo interpretim që e anashkalon këtë detyrim nuk është pragmatizëm politik, por shkelje e Kushtetutës.

Pasojat e mosveprimit

Kjo krizë nuk është vetëm një betejë mbi procedurat parlamentare. Ajo po shndërrohet në një barrë për ekonominë dhe shoqërinë:

Buxheti i shtetit nuk mund të miratohet.

Investimet e huaja po largohen.

Agjencitë e pavarura mbeten pa drejtues dhe pa funksionalitet.

Qytetarët humbasin çdo ditë më shumë besimin te institucionet.

Në vend që të flasim për reformat e qeverisë së re, flasim për një krizë që paralizon shtetin dhe e ekspozon Kosovën si një demokraci të brishtë”, deklaron prfoesori.

Politikanët duhet të zgjedhin: shtet apo karrige

Në fund, thotë se ngërçi s’vjen nga Kushtetuta, por nga mungesa e vullnetit politik, duke shtuar se pa kompromis, Kosova mbetet peng, me pasoja të rënda për shtetin ligjor dhe integrimin evropian.

“Ky ngërç nuk është produkt i Kushtetutës, por i mungesës së vullnetit politik. Partitë kanë rënë në kurthin e kalkulimeve të ngushta, duke e lënë vendin peng të interesave afatshkurtra. Sa më gjatë të zgjasë ky ngërç, aq më të mëdha do të jenë kostot politike dhe ekonomike.

Kosova nuk mund të mbetet peng i një nënkryetari. Liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi, të respektojnë Kushtetutën dhe të gjejnë kompromis. Ndryshe, çdo ditë e humbur në këtë krizë është një hap prapa në rrugën e shtetit ligjor dhe integrimit evropian” – përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *