OPINIONTË FUNDIT

Simiq jashtë! Vjen reagimi i ashpër ndaj opozitës: Nënkryetar i Kuvendit, apo përfaqësues i strukturave kriminale?

Kosova po përballet me një krizë të thellë politike pas përplasjeve të ashpra rreth emërimit të nënkryetarit serb të Kuvendit. Slavko Simiq, deputet i Listës Serbe dhe i propozuar tri herë për këtë post, është në qendër të debatit, ndërsa kundërkandidat i tij është Nenad Rashiq.

Në mes të kësaj situate të tensionuar, Lista Serbe mohon çdo lidhje me Ana Murganiqin, e cila është arrestuar në Kroaci për spiunazh së bashku me të dashurin e saj, një pilot kroat. Por këto deklarata po tronditen nga publikimi i disa fotografive ku shfaqet Slavko Simiq në shoqërinë e Vladimir Radivojeviqit, i njohur si “Mami”. Ky i fundit dyshohet si personi që i transmetonte informacionet e ndjeshme Murganiqit, duke ngjallur dyshime dhe shqetësime serioze për sigurinë.

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” ka kritikuar ashpër krizën politike në Kosovë, duke theksuar se përplasjet ndërmjet partive shqiptare për postin e nënkryetarit serb të Kuvendit, mes Nenad Rashiqit dhe Sllavko Simiqit

“Duke qenë se lufta kryesore ndërmjet partive shqiptare, papritmas u shndërrua në dyluftim të hapur për Nenad Rashiqin dhe Sllavko Simiqin, si kandidatë për nënkryetarin serb të Parlamentit, nga sot, vazhdimi i krizës politike dhe stërzgjatja e moskonstituimit të Kuvendit e institucioneve tjera shtetërore të Republikës së Kosovës, edhe gati 7 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ka zhgënjyer deri në ato përmasa trishtuese qytetarët në mbarë vendin, sa që daljen nga ky ngërç i pa precedent politik, nuk mund ta shohin më, në asnjë formë tjetër, përveç shkuarjes në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Madje është tërësisht e pakuptueshme se si nga një numër i partive politike, nuk dëshirohet të shihen as inkriminimet e thella të të ashtuquajturës “lisë serbe” ku realisht ajo dhe deputeti i saj konspirativ Sllavko Simiq janë involvuar, të lidhur edhe me kriminelët më të mëdhenj serb dhe zhytur fort në veprime kriminale kundër institucioneve të shtetit tonë, por insistohet me kryeneçësi të sëmurë, të mosvotohet Nenad Rashiqi i cili nga fillimi ka pranuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe ka bashkëpunuar ngushtë me të gjitha partitë politike shqiptare edhe këto që nuk e votuan”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Qarri ka folur edhe për lidhjet e rrezikshme të “Listës Serbe” dhe Sllavko Simiqit me rrjete kriminale e spiunazhi serb.

Ai kritikon manipulimet publike të “Listës Serbe”, duke mohuar lidhjet me Murganiqin, ndonëse ka dëshmi vizuale për afërsinë e Simiqit me Radivojeviqin.

“Duke qenë se edhe nga mesazhet e publikuara në mediat kroate, të spiunes serbe nga Mitrovica Ana Murganiq, dëshmohet se informatat që ajo merrte nga piloti kroat, ia përcillte “listës serbe” dhe kriminelit Vladimir Radivojeviqit, “mami”, i cili është mik i ngushtë i Sllavko Simiqit, pjesëmarrës në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjë të Zveçanit ku u vra rreshteri i policisë së shtetit tonë në detyrë, Afrim Bunjaku dhe i dyshuar për pjesëmarrje edhe në sulmin terrorist të 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër Lepencit, partitë që mbështesin të ashtuquajturën “listë serbe” dhe Sllavko Simiqin, në zgjedhjet e reja, duhet të dënohen në mënyrën më të rëndë, përmes votës së qytetarëve.

Sipas mediave kroate, spiunia serbe Ana Murangiq e cila përveç përkthyese në UNMIK, EULEX dhe KFOR, ishte caktuar edhe ndërmjetëse në terren për ekipe të shumta të mediave, çdo informacion konfidencial që ajo pranonte nga piloti tani i arrestuar kroat, përveç kriminelit serb Vladimir Radivojeviqit, ia dërgonte edhe të ashtuquajturës “listë serbe”, ndërsa “lista serbe” ua përcillte ato qendrave të spiunazhit në Serbi.

Andaj e ashtuquajtura “listë serbe” gënjen aq sa është e rëndë, dhe nuk e di ku e merr gjithë atë guxim të rrejshëm e qesharak, kur pretendon në mënyrë të gënjeshtërt, se gjoja nuk e njeh spiunen e zbuluar serbe Ana Murangiq, madje vet Sllavko Simiqi ka edhe fotografi bashkë me Vladimir Radivojeviqin “Mamin”, dhe jo vetëm, në pamjet e të cilave duket “ashiqare” se ata janë edhe shumë të afërt me njëri tjetrin.

Ajo që dëshpëron edhe më tepër, lidhur me gjendjen delikate të sigurisë në Kosovë, është fakti se gazetaria e njëmendtë, pothuajse nuk bie në sy fare, ndërsa ajo e zhurmshme e përditshmja është ç`akorduar plotësisht dhe dyshohet për detyrim, shtytje apo edhe joshje financiare nga mafiooligarkët, për fabrikimin e sensacioneve kundërqeveritare derisa gazetaria e njëmendtë hulumtuese e investigative në dobi të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve, mjerisht pothuajse në Kosovë as që ekziston fare”, është shprehur Qarri.

Ai përmend se Simiqi ka lidhje të dokumentuara me kriminelin Vladimir Radivojeviq, është pjesë e “Listës Serbe” dhe ka marrë pjesë në veprime si ngritja e barrikadave, bllokimi i rrugëve, sulmet kundër KFOR-it dhe dhuna ndaj gazetarëve.

“Kështu që ne si qytetar dhe shoqëri e shtet i ri në Evropë, po tregohemi jo vetëm të vonuar, e aspak serioz por edhe të dështuar, si në këtë rast edhe në rastet tjera të spiunazhit kundër vendit tonë, ku derisa gazetarët e paguar, merren me shpifje dhe shpikje të sensacioneve të paqena politike, spiunët e Serbisë veprojnë lirshëm në vendin tonë, siç dëshmon edhe rasti i fundit, i cili u zbulua nga shteti kroat, ku piloti i tyre në Kosovë e furnizonte lirshëm spiunen serbe Ana Murangiq me informacione sekrete, të cilat ajo ia transmetonte edhe më lirshëm dhe me komoditet të pa-përshkruar terroristit “mami”, të ashtuquajturës “listë serbe” dhe qendrave të spiunazhit në Serbi.

“Për aq më tepër sa i takon Sllavko Simiqit edhe në këtë aferë të rëndë spiunazhi kundër Kosovës, ai duket të jetë shumë më thellë i involvuar se sa që është menduar deri më tani, i cili përveç lidhjeve të tij me kriminelin Vlladimir Radivojeviq dhe kriminel të tjerë serb, është vërtetuar me fakte se si pjesëtar i të ashtuquajturës “listë serbe”, Simiq ka marrë pjesë edhe në ngritjen e barrikadave, bllokimin e rrugëve, sulmet e organizuara kundër KFOR-it dhe rrahjen e gazetarëve të Kosovës, për ç`shkak kundër Simiqit së fundmi është ngritur edhe aktakuzë penale nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sllavko Simiq, sikur mos të mjaftonin ato që u cekën më lartë, ai në vijimësi është akuzuar edhe për afërsi të përhershme me kryeterroristin Millan Radojçiq, si dhe grupet kriminale serbe në veri edhe pas sulmit terrorist të 24-shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës në detyrë, Afrim Bunjaku.

Përveç lidhjeve të ngushta me terroristin Vladimir Radivojeviq-in, që ishte pjesëmarrës në sulmin terrorist serb në Banjë të Zveçanit me 24 shtator të vitit 2023, dhe shpërthimin që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e “Ibër-Lepenci-t”, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, lidhjet e Sllavko Simiqit me terrororistët serb, paraqiten edhe me fotografi autentike të publikuara në media.

Në ato fotografi, dëshmohet se ai ka afërsi të madhe, jo vetëm me kriminelin Vladimir Radivojeviq, por edhe me ish-shefin e operatives në veri të Mitrovicës, ish policin e dorëhequr Aleksandër Filipoviç, kryeterroristin Millan Radojçiq, si dhe me kriminelin dhe mafiozin e njohur të drogës Lazar Radenkoviç (Proja) kundër të cilit është lëshuar urdhër-arrest për laborator droge, në vlerë mbi 8 milionë euro”, ka potencuar Qarri.

Më tej, ai ka kërkuar hetim të thelluar ndaj Sllavko Simiqit për lidhjet e tij të dyshuara me BIA-n dhe rrjete kriminale e terroriste serbe

“E bazuar në afërsinë që Simiq ka edhe me Beogradin, të gjitha këto fakte obligojnë institucionet e Kosovës të hetoj rrënjësisht Sllavko Simiqin, për lidhjet që ai mund ti ketë edhe me BIA-n e Serbisë, ngase një figurë e tillë e dyshimtë, e lidhur kaq ngushtë me kriminel e terrorist dhe organizata konspirative serbe, përbënë rrezik permanent për gjendjen e sigurisë, jo vetëm në pjesën veriore të vendit tonë por në mbarë Republikën e Kosovës

Kështu që duke pasur para nesh gjithë këto fakte rënduese penale ndaj ti, deputeti i të ashtuquajturës “listë serbe” Sllavko Simiq përveç akuzës për pjesëmarrje në bllokimin e rrugëve e ngritjen e barrikadave dhe akte tjera penale të kriminelëve serb në veri të Kosovës, tanimë është në fokus të dyshimeve penale edhe për spiunazh kundër Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Në fund, Qarri ka bërë thirrje që Sllavko Simiq, të përjashtohet plotësisht nga institucionet dhe jeta politike e Kosovës.

“Ndaj përkundër dëshirës së flakët të shfaqur nga parti të caktuara shqiptare që “bash” Sllavkon ta kenë nënkryetar të Kuvendit, nga institucionet tona përkatëse, të dyshuarit dhe të akuzuarit me padi penale Sllavko Simiq, urgjentisht duhet ti hiqet mundësia për mbajtjen e funksioneve në institucionet e shtetit të Kosovës.

Njëkohësisht Simiq duhet të përjashtohet edhe nga pjesëmarrja në jetën politike të vendit tonë, e madje nëse institucionet shtetërore të Kosovës e shohin të nevojshme, duhet të merren në pyetje dhe vendosen nën sanksione përkatëse nga organet hetuese dhe ato të rendit edhe udhëheqës dhe pjesëtar të partive politike shqiptare, të cilët insistojnë me çdo kusht, që pikërisht të akuzuarin për vepra penale, të lidhur me kriminel dhe terrorist serb, që kanë vrarë edhe policët tanë në detyrë dhe të dyshuarin për spiunazh në favor të Serbisë, të ngarkuar edhe me aktakuzë penale -Sllavko Simiq, duan me patjetër, ta kurorëzojnë hiq më pak, se me postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që prapavijën e këtij insistimi të dyshimtë e shumë konspirativ, ta dinë edhe votuesit dhe qytetarët e këtij vendi”, ka përfunduar Qarri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *