OPINIONTË FUNDIT

Thellohet Skandali: E Dashura e Pilotit të KFOR-it Lidhet me sulmin terrorist në Banjskë – publikohen mesazhet sekrete

Një pilot i Forcave Ajrore Kroate, J.I. (54), dhe partnerja e tij A.M. (46), janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim për të mos penguar hetimet për spiunazh.

Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Splitit, e cila ka hapur një hetim zyrtar ndaj tyre, shkruan KosovaNews.

Piloti dyshohet për një formë më të rëndë të veprës penale, për të cilën mund të dënohet deri në 10 vite burg, pasi sipas prokurorisë ai ka zbuluar informacione sekrete. Partnerja e tij përballet me një dënim prej 1 deri në 5 vjet, pasi dyshohet për mbledhje dhe transmetim të të dhënave konfidenciale. Ajo u urdhërua të qëndrojë në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes.

Sipas prokurorisë, gjykata vendosi që nuk ekziston më rreziku i përsëritjes së veprës, pasi piloti nuk është më i angazhuar në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Hetimet zbuluan se J.I. dyshohet se i ka dhënë partneres së tij informacione të ndjeshme që i dispononte si pjesë e forcave ndërkombëtare. Marrëdhënia e tyre kishte nisur në vitin 2016 në Kosovë, kur ai ishte pjesë e kontingjentit kroat në KFOR, ndërsa A.M. punonte si përkthyese për EULEX. Romanca e tyre ka zgjatur me ndërprerje për nëntë vite.

Arrestimi i tyre ndodhi në ishullin Vis, Kroaci. Piloti ka mohuar akuzat, duke thënë se i dërgonte vetëm të dhëna mbi kushtet e motit, por sipas prokurorisë ai ka shpërndarë informacione për lëvizjet dhe pozicionet e forcave të KFOR-it, të cilat A.M. i ka përcjellë përmes aplikacioneve të koduara.

Hetuesit kanë gjetur prova në mesazhet e tyre, përfshirë biseda lidhur me incidentin e 25 dhjetorit 2022 në Zubin Potok, kur u sulmuan trupat e KFOR-it. A.M. kishte shkruar edhe me shokun e saj të fëmijërisë, Vladimir Radivojeviq (Mami), një nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë më 2023 dhe i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2024.

Hetuesit e konsiderojnë mesazhin që A. M. i dërgoi atij si të diskutueshëm, duke shkruar: “Duhet ta sqarosh sulmin ndaj KFOR-it sa më mirë që di.”
Po atë ditë, i dashuri i saj pilot i dërgoi një mesazh: “Vërtet e ke prishur punën mbrëmë.”

Sipas mediave kroate, gjatë mbrojtjes së saj A.M. ka pranuar se punonte për shërbimin sekret gjerman BND.

Hetimet pritet të zbulojnë detaje të reja për përfshirjen e saj në rrjete spiunazhi dhe lidhjet me grupet e strukturuara në veri të Kosovës./KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *