FSK-ja në rritje: A është Kosova gati për shërbim ushtarak të detyrueshëm apo vullnetar? Flasin ekspertët
Detyrim apo vetëdëshirë për pjesëmarrje në ushtri, ky është debati që po vazhdon tash e disa muaj në Gjermani.
Kancelari Friedrich Merz, dëshiron ta bëjë Bundesëehr-in ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë, e cila kërkon pajisje më të mira dhe dukshëm më shumë se 183,000 anëtarët aktualë. Bazuar në popullsi, por edhe sipas udhëzimeve të NATO-s, Bundesëehr-i duhet të rritet me 60,000 ushtarë.
Sipas projektligjit, shërbimi ushtarak duhet të bëhet më tërheqës nga viti 2026, por mbetet për të rinjtë të zgjedhin. Nuk parashikohet që të ketë një detyrim ushtarak siç ekzistonte në Gjermani deri në vitin 2011. Kjo është rënë dakord edhe në marrëveshjen e koalicionit: “Ne po krijojmë një shërbim ushtarak të ri, tërheqës, i cili fillimisht bazohet në vullnetarizëm”.
Vullnetarizmi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për socialdemokratët: ata e konsiderojnë shërbimin ushtarak si një ndërhyrje shumë të madhe në jetën e të rinjve.
Gjersa, një vend si Gjermania po investon në ushtri, a do të duhej një gjë të tillë ta bënte edhe Kosova, duke parë kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, luftën në Ukrainë si dhe tensionet që kanë kapluar botën në përgjithësi. Ekspertët e sigurisë kanë thënë për “Bota sot”, se Kosova ka mjete buxhetore dhe infrakstrukturë për shërbim ushtarak qoftë vullnetar, qoftë të obligueshëm.
Plani, buxheti dhe sukseset e mundshme
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se plani 10 vjeçar i transformimit të shërbimit ushtarak në Kosovë synon të ndërtojë një model që nuk i imponon të rinj.
“Plani 10-vjeçar i transformimit të shërbimit ushtarak në Kosovë synon të ndërtojë një model që nuk i imponon të rinjtë me detyrim të menjëhershëm, por që i tërheq ata përmes përfitimeve reale. Sipas ekspertëve, brezi i ri është i gatshëm të angazhohet nëse shërbimi ofron stazh profesional, arsim të specializuar, pagesë konkurruese dhe perspektiva karriere. Në këtë kontekst, një program vullnetar i strukturuar është rruga më e mençur dhe më e qëndrueshme”, deklaron Shala për “Bota sot”.
Sipas tij, Kosova ka kapacitete infrastrukturore dhe buxhetore për të nisur pilotin, por suksesi i transformimit nuk do të matet vetëm me numrin e rekrutëve.
“Kosova ka tashmë kapacitetet infrastrukturore dhe buxhetore për të nisur pilotin, dhe rritja e buxhetit të mbrojtjes në 5 vitet e fundit mundëson investime të vazhdueshme në bazat e trajnimit, strehim, pajisje dhe logjistikë. Suksesi i transformimit nuk do të matet vetëm me numrin e rekrutëve, por me cilësinë e përgatitjes, integrimin në tregun e punës dhe ndërtimin e një kulture pozitive ushtarake në shoqëri”, shprehet eksperti.
Ai tregon sukseset e transformimit 10- vjeçar, gjersa shton se Kosova mund të ndërtojë një shërbim ushtarak modern, fleksibil dhe tërheqës.
“Ky model i planifikuar 10-vjeçar nuk është vetëm një çështje e forcimit të kapaciteteve ushtarake. Ai është një mundësi për brezin e ri të Kosovë, që të ndjejë pjesëmarrje aktive në ndërtimin e sigurisë kombëtare dhe të zhvillojë aftësi që do t’i shërbejnë gjatë gjithë jetës. Një shërbim i tillë i bën të rinjtë pjesë të një vizioni kombëtar, ku siguria, përgjegjësia qytetare dhe zhvillimi profesional ecin paralel.
Në fund, suksesi i këtij transformimi 10-vjeçar do të tregojë se Kosova mund të ndërtojë një shërbim ushtarak modern, fleksibël dhe tërheqës, që përgjigjet nevojave të brezit të ri dhe sfidave të sigurisë në një rajon gjithnjë e më kompleks”, shton Shala.
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Deri në fund të tij, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht. Po ashtu, pritet të ketë përgjegjësi shtesë në ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, si dhe në ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, mes tjerash.
Statistikat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se gjatë tre vjetëve të fundit janë rekrutuar 1.836 ushtarë dhe kadetë të rinj në FSK.
Aktualisht, numri i pjesëtarëve është 4.141, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Shifra, sipas saj, gati se është dyfishuar gjatë kësaj periudhe.
Modelet që duhet ndjekur dhe kapacitetet e mundshme
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se shërbimi ushtarak në Kosovë mund të bëhet më tërheqës për të rinj me orar të caktuar.
“Gjermania dhe disa vende skandinave ( Finlanda edhe femrat) po planifikojnë në aplikimin në praktikë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak duke pasur parasysh krizat globale dhe luftën në Rusi. Kjo natyrisht se mund të bëhet si shërbimi ushtarak edhe në Kosovë dhe bëhet më tërheqës për të rinjtë në Kosovë shembull nga ora 08 00 deri në 16 00 je në kazermë dhe e mëson atë që quhet bazike dhe është tërheqëse për të rinjtë por edhe moshat më të vjetra në periudhë kohore të caktuar”, deklaron Dashevci.
Sipas tij, Kosova duhet të ndjek modelet e ngjashme të Gjermanisë apo vendeve nordike.
Ai shton se ekzistojnë kapacitetet infrastrukturore dhe buxhetore për modele të tilla.
“Kosova duhet të ketë një program të strukturuar për shërbim vullnetar ushtarak, i ngjashëm me modelet në Gjermani apo vendet nordike sepse ke modele të mira praktike nga partnerët strategjikë në NATO dhe vetëm duhet të zbatohet në praktikë edhe te ne sepse shërbimi ushtarak është rregull, vetëdijësim, mësim në praktikë për mbrojtje dhe siguri shtonë dashurinë për Kosovën. Kosova mendoj unë ka kapacitetet infrastrukturore dhe buxhetore për të mbështetur një model të shërbimit të strukturuar ushtarak (qoftë edhe vullnetar) sepse ka infrastrukturën e mjaftueshme dhe nuk jemi vend i madh që mos ta kemi buxhetin edhe për këtë sferë mjaftë të rëndësishme për vendin tone”, shton eksperti.
Qeveria e Kosovës në detyrë nuk ishte kursyer për buxhet në fushën e mbrojtjes. Më 2024, buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 153 milionë, ndërkaq këtë vit ai është 207.8 milionë.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar se gjatë një mandati të mundshëm të ri qeverisës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndahen mbi 1 miliard euro buxhet.
“Buxheti për ushtrinë është trefishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar, përfshirë këtu dronët Bayraktar luftarakë dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, u shpreh Kurti.
“Në mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro, do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’, pra që i prodhojmë vet”, ka shtuar ai.