Diaspora e pa përfaqësuar mjaftueshëm në vendet ku jeton, e harruar edhe nga Kosova!
Roli i diasporës në Kosovës është përmendur disa herë, e po ashtu edhe është kritikuar se nuk është përfshirë sa duhet nga partitë politike. Është konsideruar shumë herë si burim i të ardhurave, e po ashtu se votues të rregullt për partitë e ndryshme politike në Kosovë.
Por si një fuqi e madhe në vend, nuk është shfrytëzuar në mënyrën e duhur. Vetë mërgimtarët kanë adresuar disa herë kritika se nuk po trajtohen si duhet si qytetarë të Kosovës, që gjithmonë i shërbejnë vendit.
Këto kritika i kanë edhe mërgimtarët që jetojnë dhe veprojnë nëpër Evropë, duke thënë se nuk po trajtohen si duhet. Politika po i përdor vetëm për vota, ndërsa nuk ka ndonjë përfaqësues të diasporës në Kosovë.
Rashiti: Është e domosdoshme që diaspora të ketë përfaqësues që mbrojnë interesat e saj në Kosovë
Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti ka folur për rolin e diasporës në politikën e Kosovës. Rashiti thotë se diaspora vuan nga problemi i përfaqësimit si në vendet ku jetojnë, ashtu edhe në Kosovë.
“Diaspora, në tërësinë e saj, vuan nga një problem i përfaqësimit, qoftë në vendet ku jeton, por edhe në Kosovë”, thotë ai.
ImageKorab RashitiFoto galeri
Deputeti Rashiti thotë se është e domosdoshme që diaspora të ketë përfaqësues që i mbron interesat e tyre në Kosovë.
“Mendoj se është e domosdoshme që diaspora të ketë përfaqësues që mbrojnë interesat e saj në Kosovë, sepse mos të harrojmë se ajo, në shumicën dërrmuese, është pronare e tokës apo e pasurive të tjera, dhe një pjesë e konsiderueshme ka biznese. Ata kanë të drejtë të kenë përfaqësim”, vlerëson ai.
Sipas tij, nuk ka vullnet nga partitë politike në Kosovë që të përfaqësojnë diasporën.
“Aktualisht, nuk ekziston një vullnet nga partitë politike të vendosura në Kosovë për ta përfaqësuar më mirë diasporën, por vetëm për të mbledhur vota”, thotë ai për ‘Bota sot’.
Diaspora shqiptare, fuqia e madhe që Kosova ende nuk po e shfrytëzon
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik, Dashnim Hebibi, ka kritikuar mënyrën se si Kosova po e trajton diasporën, duke theksuar se ky potencial i madh kombëtar ende mbetet i pashfrytëzuar.
“Është fakt i pamohueshëm që Kosova ka një diasporë të fuqishme, të suksesshme dhe të shpërndarë në mbarë botën. Ky është një potencial që mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në politikë, por edhe në ekonomi, kulturë, inovacion dhe diplomaci. Fatkeqësisht, ky potencial ende qëndron në hije,” u shpreh Hebibi.
Ai theksoi se diaspora kujtohet vetëm në periudha zgjedhore, ndërsa më pas lihet në harresë.
“E kemi të njëjtën diasporë që ka kontribuar para luftës, gjatë luftës dhe vazhdon të kontribuojë edhe sot. Kosova nuk ka det, por kur mërgimtarët vijnë në korrik e gusht, vendi merr frymë më lirshëm, ekonomia gjallërohet,” tha ai.
Ai shoti se shpesh mërgimtarët etiketohen padrejtësisht për shkelje të rregullave, ndërkohë që “vetë shteti nuk ka rregulluar standardet bazë”.
ImageDashnim HebibiFoto galeri
Sipas tij, diaspora duhet të shihet si aleat strategjik, jo si “portofol votash apo burim remitancash”. Hebibi ka përmendur edhe përpjekjet e disa mërgimtarëve për t’u përfshirë në politikë, si rasti i një afaristi nga Gjakova në Zvicër që ka themeluar parti për zgjedhjet lokale.
“Ky njeri nuk kërkon mirënjohje e as të mbushë xhepat – ai dëshiron vetëm t’i japë Kosovës oksigjen,” tha ai.
Hebibi është i bindur se përfshirja e më shumë mërgimtarëve në institucionet e Kosovës do të sillte ndryshime të prekshme.
“Nëse do të kishim mërgimtarë në çdo ministri dhe institucion, do të shihnim rezultate të tjera. Ata kanë dijen, përvojën dhe imazhin e mirë në shtetet ku jetojnë,” theksoi ai.
Ai ngriti pyetjen nëse mërgimtarët do të ishin të gatshëm të linin jetën jashtë për Kosovën, duke iu përgjigjur vetë:
“Po, dhe disa e kanë bërë tashmë. Shumë prej tyre kanë dhënë edhe jetën për pavarësinë e Kosovës. Por sot, shpesh, diaspora shihet si monedhë e jo si partner zhvillimi.”
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik kërkoi hapjen e një muzeu të diasporës, si dhe krijimin e mekanizmave të strukturuar për përfshirjen e saj në zhvillimin e vendit.
“Nuk mjafton të nderosh diasporën me një koktej një herë në vit. Duhet t’i japim hapësirë reale për të ndarë përvojën dhe kulturën e punës që kanë mësuar jashtë,” tha ai.
Hebibi e mbylli apelin e tij me një paralajmërim.
“Mos e anashkaloni dijen dhe dashurinë e mërgatës. Nëse sot nuk i japim vendin që meriton, nesër do të pendohemi për kohën e humbur. Mërgata nuk kërkon privilegje, kërkon vetëm mundësi për të kontribuar. Dhe këtë mundësi duhet t’ia japim tani”, tha ai.