OPINIONTË FUNDIT

Paqe apo tensione? Çfarë do të thotë baza amerikane në Nish për rajoni – eksperti zbardh prapaskenat

Së fundi, ka pasur raportime për mundësinë e ndërtimit të një baze ushtarake amerikanë në Nish të Serbisë.

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Se pari, tha se ky mund të paraqet një zhvillim strtegjik me rëndësi të madhe për Ballkanin.

“Raportimet për ndërtimin e një baze ushtarake amerikane në qytetin e Nishit përfaqësojnë një zhvillim strategjik të jashtëzakonshëm për të ardhmen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Një veprim i tillë nga SHBA do të ketë ndikime të shumëfishta, si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në balancimin e forcave në rajon”.

Krahas kësaj, Gecaj foli edhe për marrëdhëniet SHBA-Serbi dhe SHBA-Kosovë, si dhe ndikimin e një baze të tillë amerikane edhe në aspektin e sigurisë.

“Kjo lëvizje mund të sinjalizojë një kapitull të ri në marrëdhëniet SHBA-Serbi, me një theks të fortë në afrimin gradual të Serbisë me Perëndimin dhe NATO-n. Nëse realizohet me konsensus të plotë, ajo do të tregonte një vullnet të Serbisë për të shkëputur varësinë strategjike nga Rusia dhe për të orientuar politikën e saj të sigurisë drejt partneritetit euroatlantik. Nga ana tjetër, për Kosovën, ky zhvillim mund të shihet si një garanci shtesë për paqe afatgjatë në rajon, pasi prezenca ushtarake amerikane në një pikë kaq të ndjeshme siç është Nishi, do të pengonte aventurat destabilizuese të aktorëve pro-rusë në Ballkan”, potencoi ai.

Po ashtu, eksperti potencoi se mund të ketë reagim të mundshëm të Serbisë për këtë, si shkak i lidhjeve të saj me Rusinë.

Në këtë pikë, tha se mund të ketë reagime të fuqishme nga shteti rus.

“Megjithëse Serbia ka lidhje të ngushta historike, kulturore dhe ushtarake me Rusinë, realpolitika mund të shtyjë Beogradin të pranojë këtë zhvillim nëse ai shoqërohet me përfitime ekonomike, politike dhe garanci për sovranitetin e saj. Një pjesë e elitës politike serbe mund të e përdor këtë lëvizje si dëshmi të një balancimi të ri dhe një sigurimi të shtuar për stabilitetin e brendshëm. Megjithatë, pritet që kampi pro-rus dhe nacionalistët të reagojnë me kundërshti të forta, duke e konsideruar këtë si një “tradhëti strategjike””.

Ndër të tjera, vlerësoi se kjo bazë mund të shërbejë si një faktor kyç për garantimin e paqes në rajoni e Ballkanit.

“Në afat të gjatë, prania e SHBA në Nish mund të përforcojë sigurinë rajonale dhe të frenojë ndikimin destabilizues të Rusisë në Ballkan. Megjithatë, në fazat fillestare, një veprim i tillë mund të rrisë tensionet, sidomos në raport me ndikimin rus në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë. Efekti përfundimtar do të varet nga mënyra se si ky projekt do të prezantohet publikisht, përfshirja e institucioneve vendore dhe transparenca e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Serbisë.

Nëse zbatohet me kujdes diplomatik dhe angazhim serioz për stabilitet, kjo bazë mund të shërbejë si një faktor kyç për garantimin e paqes afatgjate në Ballkan dhe për dobësimin e ndikimeve malinje nga jashtë rajonit”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *