Anëtarësimi i Kosovës në EAfA, Kurti: Dëshmi e përkushtimit tonë për të lidhur arsimin profesional me tregun e punës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshëndetur anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale – Arsimin Dual, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të arsimit profesional.
Kurti e ka quajtur Horizont i ri për arsimin dual dhe vërtetim i përkushtimit tonë për të lidhur arsimin profesional me tregun e punës.
Kurti ka shpërndarë postimin e ministres Nagavci e cila ka bërë të ditur se Kosova është pranuar si vendi i 43-të anëtar në EAfA, një platformë prestigjioze evropiane që promovon praktika profesionale cilësore, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përfshirje të sektorit privat në sistemin arsimor.
Sipas saj, kjo është një arritje e jashtëzakonshme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që dëshmon përkushtimin për të ndërtuar një arsim profesional të lidhur ngushtë me nevojat e tregut të punës.
Ministrja ka shtuar se përmes këtij anëtarësimi:
Do të rritet bashkëpunimi me shtete të tjera evropiane;
Do të promovohet mobiliteti i praktikantëve;
Do të ndërtohen partneritete strategjike me kompani, dhoma tregtie dhe institucione arsimore;
Do të përfshihet më shumë sektori privat dhe do të themelohen Këshillat Sektorialë të Shkathtësive.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit zhvillimin e praktikave profesionale efektive, mbështet ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe inkurajon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje.
Me këtë hap, Kosova synon një sistem arsimor më cilësor, më të hapur dhe të përputhur me standardet evropiane – një vizion që, sipas Kryeministrit Kurti dhe Ministres Nagavci, po shndërrohet gradualisht në realitet.