Çeku: Zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në Ulpianë, identifikohet një tjetër mbishkrim i Perandorit Justinian
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës dhe njëherësh ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka ndarë një lajm të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës: një tjetër zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik është bërë në lokalitetin e Ulpianës.
Sipas Çekut, arkeologët kanë identifikuar një mbishkrim të dytë që i kushtohet Perandorit bizantin Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora. Ndryshe nga mbishkrimi i parë, i cili përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan, ky mbishkrim i ri dëshmon për ndërtimin e një bazilike episkopale në këtë lokalitet historik.
“Janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon”, thekson ministri Çeku në postimin e tij, duke e cilësuar këtë zbulim si të jashtëzakonshëm.
Ai shton se trashëgimia arkeologjike po trajtohet me një nivel të ri serioziteti institucional. Hulumtimet në Ulpianë dhe Dresnik tashmë po zhvillohen në prona publike, të shpronësuara gjatë vitit të kaluar. Po punohet me përkushtim në konservimin dhe menaxhimin e lokaliteteve, ngritjen e kapaciteteve profesionale në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, si dhe në realizimin e studimeve dhe publikimeve të reja.
“Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”, përmbyll Çeku.